Spartak Braho: Gramoz Ruçi nuk duhet të vazhdojë të heshtë ndaj të tilla turpeve. Rama s’duhet t’i përkëdhelë këta të pacipë

Përmes një interviste për gazetën ‘Dita’ deputeti, Spartak Braho ka replikur sërish me Agron Tufën.

Ai ka kërkuar reagimin e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pasi sipas tij, nuk mund të heshtet ndaj një turpi të tillë, kur heronjtë e luftës, sipas Brahos, po konsiderohen kriminelë.

– Zoti Braho, për shkak të protestës së opozitës ditën e shtunë, e shtymë me një ditë botimin e pjesës së dytë të intervistës me ju, të cilën po e vazhdojmë sot. Botimi i një liste me 265 emra udhëheqësish dhe dëshmorësh të Luftës Antifashiste që instituti i Tufës i konsideron kriminelë, ka ngjallur reagime të shumta… Në një intervistë të tij Agron Tufa ju quajti edhe juve një kriminel. A jeni lënduar nga ky etiketim?

– Aspak. Madje më bën nderur më radhit përkrah “kriminelëve” të listës së tij, pra kur më rendit krahas Mustafa Matohitit,  Baba Faja Martaneshit, Myslim Pezës, Shefqet Peçit, Haxhi Lleshit, Rrahman Perllakut, Jaho Gjolikut, Kahreman Yllit, Maman Saliut, Xheladin Beqirit, Spiro Moisiut, Xhaferr Cenko Lubonja, Zylyftar Veleshnja e të tjerë e të tjerë trima emërmëdhenj dhe heronj të asaj lufte. Do të doja t’u ngjaja atyre. Ata emra që përmenden në atë listë nuk kanë nevojë për avokatinë time. Ata e kanë bërë historinë e tyre dhe jemi ne që kemi nevojë për ta. Prandaj më bën nder kur Tufa më quan edhe mua kriminel. Sepse edhe të tjerë para meje janë quajtur të tillë. Për shembull, Gramoz Ruçi…

– Pse e përmendni Gramozin? Ai nuk është përfshirë në një debat të tillë, apo jo?

– Është e vërtetë kjo që Gramozi nuk është përzier në një debat të tillë. Por etiketimet kundër tij kanë qenë ku e ku më të rënda se ndaj meje nga kopeja e Tufës që militojnë brenda PD-së, tashmë pa mandate deputeti. Gramoz Ruçi tani është kryetar Kuvendi. Unë i di bindjet e Gramozit, por ditën e enjte mendoj se do ta ketë një ditë të vështirë. Nuk duhet të vazhdojë të heshtë ai ndaj të tilla turpeve që po bëhen në sytë tanë, me paratë e shqiptarëve…

– Pse?

– Sepse në kalendarin e punimeve të Kuvendit, pra ditën e enjte, do të vijë të raportojë në Kuvend Tufa. Se çfarë do ai në Kuvend këtë nuk mund ta shpjegoj dot. E them se më duket absurde që ai të vijë e të raportojë para Kuvendit. Ky Kuvend nuk ka thirrur asnjëherë Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçin, apo kryetarin e Organizatës së Dëshmorëve, dhe thërret Agron Tufën një ballist e neofashist me damkë. Ky është një paradoks. Mos harroni se jemi në vitin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Dhe ne lejojmë të vijë Tufa e të vjellë vrer kundër ‘kriminelëve’ të komunizmit? Po një nga ata, madje më i shquari është Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Jam edhe unë dhe shumë të tjerë në atë Kuvend. Është një përballje e habitshme midis “heronjve” ballistë dhe “kriminelëve” partizanë…

– Sidoqoftë, ai, pra Tufa ju ka quajtur kriminel pa thonjëza. A ke ndonjë përgjigje para asaj që mund t’i jepni në Kuvend të enjten?  

– Po e kam një përgjigje paraprake. Do të më vinte ndot e turp po të më quante ballist apo fashist. Po ka ardhur një kohë që Tufës i janë ngritur puplat dhe nuk ka asgjë për t’u çuditur, përderisa një tufë horrash si Tufa paguhen nga shteti për të lehur kështu. E di ti që Tufa ka botuar një libër me këngë e krijime për trimëritë e Ballit?

– Jo, nuk e di. Sepse kam një jetë të tërë që nuk kam dëgjuar që Balli të ketë këngë. Mos është një shaka kjo?

– Nuk është shaka. Ja, ta them unë që është botuar një libër i tillë. Madje unë edhe e kam dëgjuar një të tillë: Po na vjen Balli Kombëtar,/ Tralala, tralala… Është vërtetë për të qeshur, por siç ua thashë, nuk është aspak shaka. Mendoni se në relacionin që i bashkëngjitet projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10242, datë 25.2.2010 për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” shkruhet tekstualisht: “Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri është institucion publik, qendror, i pavarur, gëzon statusin e personit juridik dhe financohet nga Buxheti i Shtetit dhe burime të tjera”. E pra ky institut paguhet shtetit, nga qeveritë e pas vitit 2010 dhe qeveria aktuale për të botuar hynere të tilla, për të përbaltur historinë, për ta nxirë faqen më të ndritur të historisë sonë.

LEXO DHE :  Bllokimi i rrugëve, ja si janë shpërndarë ish-deputetët e opozitës!

Ky është një turp që nuk duhet të vazhdojë më tutje. Shiko Xhevdet: Kjo boja e zezë e Tufës kundër historisë sonë antifashiste, është si ajo boja e zezë që hodhën pardje banditët e Saliut në muret e Kryeministrisë. Ka një paralele të frikshme midis të dy gjesteve.  Ca shkruajnë me bojë të zezë, ca që s’dinë të shkruajnë e hedhin nëpër mure. Të dyja palët i bashkon një nyje: shpirti fashist.

– Sidoqoftë, sado qesharake që mund t’i quani botime të tilla,mendoj se nuk janë antiligjore, sepse vetë instituti që i boton është miratuar nga parlamenti dhe paguhet nga qeveria, apo jo?

– Unë them se janë antiligjore. Pse? Emërtimi i këtij instituti me ligj është: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Pra ka një veprimtari të përcaktuar qartë në kohë: 1945-1990. Ndërsa titulli i librit të botuar nga ky institut, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga i cili botuam pardje 265 emra si “kriminelë” është ky “Krimet e komunistëve gjatë Luftës 1941-1945”. Ç’do ky institut me Luftën? A nuk është kjo antiligjore dhe e dënueshme?

– Mendoni se ka një strategji nga ai institut për t’u sjellë në këtë mënyrë, ndërkohë që sikurse e kemi thënë edhe herë të tjera, jemi në vitin jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre?

– Kjo as që duhet vënë në dyshim. Ka një strategji të hershme, qysh në vitin 1990. Por nëse në vitet e para të pushtetit të Sali Berishës këto mund të quheshin akte sporadike dhe zemërimi nga disa e që përmblidheshin në vënien e dinamitit nëpër përmendore të luftës antifashiste, dhunime varrezash të dëshmorëve, si dhe heqje monumentesh e bustesh të heronjve, tashmë ka një strategji më të studiuar.

Para dy vjetësh Tufa ngjalli një debat me propozimin që bëri për ndalimin e të gjithë filmave të realizuar në kohën e socializmit. Vjet një pinjoll i një krimineli ballist propozoi ndalimin e gjithë letërsisë së realizuar nga viti 1944 deri në vitin 1990, përfshi edhe Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin. Këtë vit propozohet një rezolutë për dënimin e luftës antifashiste, ndërsa udhëheqësit dhe dëshmorët e asaj lufte konsiderohen kriminelë.

Le të supozojmë për një moment që të realizohet një projekt i tillë, pra të fshihet Lufta Antifashiste nga historia jonë, të ndalohen filmat dhe librat që propozojnë Tufa me shokë, çfarë mbetet? Një shkretëtirë, një Sahara në historinë tonë kombëtare. Ky është një projekt ogurzi për të cilët duhet që njerëzit, opinioni i shëndoshë duhet të sensibilizohet dhe të ndërgjegjësohet, pasi është një turp kombëtar po lejuam që ai të realizohet. Kjo është dhe arsyeja që unë kam reaguar fort si në rrugë institucionale, ashtu dhe në shtyp.

Por e rëndësishme është që të reagojë qeveria, të reagojnë kolegët deputetë, të reagojnë Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ-i dhe Organizata e Dëshmorëve etj., etj. Edi Rama kurrsesi nuk duhet t’i përkëdhelë këta të pacipë. Pra gjithë opinioni i shëndoshë që preket dhe fyhet nga qëndrime të tilla antikombëtare duhet të reagojë,madje fuqishëm. Neofashistëve nuk u duhet dhënë asnjë shans në revanshin e tyre të marrëzishëm./dita

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.