Kjo është historia e një vajze autike.
Irisi, së bashku me macen e saj janë të pandashme në çdo aktivitet të jetës së përditshme. Siç mund të shihet në video, ata bëjnë gjithçka së bashku dhe macja nuk i ndahet për asnjë arsye. Dikur ajo ishte e tmerruar t’i binte vetëm një pikë uji, ndërsa sot nuk e ka më atë frikë.
Prindërit e Iris zbuluan se vajza e tyre vuante nga autizmi i gradës së fundit dhe mjekët i kishin paralajmëruar se ajo nuk do të mund të fliste kurrë.
Por Irisi fshihte një talent që iu zbulua në moshën 3 vjeçare, kur nëna e çonte në seancat e artit për ta ndihmuar vajzën e saj të mësonte përqendrimin dhe të folurën. Aty doli në pah talenti i saj prej një artisteje të vërtetë, një piktore që deri më sot ka prodhuar peizazhe të stilit Monet, që janë vlerësuar në tregun ndërkombëtar deri në 1500 paund.
Pra, Irisi ishte një personazh i famshëm në rrjetet sociale, veçanërisht në Amerikë, dhe ishin pikërisht fansat e saj që i sugjeruan nënës t’i blinte asaj një mace Maine coon, për t’i bërë shoqëri dhe për ta ndihmuar atë të hapej më shumë, meqenëse terapia e kuajve kishte dështuar.
Nëna tregon: “Iris dhe Tula, macja, u bënë mike qysh në takimin e parë. Tula fjeti në krahët e Irisit atë natë, duke e mbrojtur atë si një engjëll. Kur Irisi kërkonte librat e saj, ajo ndjente veshët e Tulas, mustaqet e saj të gjata dhe bishtin e butë tek e ndiqte në çdo veprim që bënte”.
Menjëherë pas kësaj, Arabella thotë se Irisi nisi të zhvillonte formën e komunikimit.
“Ulu, mace”, dëgjon Irisin një ditë Arabella. “Ishte kaq autoritare saqë macja menjëherë u ul”, kujton ajo.
“Ndryshe nga shumica e fëmijëve të moshës së Irisit, ajo nuk e ngacmonte, përkëdhelte apo mbante në krahë macen. Marrëdhënia e tyre bazohej në miqësi. Kurdo që Irisi luante me plastelinë, Tula ulej pranë saj, duke imituar lëvizjet e saj. Ishte e pabesueshme sesi kjo mace e vogël, po zbulonte bazat e terapisë së lojës.”
“Ato e kuptuan njëra-tjetrën në atë mënyrë, që për ne do të jetë gjithmonë sfiduese. Ka një lidhje të pamohueshme mes tyre, një lidhje e fuqishme, të cilën kishim kaq kohë që e kërkonim”, vazhdon nëna.
Arabella tregoi për BBC Morning: “Kur doktorët na dhanë diagnozën për autizëm, ata ishin mjaft të dëshpëruar. Ajo kishte një formë autizmi të gradës së fundit dhe mund të mos fliste kurrë. Ajo nuk do të ishte në gjendje të zhvillonte marrëdhënie njëlloj si fëmijët e tjerë. Por pastaj erdhi Tula dhe çdo gjë ndryshoi. Ajo nisi të komunikonte me ne për çdo gjë që i duhej. Ne përdorim një shprehjes, që ‘të jesh ndryshe, është diçka e shkëlqyer’ dhe e mendoj vërtetë, tani për mua autizmi është i shkëlqyer. Nuk ka pse të jetë një diagnozë e zymtë. Është e vërtetë, mund të jetë e vështirë, shumë, shumë e vështirë me raste, por mendoj se në qoftë se punoni me fëmijën dhe punoni me interesat e tyre, do të shihni një progres, do të shihni ndryshime.”/dritare.net/