Si thoni për një piknik fundjave, në Liqenin e Farkës?

Nga Kadrije Çako

Jeni në dilemë ku të shkoni këtë fundjavë? Sugjerimi im do të ishte të vizitonit Liqenin e Farkës. Jo vetëm që do të argëtoheni, por nuk do të shpenzoni as para. Jua sugjeroj, sepse mua më fali qetësinë që kërkova, që herën e parë që shkova. Këtë herë, ky liqen zuri një vend të veçantë në preferencat e mia.

Edhe pse është disa herë më i madh se Liqeni Artificial i Tiranës, nuk frekuentohet shpesh nga banorët, por qetësia që të falte ishte e paimagjinueshme. Të sjell një ndjesi sikur çliroheni nga të gjitha “hallet”, stresi dhe lodhja e një jave të gjatë pune. Dhe e bukura është se, asgjë të keqe nuk merrni me vete në kthim, përveç relaksit dhe dëshirës së madhe për t’u rikthyer te liqeni qetësifalës.

Në Farkë  shkoni shumë kollaj, për më tepër e keni në periferi të Tiranës. Mund të shkoni me makinën personale, por  nëse nuk doni të shpenzoni lekë për benzinë, merrni një urban dhe me 80 lekë shkoni e ktheheni sërish.

Nga Qendra merrni urbanin e “Mihal Gramenos” dhe do të ndaloni 100 metra larg Liqenit.  Pak ecje nuk i bën keq askujt dhe mund ta bëni në këmbë pjesën tjetër të rrugës. Rruga që të çon afër liqenit është e shtruar me asfalt dhe kjo e bën më të lehtë shkuarjen atje.

LEXO DHE :  Rama i kthehet Konit: E mëshiroj pafytyrësinë tuaj, reagim tipik i burrave rrëshqanorë!

Rruga e asfaltuar që përshkon liqenin ka edhe vende të hapura, lëndina, ku mund të luani me top me shoqërinë. Mund të bëni edhe sporte të ndryshme, varet se çfarë preferoni. Buzë liqenit keni edhe një kafe.

Aty e kishe liqenin në pëllëmbë të dorës. Ngjyra blu e tij dhe pastërtia të verbonin. Mund të hani, ose pini thjesht një makiato dhe e keni për vetëm 70 lekë. Nuk ka çmime të kripura në Farkë, prandaj është për të gjithë.

Nëse nuk doni të uleni te kafja, mund të rrini edhe në bar, të bëni piknik, ose të peshkoni, ashtu siç bënin shumë prej vizitorëve dhe banorëve të Farkës. Nëse vendosni të peshkoni, mos harroni të merrni dhe skarën me vete, dhe e hani peshkun e pjekur taze nga dora juaj.

Unë mezi po e pres fundjavën, për shëtitjen e radhës në Liqenin e Farkës. Edhe ju, vishni një kostum sportiv, merrni ushqim me vete, fikni telefonat dhe oburra  me familjen në Farkë.

Shkoni, argëtohuni dhe na tregoni edhe neve eksperiencën tuaj fantastike. Shkoni njëherë edhe nuk do t’ju ndahet më shpirti nga Farka me liqenin mikpritës./dritare.net

 

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.