Si po shkatërrohet Karaburuni dhe plazhet e tij

Nga Dritan Hila
Vlora është një ndër qytete me potencialet më të mëdha turistike. Dhe kur flasim për potenciale, primari është bregu i detit. Nëse ke plazhe, që andej fillon pastaj ngritja e infrastrukturave hoteliere, restoratore dhe rrugore. Dhe me një shtrirje 18 kilometra, Karaburuni ishte më surprizuesi me plazhet e vogla e të kristalta, gjiret e mbrojtura ku edhe nëse në Gjirin e Vlorës deti ishte 7 ballë, tek ato gjiret e vogla të Karaburunit ishte vaj. Themi ishte pasi fatkeqësisht nuk janë më.

Gjiri i Raguzës së Parë i famshëm për pozicionin e mbrojtur nga era, ishte zënë nga koshat e rritjes së peshkut. Nëse katër vjet më parë ishin vetëm katër të tillë, sot ishin me dhjetëra. Ndërkohë dhjetëra të tjerë po bëheshin gati për t’u vendosur.

Nëse deri dje jeni tallur me të ardhurit nga veriu dhe thënien e tyre “tokë e xanun”, vlonjatët kane zënë detin. Litarë të gjatë me boa pluskuese përcaktonin se kush ishte territori i kujt. Nëse tenton ti afrohesh me skaf nga deti ndonjë plazhi, mund të mbesësh në rrjetat kufizuese.

Ndërkohë plazhi i Raguzës së parë por jo vetëm, ishte bërë pistë e betonizuar përpunimesh dhe një mol që futej në det ku ishin ankoruar hekurishte të vjetra të motorizuara që shërbenin për të hedhur ushqimin në rezervate, i hiqnin çdo bukuri panoramës dikur idilike.



Vargu i gjatë i rezervateve vazhdonte edhe në Gjirin e Dardhës pastaj edhe në atë të Raguzës së dytë e kështu deri afër Shën Vasilit,


Është e vërtetë që nevojat e konsumit të popullatës nuk mund të përballohen me flotën e vogël të peshkimit shqiptare, por zakonisht këto leje jepen për t’u vendosur në hapësira detare, çka kërkon investim të madh për ngritjen e pritave mbrojtëse. Ndërsa sipërmarësit shqiptarë i ngrenë në gjiret e mbrojtura pikërisht për të ulur shpenzimet.


Por Gjiri i Vlorës është gji me qarkullim të avashtë të ujit. Prandaj ai edhe është gji i mbrojtur me ligj. Prania e rezervateve shkatërron florën e këtij gjiri dhe rrjedhimisht peshku i egër largohet që andej. Vetë peshkatarët vendas të thonë se tashmë detyrohen të largohen shumë për të gjetur peshk të egër. Aq e vërtetë është kjo, saqë një pjatë me peshk të egër në Shqipëri, kushton më shtrenjtë se në vendet fqinje.

LEXO DHE :  Foto para dhe pas që tregojnë ndryshimin e botës

Por një problematikë tjetër që sjell ky aktivitet, janë jashtëqitjet e peshqve apo mbeturinat e pa konsumuara të ushqimit të cilat i japin gurit dikur të bardhë të nënujit të bregut, një lloj myshku të yndyrshëm jeshil.
Por ky fenomen nuk është vetëm në Karaburun, çka e kompromenton rëndë të ardhmen e kësaj hapësire. Kudo ku ka gjire të mbrojtura, si në Porto Palermo apo Gjiri i Hartës në Ksamil, do shikosh nga këto shëmti dhe njëkohësisht bomba ekologjike.


Nëse nuk merren masa urgjente, jo vetëm kemi shkatërruar industrinë e peshkimit, por po dëmtojmë edhe ekologjinë e atyre hapësirave dhe turizmit të ngritur mbi to./dritare.net

Kliko këtu për të parë të gjitha fotot



Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.