Si të gjesh balancën në jetën tënde dhe të mbrohesh nga vampirët që të hanë energjinë!

Nga Rudina Xhunga

Nuk i kam lexuar kurrë librat që kanë në titull: Si të… të hash, të lexosh, të rritesh, të mësohesh. Nuk më ndjellin dhe nuk i promovoj. Bëra një përjashtim, me Hamid Peseshkian, pas njohjes me të nëpërmjet Mirela Sulës. Ishte një përvojë ndryshe. Kështu shkruan Rudina Xhunga për intervistën me Hamid Peseshkian, autor i “Psikovampiri dhe psikoterapia”, i cili të lë një mbresë të veçantë sepse të thotë gjëra që i di, por që ngjan ndryshe kur i dëgjon nga një tjetër. Dritare.net po sjell të plotë intervistën e realizuar në vitin në vitin 2010, në “Shqip” në Top Channel.

 

Dritare.net: Në fakt ka shumë njerëz që nuk e dinë se çfarë është psikoterapia pozitive. Çfarë është ajo?

Psikoterapia pozitive është një metodë e re psikoteraupike e cila përpiqet të shohë aspektin pozitiv në problemet dhe gjithashtu në aftësitë që qeniet njerëzore duhet të kenë në mënyrë që të merren me këto probleme dhe t’i trajtojnë ato. Le të themi se nëse dikush është i depresuar ne themi se ai ka një dëshirë që të jetë në praninë e shumë njerëzve, kështu që themi së është një njeri shumë emocional e kështu që ne lëmë mënjanë konfliktin dhe i kthehemi aftësisë, pra kapacitetit të tij.

Dritare.net: Ju ka ndihmuar personalisht psikoterapia pozitive në jetën tuaj?

Siç mund ta dini, babai im ka qenë themeluesi i kësaj metode, prandaj që kur ishim fëmijë jemi rritur me këtë koncept. Por sigurisht jeta ka gjithmonë sfida dhe diçka si psikoterapia pozitive, është e dobishme. Ne shpesh gjendemi në situata ku nuk shohim më shpresë por të menduarit sipas psikoterapisë pozitive na ka ndihmuar që t’ia dalim këtyre sfidave, ku jemi gjendur.

Dritare.net: Psikovampirët është një libër i juaji që flet për “grabitësit e energjisë”. Kush janë ata e mbi të gjitha kush janë më të rrezikshmit?

Në fakt të gjithë ne kemi afër njerëz që na marrin energjinë tonë, na e largojnë atë ndoshta edhe pa pasur kontakte me ta, ata mund të arrijnë të na marrin energjinë. Pyetja që shtrohet është se pse diçka e tillë na ndodh? Pse një njeri tjetër ka fuqi kaq të madhe ndaj nesh sa të na marrë energjinë? Për shembull, ti je duke qëndruar e qetë në një dhomë dhe hyn dikush e ti papritur ndjehesh e stresuar. Këto njerëz variojnë nga miqtë, familjarët, kolegët.

Dritare.net: Si mund ta kuptojmë përpara që personi që kemi përballe është një psikovampir dhe mandej ta shpëtojmë veten nga energjia negative që ai na jep?

Çështja qëndron se energjia në jetën tonë është e kufizuar, nuk është vetëm koha jonë por është edhe energjia jonë e kufizuar. Kështu kur kemi një njeri me të cilin duhet të takohemi një herë në javë, por ai më merr gjithë energjinë gjatë këtij takimi, atëherë realisht unë kam një problem. Ose kur ju punoni 10 orë në ditë, ndjeheni komodë dhe kur shkoni në shtëpi pas 10 minutash ndjeheni të lodhur e ju duket sikur gjithë energjia ju ka ikur. Prandaj mendoj se këta psikovampirë janë veçanërisht të rrezikshëm. Ka një mënyrë sesi t’i trajtosh këta psikovampirë dhe aspekti kryesor është së pari t’i identifi kosh ata. Le të themi që ata mund të kenë një maskë ose kapele pas të cilave fshihen dhe kjo më ka ndihmuar mua që sa herë që i kuptoj është njëlloj sikur u vendos një tabelë në ballin e tyre që ky është një psikovampir. E kështu që kur i takoj ata jam pak më i kujdesshëm. Gjëja kryesor dhe koncepti në këtë libër është se zgjidhja më e mirë nuk është t’i heqësh qafe të gjithë këta psikovampirë sepse nëse një psikovampir ka ikur, një tjetër do të vijë. Por aspekti pozitiv është që këta lloj psikovampirësh më ndihmojnë të identifikoj ato që do të vijnë së shpejti rreth meje, për të kuptuar pse dikush ka këtë lloj fuqie tek unë dhe në momentin që e identifikoj një person të tillë, praktikisht i bie që jam bërë imun në mënyrën se si i trajtoj njerëzit e tjerë.

Dritare.net: A mund të jenë psikovampirë njerëzit tanë të dashur?

Ndonjëherë ata na duan më shumë se duhet. Kryesisht duket sikur ata shkrepin diçka e cila ka qenë e përgjumur brenda nesh dhe menjëherë zgjohet. Në psikologji ne flasim për një konflikt baze i cili ka ekzistuar vite më parë dhe vampiri thjesht në atë sekondë që shtypet ai buton, unë reagoj ndaj këtij butoni. Në Gjermani ka qenë një libër i famshëm që titullohet “Me një burrë tjetër gjithçka do të jetë më mirë” por sigurisht zgjidhja nuk është të gjesh një bashkëshort tjetër nëse ndryshimi nuk fillon nga vetja. Është e njëjta gjë kur disa njerëz duan të heqin qafe psikovampirët por në fakt duhet parë cili është problemi që kam unë që ky psikovampir shfaqet në këtë mënyrë rreth meje. Kjo do të thotë që duhet të jem unë ai që duhet të udhëheq jetën time e jo të vendosë dikush tjetër për mënyrën se si duhet të ndjehem unë.

Dritare.net:  Atëherë ne arrijmë të identifikojmë psikovampirin. Si do e prodhojmë kundërhelmin, ju përdorni pikërisht këtë fjalë në librin tuaj. Kundërhelm ndaj vetes apo të tjerëve?

Mendoj që ka dy hapa. Hapi i dytë do të ishte disa gjëra praktike për shembull si ta heqim qafe këtë person, si të minimizojmë kontaktet me këta persona apo gjëra të kësaj natyre por gjëja e parë që duhet parë realisht është se çfarë është duke thënë ose menduar ky person për mua sepse shpesh themi që nuk është një problem për mua por për disa arsye psikovampiri e gjen që ky është një problem për mua në fakt. Por pasi e kam identifikuar atë nga vetja ime, nëpërmjet librit, nëpërmjet psikoterapisë apo psikologut atëherë vjen faza e të praktikuarit. Për disa njerëz është më e thjesht të trajtohen nëse janë në grup. Le të themi që ju keni një teze apo gjyshe që është e vështirë dhe për sa kohë është në grup gjithçka është në rregull, por nëse do te duhet të udhëtosh me të e të rrish për dy javë vetëm me të atëherë do të ishte e vështirë për ty. Pra shpesh këto janë ato hapat praktike që vijnë nëse ne kemi qartësuar aspektin psikologjik.

Dritare.net:  Cili është psikovampiri më i rrezikshëm, ai i llojit vërtetë më të rrezikshëm që na dëmton më shumë e që na merr më shumë energji?

Kjo në fakt është një pyetje e mirë. Mendoj që psikovampiri më i rrezikshëm është ai të cilin unë e perceptoj që ai po më vë në diskutim mua si qenie njerëzore. Pra, pasi takohem me një person të tillë, i cili më thotë ndoshta që nuk jam i mirë profesionalisht më, që duhet të ndryshoj jetën time, që nuk jam një bashkëshort i mirë dhe gjëra të tjera të kësaj natyre, pra nëse më vë në diskutim tërë qenien time si person, shpesh ata mund t’ju çojnë në një gjendje ku ndjeni se nuk dëshironi të jetoni më. Por një tjetër psikovampir i rëndësishëm është vetja jonë. Unë mund të jem një person i vështirë për të tjerët, por mund të jem një person i vështirë për veten time. Mund të ngjajë si paradoks por unë nuk po jetoj vetëm me të tjerë por edhe me veten time. Për shembull, a e kritikoj unë gjatë gjithë kohës veten time, a nuk jam në gjendje ndoshta të pranoj arritjet që kam kryer në jetën time. Shpesh herë kjo është më e keqe sesa të të kritikojnë të tjerët.

LEXO DHE :  Shqiponja e sherrit/ Burri i Jonida Shehut, autori i veprës që financoi Lazim Destani

Dritare.net:  Ndërsa ju dëgjoj mendoj se jam një psikovampire e mirë ndaj vetes sime.

Një zgjidhje e mirë për të zbuluar këtë gjë është kur personi nuk ka frikë nga përgjigja që do të marrë, është të pyesësh njerëz të tjerë. Të pyesësh për shembull partnerin, fëmijët, miqtë si ndiheni ju në praninë time. Ti pyesësh “ju jap apo ju marr energji”? Por duhet të jeni të kujdesshëm pasi shumë njerëz kanë frikë prej nesh e nuk na japin përgjigjen e duhur e të drejtë. Dhe kyçi për këtë është vetëreflektimi. Mendoj se rreth 90% e popullatës, të paktën në vendet ku unë kam qenë, nuk reflektojnë rreth vetes së tyre. Ata thonë jeta është kështu siç është ose duhet të më pranoni ashtu siç jam, kjo është natyra ime etj. Por duhet të shkojmë pak më thellë tek problemi, duhet të pyesim veten: nëse unë do kisha dëshirë të martohesha me dikë si vetja ime, a do të kisha dëshirë të punoja me një njeri si vetja ime në të njëjtën kompani.

Dritare.net:  Por njerëzit nuk i bëjnë këto biseda, njerëzit nuk i thonë këto gjera kaq të thjeshta. Njerëzit thonë gjëra kaq shumë të vështira për luftën, për krizën dhe nuk fl asin për gjëra të thjeshta të tipit kush jam unë për ty.

Ky është një problem i madh por kjo gjë fillon që me shkollat ku mësojmë gjithçka përveç gjërave të rëndësishme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet njerëzore. Ne mësojmë matematikë, gjuhë etj. Gjëja tjetër është se nëse unë mendoj për veten time është e vështirë sepse unë mund të zbuloj diçka e cila mua s’do më pëlqejë, e cila më kthehet më pas në problem. Prandaj është më e thjeshtë të flasësh për të tjerët se për veten tënde.

Dritare.net:  Komunikimi në fakt është çelësi. Si ju duken shqiptarët, a janë njerëz që komunikojnë, njerëz që zhurmojnë, njerëz që fl asin, njerëz që ulërijnë?

Kjo është hera ime e parë në Shqipëri por kam qenë tre herë të tjera në Kosovë dhe kam qenë tepër i impresionuar nga njerëzit sepse unë mendoj që shqiptarët kanë këtë kombinim të disa aspekteve të lindjes e disa aspekte të perëndimit. Pra, janë shumë të komunikueshëm, familja për ta është shumë e rëndësishme, ata kanë shumë kontakte, pinë shumë kafe e nga ana tjetër puna për ta është e rëndësishme, dëshirojnë që të kenë arritje. Pra, mendoj që është një kombinim unik ndërmjet perëndimit dhe lindjes.

Dritare.net:  Dhe kthehem përsëri tek psikoterapia pozitive që ju siç e përshkruani në libër e tregoni për një model balance. Pse ky model është i rëndësishëm, pse ky model është i këshillueshëm? Ç’është balanca?

Ideja kryesore është se ekzistojnë katër aspekte në jetë në të cilën ne mund të vendosim energjinë tonë. Së pari është shëndeti ynë, së dyti puna jonë, njëra prej tyre janë miqtë tanë dhe familja jonë dhe njëra është një pyetje “për çfarë po e bëj unë të gjithë këtë”. Zakonisht ne mbitheksojmë një aspekt të gjithë kësaj, për shembull puna. Kam punuar gjithë dite, më kanë çmuar punën dhe kjo ecën kështu për shumë vite me radhë. E pastaj diçka ndodh në punën time dhe e gjithë jeta ime shembet. Ose e gjithë energjia ime është tek fëmijët dhe ata ikin pastaj diku, largohen. Ideja e ekuilibrit është që ne duhet të vendosim rreth 25% të energjisë, jo të kohës sonë, në secilën nga këto aspekte. Pra, 25% e energjisë për shëndetin, punën, familjen dhe miqtë dhe 25% për të reflektuar në lidhje me jetën, për t’u menduar për të ardhmen e kështu me radhë. Ata që e bëjnë këtë, janë njerëz shumë më të qëndrueshëm ose më tepër imunë për ngjarje të së ardhmes. Është njësoj si të qëndrosh mbi katër këmbë apo mbi  thjesht një këmbë. Pa dyshim që ekuilibri është më i madh kur ke katër këmbë.

Dritare.net:  Megjithatë shpesh herë njerëzit zgjedhin të qëndrojnë në një këmbë. Mbi cilën këmbë preferojnë ata të qëndrojnë më shpesh?

Varet nga kultura. Ne kemi bërë vëzhgime në rreth 25 kultura të ndryshme dhe kemi zbuluar se në kulturat perëndimore zakonisht njerëzit vlerësojnë punën dhe shëndetin kështu që ata punojnë gjithë ditën e më pas preferojnë të çlodhen ndërsa në kulturat orientale njerëzit vlerësojnë familjen, lidhjet e tyre.

Dritare.net:  A duhet të mësojë njeri vend nga tjetri dhe çfarë është mirë të mësojë në mbajtjen e kësaj balance?

Mendoj se është shumë e rëndësishme kjo që ju po thoni sepse në fakt krejt papritur ne mund të mësojmë nga secila kulturë. Pra, një aspekt i psikoterapisë pozitive është që të bëjmë një kontribut të vogël në unitetin e shoqërisë njerëzore. Pra,  dikush mund të thotë që secila kulturë që nuk e njeh është kulturë e mire, pra nuk di nga pikëpamja se çfarë mund të mësoj prej këtyre kulturave për jetën time. Për shembull ne kemi diskutuar këtë mëngjes se si është e mundur që në Shqipëri njerëzit janë duke punuar por në të njëjtën kohë kanë kaq shumë kohë për të pirë kafe, për t’u takuar me njeri tjetrin. Në Gjermani kjo gjë nuk ndodh. Pra, unë mendoj se nëse dëshironi të keni këtë aspekt filozofik të psikoterapisë, se si mundet nga kultura të ndryshme të merren elementë të cilat mund të gërshetohen e të punojnë bashkë, këtë mund t’ia arrini.

Dritare.net:  Për çfarë mund të më ndihmonte mua, për shembull, psikoterapia për të më rritur vetëvlerësimin?

Mendoj që ju nuk keni nevojë kaq shumë për të. Por do të thosha që ne e marrim vlerësimin tonë nga katër burime; nga trupi, nga paraqitja e jashtme, nga puna, nga familja dhe miqtë e ndoshta edhe nga besimi fetar dhe koncepti për jetën. Por zakonisht ndodh që ne zhvillojmë një aspekt, duke lënë gjithë potencialin e aftësive të tjera të pazhvilluar si duhet. Duke zhvilluar më shumë aspekte kemi më shumë shtylla të cilat na japin vetëvlerësim. Kështu, edhe nëse vjen dikush si psikovampiri dhe kritikon punën time për shembull, unë nuk kam pse të vë në diskutim jetën time, pasi kam burime të tjera që mbështesin vetëvlerësimin tim./Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.