Skenaret e mundshme pas zgjedhjeve italiane
Dritare.net
Për të pasur një mazhorancë të qëndrueshme, një prej tre konkurrentëve kryesorë duhet të arrijë 40% të të zgjedhurve nga votimi proporcional dhe 70% të atyre që përcaktohen nga votimi mazhoritar. Një rezultat që është jashtë mundësive të së majtës dhe të Lëvizjes Pesë Yjet (L5Y). Vetëm aleanca e djathtë mund ta arrijë. Më pas, kryeministri do të përcaktohet nga partia e koalicionit që është në krye. Nëse është “Lega” atëherë do të përcaktohet Matteo Salvini. Nëse është “Forza Italia”, normalisht që simboli i partisë është Berlsuconi, por ky i fundit nuk mund të vendoset kryeministrë për shkak të dënimit të tij për mashtrim fiskal. Zëvendësuesi do të jetë Antonio Tajani, bashkëpunëtor besnik i Cavaliere-s dhe president i Parlamentit Evropian.
Tre mundësitë e Mattarella-s
Megjithatë, mundësia e një fitoreje të pastër të së djathtës është jashtëzakonisht e ulët dhe vlerësimet e fundit parashikonin një mungesë mazhorance. Sondazhet e fundit të publikuara parashikonin të djathtën në 37%, të majtën 27% dhe Lëvizjen Pesë Yjet 28%.
Në mungesë të qartësisë nga kutitë e votimit, tre mundësi që varen nga interpretimi që do i bëhet Kushtetutës shfaqen përpara presidentit Mattarella. Ai mund të besojë një “mandat eksplorues”, që i jepet një përgjegjësi politik për të parë nëse është në gjendje të krijojë një mazhorancë qeverisëse, që vjen nga koalicioni që ka dalë në krye. Në këtë rast mund të jetë aleanca e djathtë. Por ai mund të zgjedhë t’i besojë këtë mision partisë politike që ka arritur e vetme më shumë vota, që mund të jetë L5Y-ja.
Në fund, ai mund të vendosë që të zgjedhë një përgjegjës politik që ai e gjykon të aftë të krijojë një mazhorancë rreth figurës së tij. Në këtë hipotezë, Partia Demokrate (e majtë), nën drejtimin e Paolo Gentilioni, rikthehet në garë. Por presidenti Mattarella mund të japë njëkohësisht shumë mandate eksploruese për personalitete të ndryshme.
“Shpikja” i një mazhorance
Kjo fazë negociatash, ka për synim të “shpikë” një mazhorancë, që nuk është përcaktuar nga kutitë e votimit, por rrezikon të jetojë pak javë. Parlamenti italian karakterizohet gjithashtu nga një fluiditet i lartë i të zgjedhurve të tij. Gjatë legjislaturës së fundit, 566 deputetë apo senatorë kanë ndryshuar parit. Disa për arsye politike, të tjerë për arsye më praktike.
Vëzhguesit dhe kancelaritë parashikojnë krijimin e një koalicioni të madh mes Partisë Demokrate dhe “Forza Italia”, që i është vendosur pseudonimi “Renzusconi” (Renzi + Berlusconi). Kjo do të sillte një përçarje të së djathtës, pasi “Lega”, ksenofobe dhe antievropiane, nuk përputhet aspak me PD-në. Zgjidhja tjetër do të ishte një aleancë mes L5Y-së, “Lega”-s dhe “Fratelli d’Italia”, unioni i populistëve.
Në vend të përballjes klasike e majtë – e djathtë, votuesit italianë do të përballin në fazen përfundimtare, ajo që zhvillohet pas votimit popullor, populizmin sovranist antievropian dhe një qendrën pro-evropiane./LePoint.fr/ Përshtati Gent Sinani - Dritare.net