Tabaku në Kuvendin Kombëtar: Në 4 vjet, 67 mijë biznese kanë mbyllur qepenat

Pjesëtare e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e sotme, ka qenë edhe deputetja e PD-së, Jonida tabakuu, e cila mbajti një fjalim përkrah Petrit Rexhepit, përfaqësues të biznesit të vogël.

Tabaku, foli për gjendjen e të gjitha bizneseve. Ajo është shprehur se 67 mijë biznese, në 4 vitet e fundit kanë mbyllur qepenat dhe kjo është situatë që nuk mund të tolerohet më.

FJALA E PLOTE
Sot jemi mbledhur në këtë sallë përfaqësues të forcës politike opozitare më të madhe në Shqipëri dhe me shumë mundësi forcës politike më të dashur ndër shqiptarë, të ngritur mbi vlerat më të larta; si liria dhe mundësitë e barabarta për të kryer biznes.

Jemi partia politike që përfaqësojmë më së miri sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik të shëndetshëm, lirinë dhe zbatimin e ligjit, ndërtimin e një ekonomie të fortë dhe punësimit.

Kemi qenë ne forca e parë politike që kemi hedhur themelet për të ngritur një ekonomi të lirë pasi gjetëm një Shqipëri të rrënuar, kjo nuk është pak. Ndaj sot jemi përballë jush për te kërkuar që të zgjedhim të ardhmen dhe jo të tashmen që qeveris si vazhdim i katër viteve të shkuara.

Ne, nuk kemi më kohë!

Kemi humbur 67 000 biznese në pesë vitet e fundit, 67 000 familje pa mundësi e të ardhura, 67 000 persona të cilët kërkojnë një jetë në emigrim.

Janë mbi 200 mijë shqiptarë që janë larguar këto vite nga vendi ynë, potencial për një komb që ka mundësinë të krijojë një ekonomi të shëndetshme dhe të prodhojë.

Mund të jenë shumë arsyet që bashkëkombësit tonë largohen, por jam e bindur që më kryesorja lidhet me mungesën e lirisë. Kam dëgjuar në këto katër vite e pak sipërmarrës që nuk ankohen vetëm nga taksat e larta që u imponohen për vit nga qeveria, ato tanimë kanë nisur të ankohen për dhunën e vazhdueshme që qeveria ushtron në kontrollet tek bizneset e tyre. Arrogancën e pakuptimtë që qeveria përmes institucioneve ushtron mbi bizneset që përditë e më shumë po përkulen nga goditjet fiskale që po marrin, nga gjobat e papërballueshme me të cilat po ndëshkohen.

Sot, ato nuk kanë lirinë as për të shprehur mendimet e tyre sepse frika se nesër qeveria me ushtrinë e saj të tatimorëve do të vijë të gjobisë biznesin është po aq e madhe sa në vitet 1991. Ndaj dua edhe një herë të falënderoj Ndre Markun për guximin që pati për të folur këtu sot nga kjo foltore, duke e ditur dhe duke mposhtur frikën se nesër qeveria do t’i trokasë në derë për t’i dhunuar lirinë e të bërit biznes.

Ky është mëkati më i madh i kësaj qeverie! Mëkati fillestar i çdo pushteti që përpiqet të fusë në zinxhirët e diktatit lirinë e individit dhe biznesit.

Mëkat që qeveria e ka treguar nga shtatori 2013 e deri më sot dhe që jam e bindur se nëse së bashku nuk do të bashkohemi për ta rrëzuar do ta vazhdojë ta tregojë më me cinizëm dhe më dhunshëm.

Për të zhbërë këtë gjendje që qeveria e majtë ka prodhuar këto vite ka vetëm një mundësi për të rikthyer edhe një herë ekonominë në rrugën e zhvillimit; rikthimi i sipërmarrjes së lirë

Ne besojmë se zotimi jonë per taksa me të ulëta janë bazat për të zhvilluar një ekonomi të shëndetshme dhe për t’i rikthyer lirinë biznesit duke e mbajtur larg tiranisë së qeverisë dhe arbitraritetit të saj.

Ne besojmë që vendosja e TVSH-së tek bizneset e vogla do të thellojë akoma më shumë krizën e konsumit dhe problemin e informalitetit dhe do të rëndojë kostot e biznesit. Ndaj do ta heqim atë në ditët e para të qeverisjes.

Ne jemi të bindur se stabiliteti fiskal mund të arrijnë nëse biznesi taksohet më pak dhe qeveria shpenzon më me eficencë dhe jo duke angazhuar paratë e taksapaguesve për sheshe e qendra qytetesh ku askush nuk jeton më.

Partia Demokratike është e bindur se liria e sipërmarrjes i jep një shans të munguar deri më sot bizneseve të vogla që po ndëshkohen sot për interesin e një grushti biznesmenësh që duan ekzistencën e një tregu të kontrolluar dhe jo lirisë së tij.

Ndaj qëllimi jonë, si një parti e djathtë është të mbrojë liritë dhe principet mbi të cilat është krijuar tregu i lirë, pasi vetëm kështu ne mund të sigurojmë mobilitetin social. Vetëm kështu mund të sigurojmë ekzistencën e një kombi që ndërton i lirë prosperitetin e tij.

Ne jemi të patundur në besimin tonë se pa sipërmarrjen e lirë, pa biznesin e vogël dhe pa aspirata shoqëria jonë nuk mund të jetë më e ndërgjegjshme por gjithnjë e më e varfër.

Partia Demokratike sot po i ofron sipërmarrjes së Biznesit të Vogël dhe jo vetëm një rrugë për të shpëtuar nga represiviteti i qeverisë.

Ne mund t’ia dalim kësaj rruge vetëm së bashku.

Ka ardhur koha që biznesi të na japë besimin, pasi nuk ka dyshim që taksat e ulëta dhe qeveritarë më të përgjegjshëm mund të krijojnë një atmosferë më të mirë për biznesin e vogël në vend.

Gjatë gjithë kësaj kohe, unë dhe Partia Demokratike kemi mësuar shumë.

Nga gabimet tona, nga problemet tona.

Mbi të gjitha kemi mësuar se si të ringrihemi dhe të besojmë në vlerat e njerëzve për të krijuar një forcë më pranë jush dhe shqetësimeve të gjithsecilit prej jush.

Natyrisht, nuk mund të them që gjithçka ka shkuar më së miri. Por ne jemi këtu për t’u përmirësuar dhe për të fituar duhet edhe ndihma e gjithsecilit prej jush.

Ndaj duhet të punojmë së bashku për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë.

Kështu që nesër, fëmijët tanë kur të kthejnë kokën pas të jenë të bindur që ne kemi bërë çfarë është e mundur për të krijuar një shoqëri të lirë, ku askush të mos ketë frikën të flasë atë që mendon dhe ku përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë.

Dhe këtë të ardhme e dua për gjithsecilin prej nesh, pasi jemi lodhur duke ndërtuar politika vetëm për një grusht njerëzish duke harruar shumicën, duke ju harruar ju.

Ka vetëm një mënyrë për të ikur nga kjo gjendje; nga një Shqipëri e papunë, e brishtë, e dobët, e pafuqishme, e pashpresë. Kjo rrugë nuk është emigrimi.

Këtë rrugë duhet ta ndërtojmë këtu, bashkë ju dhe Partia Demokratike./K.C/dritare.net

 

LEXO DHE :  Aksidenti në Mallakastër/ Kushëriri vdiq, i mbijetuari rrëfen momentet e tmerrit

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.