Si ka nisur konflikti Maqedoni-Greqi për emrin?
Dritare.net
Konflikti mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin konsiderohet si bllokimi më i gjatë brenda Evropës, për të cilin nuk po arrihet një zgjidhje dypalëshe.
Por, si ka nisur konflikti Maqedoni-Greqi për emrin?
Maqedonia ka shpallur pavarësinë që në vitin 1991 , dhe një ndër problemet kryesore që ka hasur në përfaqësimin ndërkombëtar ka qenë emri i këtij shteti.
Aso kohe, Maqedonia e shpallur pavarësinë duke iu shmangur një konflikti të armatosur dhe gjakderdhjes, ndryshe nga shumë vende të tjera të ish-jogusllavisë, të cilat në përpjekje për tu shkëputur nga Jogusllavia e asaj kohe, u kryen masakra nga më të tmerrshmet e historisë së njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Emri Maqedoni, ka qenë për plotë 27 vite burim retoriksh nacionaliste, mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Por edhe shpallja e pavarësisë, nuk e bëri Maqedoninë të konsolidohet si shtet dhe të përfshihet në organizatat ndërkombëtare, kjo për shkak të fqinjit të saj, Greqisë, e cila pengon anëtarësimin e Maqedonisë në organizata ndërkombëtare me këtë emër.
Greqia prej vitesh pretendon se me vendosjen e emrit Maqedoni, Shkupi zyrtar ka pretendime ndaj një rajoni verilindor të Greqisë i cili quhet Maqedoni, ndërsa pala tjetër, Maqedonia, argumenton se populli maqedonas mund të gjurmohet në mbretërinë e lashtë të Maqedonisë e cila është sunduar dikur nga Aleksandri i Madh , dhe emri nuk është zgjedhje e cila ka prapaskena territoriale por që është zgjedhje e rastësishme.
Greqia është pajtuar tanimë që Maqedonia të njihet me emrin “Ish-republika jogusllave e Maqedonisë” derisa të arrihet në një marrëveshje dypalëshe.
Por, një problem tjetër që është hasur mes dy shteteve është edhe Aleksandri i Madh, i cili është heroi i të dy shteteve, dhe në një takim të parë mes kryeministrit grek Aleksis Tsipras, dhe kryeministrit Maqedonas Zoran Zaev, të dy kanë rënë dakord për disa pika.
Kështu, Maqedonia do t’i heqë emrin Aleksandri i Madh autostradës dhe aeroportit, ndërsa Greqia do të lejojë Maqedoninë që të rrisë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe Organizatat e tjera ndërkombëtare.
Por, takimi mes Tsipras dhe Zaev është një tregues mjaft i qartë se të dy kryeministrat kanë hapur një epokë të re të marrëdhënieve mes dy shteteve, epokë kjo që pritet t’i japë fund një konflikti herë të heshtur e herë të acaruar mes fqinjëve.
Tanimë duket se bllokimit më të gjatë politik në Evropë po i vjen fundi, pasi për Maqedoninë janë propozuar disa emra si “Maqedonia e re” “Republika e Shkupit” “Republika e Maqedonisë së Epërme” e të tjerë. / I.M-Dritare.net