Ta them edhe një gjë për Olesian, se plasa
Dritare.net
Hahaha...Olesia Dukës na i qenkan venë nën sekuestro preventive pronat, se me demek i paska të dyshimta dhe të pajustifikuara me burime të ligjshme. Nuk e njoh fare Olesian dhe nuk e di si qëndron e vërteta mbi dyshimet e ngritura ndaj saj. Di, ama, se shumë prona që njoh rreth e rrotull nuk do të mund të justifikoheshin kurrë as me rroga dhe as me fitime biznesesh të pastra. I shohim përditë. Janë makinat e fjalës të fundit të teknologjisë me shoferë 20-vjeçarë që sfidojnë rrugëve të Tiranës e Shqipërisë, jo vetëm mua dhe ty, por edhe Policinë e Shtetit. Janë apartamentet dhe vilat luksoze që të verbojnë me shkëlqimin e çdo detaji. Janë pushimet ekzotike marramendëse. Janë hotelet e blera brenda dhe jashtë vendit, në det e në mal. Janë të gjitha aty, të publikuara nga autorët në të gjitha mediat e mundshme, pa i ngrënë as meraku më i vogël se do t’u hyjë ndonjë gjemb në këmbë nga Sektori i Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë Departamentit të Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (emërtimi i gjatë i marrë me copy+paste nga shkrimet që mesa duket janë thjesht riprodhim i ndonjë njoftimi për shtyp të prodhuar pikërisht nga këta sektorë, drejtori e departamente).
Ku janë këta sektorë e drejtori? Pse nuk bëjnë një ndarje territori e të caktojnë dy a tri vetë për të mbuluar secilën zonë? Mund të bëjnë thjesht një ‘krehje’ me sy të lirë të zonës, si ato krehjet e imtësishme që bëjnë partitë e fuqishme politike në çdo prag zgjedhjesh për të njohur me rrënjë e dhëmballë çdo zgjedhës, për kë voton apo për kë ka gjasa të korruptohet të votojë. Në mos kjo, mund të ndjekin modelet komerciale të studimit të potencialit financiar të një popullate të caktuar për të parë kush ka aq para sa nuk e justifikon jo me rrogë e me biznes, por as edhe me vetëm drogë apo ndonjë pisllëk tjetër.
Secili prej nesh është dëshmitar pasurish të frikshme përreth. E s’e kam fjalën as për ndonjë mjek, të cilit unë vetë e para, i jap ndonjë kafe me qejf kur në kushte të mjerueshme e nën presione të çuditshme partish politike më shërben me profesionalizëm, as për ndonjë mësues të gjorë që mund edhe të ketë paguar miliona për të zënë një vend pune, as për klinika të ngritura qoftë edhe përmes mashtrime ‘miqsh’ nga ndonjë vajzë e bukur që mund të ketë zgjedhur t’i shfrytëzojë miqësitë për para ndryshe nga meshkuj biznesmenë beqarë e të martuar që i shfrytëzojnë përgjithësisht ‘mikeshat e tyre femra’ si ofruese sistematike seksi pa pagesë.
Unë dua të jetoj në një vend të pastër. Dua që këta sektorë e këto drejtori, të cilëve pakkush ua ka parë hajrin, të bëjnë punën. Të hapin sytë e të publikojnë çdo rast, për mirë a për keq. Shumica e njerëzve janë të ndershëm në këtë vend. Vetëm kështu mundet që kjo shumicë të mbështesë aktivisht çdo përpjekje për ta pastruar këtë vend nga pasuria e pistë dhe arrogante që po na bën të humbasim dëshirën dhe shpresën për jetën./Dritare.net