Surroi për bashkimin Shqipëri-Kosovë: Këta s’po zgjidhin një problem si “patatja” dhe jo më gjëra të tjera
Dritare.net
Surroi tha se raportet midis Kosovës dhe Serbisë do të varen nga ajo që do të ndodhë në procesin e tanishëm të dialogut. Megjithatë, ai nuk ngurroi të shfaqte shpresën se në vend të një situate pa krye, Kosova do të ketë ndryshim.
Lidhur me debatet e hapura kohët e fundit mbi idenë e korrigjimit të kufijve, Surroi cilësoi si zbatues dhe autor të projektit të shkëmbimit të kufijve presidentin Hashim Thaçi.
Ai theksoi se projekti i shkëmbimit të kufijve do të ketë pasoja të rënda për Kosovën, nëse vihet në funksion.
“Është një projekt që nuk është i menduar mirë, ose është i menduar mirë tjetërkund, por i zbatuar këtu me pasoja negative për vendin. Nuk mund të ketë korrigjim të kufijve mes dy shteteve të cilat nuk e kanë njohur njëra tjetrën. Kosova dhe Serbia duhet të përfundojnë procesin e negociatave në mënyrë që si të barabarta të krijojnë një marrëveshjeje paqeje dhe pasi të kenë vendosur parametrat e marrëveshjes së paqes. E marrëveshja e paqes nënkupton edhe përgjegjësi për të gjitha ato viktima të luftës, për shkatërrimin, për përndjekjen për gjenocid, për 1648 të zhdukur dhe nevojën që të zbulohen të gjithë ata”, tha Surroi.
Ai foli më tej edhe për raportet e Kosovës me Shqipërinë. U tregua kritik për politikat e bashkëpunimit që kanë demonstruar deri më tani të dyja vendet.
“Përderisa ekzistojnë pritshmëri të mëdha për bashkëpunim, del një problem i cili është aq banal si “patatja” dhe tregon realitetin e komunikimit të dy shteteve”, tha ai. “Derisa nuk mund ta zgjidhësh një problem si “patatja”, si mund t’i zgjidhësh problemet e tjera”, u shpreh Surroi.
Ai shtroi nevojën për vendosjen e një regjimi ndërmjet dy vendeve, që paraqitet i ngjashëm me atë të shteteve të BE-së.
Prioriteti shtetëror i Shqipërisë, sipas Surroit, do të duhej të ishte zgjerimi i hapësirës së komunikimit dhe eliminimi i barrierës. Ai shtoi se e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Kosovën, ndonëse me një ndryshim të vetëm; Kosova nuk do të mund të komunikojë në mënyrë të njëjtë me të gjithë fqinjët.
Surroi e cilësoi çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë një mashtrim politik, që sipas tij, shfaqet çdoherë kur kërkohet për t’u mënjanuar nga një problem tjetër, siç është tani rasti i shkëmbimit të territoreve me Serbinë./dritare.net