Takimi me Shoqërinë Civile, Nishani: Nuk do ta zhgënjej interesin publik të qytetarëve
Dritare.net
“Nga ndjesia e takimit, mund të shprehemi optimistë që vendimi i Presidentit do të jetë në kundërshtim të ligjit. Ne mbetemi besëplotë që kauza jonë do të fitojë”, thuhet në faqen në Facebook të “Nisma Thurrje”.
Presidenti Nishani ka lënë të kuptohet se do ta kthejë në Parlament ligjin për importin e mbetjeve, ligj ky që ka shkaktuar shumë debat dhe kundërshti nga shoqëria civile dhe opinioni publik. Kreu i Shtetit shqiptar, duke e konsideruar çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve si të një rëndësie madhore, me një ndjeshmëri të madhe në opinion publik e me ndikim të gjerë dhe afatgjatë në jetën e qytetarëve shqiptarë, e çmoi së tepërmi takimin konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambjentalistët si “shumë të vlefshëm në procesin e shqyrtimit dhe dekretimit të tij me seriozitet dhe përgjegjësi maksimale”.
“Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se përsa kohë do të jem në këtë Zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve!” – u shpreh Presidenti Nishani.