Ta thotë Fjorda ty, pse plasi te Havana në Dhërmi!

Nga Fjorda Llukmani

Me që mbahem për eksperte të qejfit të jugut dhe e promovoj shpesh Drimadhesin apo Dhërmiun, u desh t’i them dy fjalë për ngjarjen e famshme te Havana. Jam e mendimit që filmat sigurisht bazohen në jetën reale dhe këtë e vërtetova gjatë fundjavës. Ama ndonjëherë mirë është të ndodhin gjëra të tilla për të vlerësuar jetën dhe sa me fat jemi që kemi dy pare mend e shëndet mbi të gjitha.

Një festival i muzikës elektronike që mbahet prej vitesh në Shqipëri, na shpërnguli në Dhërmi që të premten. Sigurisht unë dhe grupi im s’mund të humbasim evente të tilla festive. Pasi u sistemuam nëpër dhoma, plani i natës ishte të pinim një birrë te “Havana” pastaj të kalonim nga festivali.

Në fakt Dhërmiu s’ka kuptim pa këtë club që e vizitojnë të gjithë. Mos bëni tangërllik kot sikur s’keni shkuar asnjëherë. Sepse pas ngjarjes së të shtunës mbrëma, shumë prej jush filluan ta shanin gjoja me pretekstin “klientela Havanës”. Më merrni të keqen se, ja unë që shkoj atje, ça jam njeri i keq apo lace apo pjeshkë a ku ta di unë? Të premten pimë një birrë te banaku, pasi kishte shumë milet. Sigurisht as mua s’më pëlqejnë ata që shkojnë në clube për t’u dukur dhe nuk kërcejnë, por secili zgjedh mënyrën e vet të qefosjes. Muzika varet sepse vejnë edhe chill edhe të tipit “Pasha Jetën”.

Dritat e festivalit na ftonin nga larg që të mblidheshim në Drimadhes. Po mbaronim për të parë çfarë ndodhte atje. Kur zbresim shkallët për në plazh shikoj përballë skenës shumë njerëz duke kërcyer muzikë dupstep. Unë s’jam tifoze e muzikës që lëviz shpejt, ndaj vendosa të pres në barin brenda festivalit, se ç’muzikë do qëndiste një nga DJ e mi të preferuar. Tipat që shkojnë në festivale janë komplet ndryshe nga clubet. Ka dhe nga ata si puna ime që i bëjnë të dyja.

Në festivale njerëzit janë shuuuumë të thjeshtë, nuk vishen për të rënë në sy, por për të qenë sa më komodë. Kërcejnë përballë me DJ secili për hesapin e vet. Marrin një birrë në dorë dhe nuk ulen në karrige pa folur, pa qeshur, pa lëvizur. Në festivale mund të bësh shoqëri kollaj, pasi janë shumë socialë. Edhe nëse shkon vetëm, e sigurt që do të njohësh dikë atje.

Në festivale të tilla nuk quhet që ke festuar po nuk doli dielli. U harruam aq shumë me muzikën sa kur ngrita kokën dhe pashë që kishte zbardhur më kapi meraku. Mos duhet të isha në gjumë? Kur do zgjohem nesër? “Njerëzit tani dalin për plazh, ne shkojmë me flejt”-mendoja me vete. Brenda meje po fliste goca e clubit, që e mbyll maksimumi në 3 të mëngjesit jetën e natës. Pamë dhe lindjen e diellit e shkuam për të fjetur.

Të nesërmen vendosëm ta bënim plazhin në Jalë. Duke e filluar ditën në drekë, të paktën heqim qafe vapën e madhe pasi nuk durohej.

Në Jalë vazhdonin punimet për të hapur clubin. Sa inat më erdhi! Po shkrihesha të dëgjoja muzikë me këmbët në pishinën e re që po ndërtojnë. “Punë e mbarë xhaxhi. Me krahë të lehta ama mos e vononi edhe shumë hapjen.”,-i them duke qeshur. Për investime më bukur në Jalë, ama për plazh më mirë, në Drimadhes.

Kthehemi në dhomë pas një dite të lodhshme. Ishte e shtunë dhe po bënim planet e pikut të fundjavës. Dy shoqet e mia vendosën të shkonin te Havana, pa e ditur që do përballeshin me një film aksion. Unë thashë po rri dhe një çikë shtrirë e po shkoj më vonë, ose do takoheshim direkt në festival. Sapo më kishte dalë gjumi kur po shkruhesha me gocat. “Qenka plot këtu nona. Do vish ti apo takohemi atje?”-më thonë ato. Ndërkohë që mendohesha pas 10 minutash nga mesazhi i fundit që shkëmbeva me to, me merr në telefon njëra: “Nona nuk e ke idenë çfarë ndodhi! Kanë shtirë te Havana. Dëgjuam krisma 4 herë.  Biles Jari (një shoqja ime) është vrarë te dora se e kanë shtyrë njerëzit. U ulën të gjithë në tokë si minj o nonnn! Çfarë na kanë parë sytë ishte film aksion!” Nuk më besohej ç’po më thoshte dhe vetëm përsërisja fjalët “Qyqja qyqja qyqja qyqja!!!” Më iku truri fare. E vetmja gjë që më shkonte në mendje ishte: “Shyqyr që keni shpëtuar se mund të kishit ngrënë ndonjë plumb kokës!” Nuk më shqitej nga mendja situata që kishin përjetuar gocat. Kur takohemi nga afër shoh që njëra prej tyre kishte shenja tek krahu pasi ishte rrëzuar në tokë.”

LEXO DHE :  Video/ Kënga e re e Rita Orës, me skena të nxehta

“Kur dëgjuam krismat dikush ulëriti uluni uluniiii. U ulëm të gjithë si minj në tokë me kokë poshtë. Nga s’më shkonte mendja në ato momente. Ishte e pamundur të iknim nga aty sepse u bë kaos komplet. Dikush më shtyu e rashë në tokë prandaj u vrava. Një gocë pa më njohur më kishte kapur krahun me forcë dhe gjithë kohës thoshte ‘a mbaroi?’. Jemi traumatizuar, ishte si një film. Na ka rujt Zoti”-vazhdonte njëra prej tyre rrëfimin. M’u kujtua koha kur përjetova luftën civile në Stamboll që njerëzit vraponin nëpër rrugë si të çmendur dhe kudo dëgjoheshin zhurma krisjesh. Ama këto ngjarje më kanë mësuar ta vlerësoj jetën më shumë, se asnjëherë si dihet si mund të ikësh. Të shtunën m’u prish terezia fare e nuk dola as në festival.

E diela më zgjoi me shumë telefonata nga familja dhe miqtë që e dinin që ishim atje. Lajmi kishte marrë dhenë! Normalisht nuk është diçka që ndodh shpesh, m’u në mes të Dhërmiut me shumë njerëz vërdallë. Ku i çon mushka që bëjnë gjëra të tilla një herë? Po ik ore vrituni e vdisni nëpër male ku s’ka njerëz, ç’taksirat kanë të tjerët.

Filluam të analizonim situatën si shoqëri, nëse e kishte fajin clubi apo klientët. Jam e mendimit se kjo ngjarje ndodhi te Havana sepse është clubi i vetëm aty rrotull dhe s’ka asnjë tjetër të sojit të saj hapur. Kur po mendoja të gjykoja klientelën mendova “Pse kjo gjë e tillë nuk ndodhi në festival?” Nuk ndodhi pra se atje ka njerëz paqësorë që si bëjnë keq kujt. Për pronarët e Havanës s’kam asnjë koment. Ata të shkretët e dinë sa u ka ikur zari pas kësaj historie. Gjithashtu theksoj që këto ngjarje ndodhin kudo nëpër botë. Kështu që mos filloni me ato teorirat ‘jo po ne shqiptarët’. Si mund t’i parandalojmë këto raste? Duke i mësuar çunat me edukatë, që kur janë të vegjël dhe jo duke i thënë që gjërat fitohen me forcë se nuk jemi në xhungël.

Pasditen e së dielës e mbyllëm nën tingujt e një muzike fantastike në festival. Skena u vendos midis detit dhe malit. Nuk kishte kënaqësi më të madhe që pas atij stresi të një nate më parë, të kalonim disa momente relaksi.

Një turmë u vendos para DJ për të kërcyer, ndërkohë që dielli perëndonte. Për kaq ka nevojë robi. Prandaj shokë mos i gjykoni njerëzit që shkojnë nëpër festivale si drogaxhinj. Me që gjoja muzika elektronike dëgjohet nga një numër i vogël fansash. Paragjykime idiote shqiptarësh. Këshilla ime është: Hapni mendjen dhe shihni ç’bëhet me organizime të veçanta, mos u mbyllni vetëm nëpër clube. Dhe mos harroni kurrë që “pyll pa derra s’ka”./dritare.net



Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.