Studimi i PNUD/ Ja pse shqiptarët mendojnë se homoseksualiteti është sëmundje!
Dritare.net
Është mbajtur në Tiranë një tavolinë e rrumbullakët me temë “Le të flasim hapur rreth të drejtave të komunitetit LGBTI” në të cilën morën pjesë aktivistë të shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut, institucione publike, dhe përfaqësues nga zyra e e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të diskutuar mbi sfidat, arritjet dhe ndërhyrjet e ardhshme për forcimin e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të Fushatës së OKB-së“Të lirë dhe të barabartë” të ndërmarrë nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me PNUD-in, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ambasadën PINK në Shqipëri.
Nëkëtë takim janë publikuar edhe gjetjet e një raporti “Të jesh LGBTI në Evropën Lindor, rasti i Shqipërisë”,dhe raporti është publikuar nga PNUD me mbështetjen e USAID.
Merita Poni konsulente e PNUD ka lexuar shifrat e raporit ku sipas saj këto shifra janë mjaft shqetësuese për komunitetin LGBTI në vendin tonë pasi, 92% e të anketuarve thonë se nuk do të ndërvepronin me personat e komunitetit LGBTI, 42% e tyre besojnë se homoseksualiteti është një sëmundje edhe pse nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kjo gjë është hequr nga sëmundjet.
Nga ana tjetër personat LGBTI në vendin tonë po përballen me dhunë fizike dhe psikologjike dhe në shifrat e raportit vërehet se 76% e personave LGBTI në vendin tonë thonë se janë abuzuar psikologjikisht ose ngacmuar me fjale.
Një gjetje tjetër interesante e raportit është se ½ e personave të anketuar mendojnë se homoseksualiteti është sjellë nga perëndimi.
“Megjithë hapat pozitivë të kryer, mbetet ende shumë për të bërë. Veçimi në vendin e punës, dhuna në familje, ngacmimet dhe talljet në klasë dhe ligjet përjashtuese ende vazhdojnë. Diskriminimi fillon herët dhe bëhet më i thellë. Dhënia fund e veçimit dhe përjashtimit të personave LGBTI është një prioritet i të drejtave të njeriut – dhe një zhvillim i domosdoshëm. Arritja e respektimit të plotë të të drejtave të personave LGBTI është themelore për realizimin e Axhendës Botërore 2030. Ka 17 Objektiva të Zhvillimit të Qendrueshëm. Të gjitha ato mbështeten tek një parim i vetëm drejtues: Mos lini pas askënd. Ne do të mund të përkthejmë këtë parim në veprim vetëm nëse arrijmë tek të gjithë njerëzit, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor të tyre”, tha Brian Ëilliams, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri.
Nga ana tjetër në raport përmendet edhe progresi që ka bërë vendi ynë në lidhje me të drejtat e LGBTI, ku theksohet përparimi për mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave në nivel të ligjeve dhe të politikës, ku përmendet votimi nga parlamenti dhe miratimi nga qeveria i Planit Kombëtar të Veprimit të personave LGBTI.
Merita Shehi, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale gjatë fjalës së saj, premtoj se institucioni që ajo përfaqëson do të mbetet e angazhuar për respektimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Në përfundim të gjetjeve të raportit janë bërë edhe rekomandimet përkatëse, ku sipas përfaqësuesve të PNUD duhet të konsiderohet vepër penale nxitja e urrejtjes për shkak të Orientimit Seksual dhe Identitetit Gjinor, zbatimi i ligjeve ekzistuese dhe ndryshimi i ligjeve diskriminuese, monitorimi i zbatimit të planit të veprimit, dhe heqja e veprave që lidhen me sjelljen konsensuale të së njëjtës gjini.
PNUD-i në Shqipëri dhe agjenci të tjera të OKB-së garantuan se përmes një numër programesh po ndihmojnë Shqipërinë të trajtojë sfidat që ende mbeten, përfshirë përmes ndryshimeve kushtetuese, legjislative dhe të politikave, përmes forcimit të institucioneve kombëtare dhe përmes edukimit, trajnimit dhe ndërmarrjes së nismave të tjera për respektimin, mbrojtjen, nxitjen dhe realizimin e të drejtave të njeriut të personave LGBTI në vend. / Dritare.net