Disa prej jush e dinë lidhjen time të ngushtë me Stambollin. Qyteti im i preferuar! Rastisi që në një prej vizitave të mia, kryeministri Edi Rama hapi ekspozitën e pikturave të tij.
Galerinë e Arteve e kisha në lagje, rreth 15 minuta në këmbë.
Tophane Art Gallery është ndër më të spikaturat në Stamboll, si nga vendndodhja, po ashtu dhe historia. Qëllimi kryesor i kësaj ndërtese ka qenë për prodhimin e topave të luftës gjatë shekullit 14. Tani përdoret kryesisht si galeri nga Universitetet e Arteve në Stamboll.
“Hajde Edi hajde, sa mirë të paska shkuar mendja për këtë vend ,more dreq”,-thashë me vete kur mora vesh lajmin.
Sigurisht që në zgjedhjen e galerisë kishte dorë kuratorja turke, të cilën munda ta intervistoj më vonë për një projekt shkollor.
Nisem nga hoteli që punoja në këmbë, bashkë me një mikeshën time hollandeze. Po vdisja nga kurioziteti për të marrë vesh çfarë ka përrallisur Edi.
Kisha parë vetëm fotoalbumin e tij në Facebook nga hapja e ekspozitës. Në lagjen pranë galerisë Tophane kishte plot postera me emrin “Edi Rama Edi-tions”.
Madje tek Universiteti i Arteve një ekran i madh paraqiste posterin dhe disa pamje të pikturave. Me thënë të drejtën m’u bë qejfi që emri i një shqiptari të lakohet aq shumë në rrugët më të famshme të Stambollit. S’doja ta gjykoja Edin si kryeministër. Në fund të fundit edhe unë po të isha artiste, do t’i gjeja nga dheu lekët për të bërë diçka të tillë.
Le që në këtë rast harxhimet janë nga personat që donin ta shfaqnin këtë ekspozitë në Stamboll, jo nga Edi. Domethënë turqit i bënë ftesën dhe ai pranoi.
Do thoni ju ai vjedh nga lekët e popullit etj. Aman të keqen se boll dëgjoj kështu komentesh!
Në librin e përshtypjeve, dikush kishte shkruar: “Të jesh artist nuk është shumë fitimprurëse, por në qoftë se ju nuk e keni një problem të tillë, kështu vazhdoni”. Më vinte t’i ktheja përgjigje që mos t’ia qante hallin, por e lashë.
Mes veprave të tij janë përzgjedhur 130 piktura të vizatuara në axhendat e ndryshme të Ramës si kryeministër dhe kryetar Bashkie. Në hyrje të galerisë emri ishte kudo. Gjatë ditëve të ekspozitës Edi Rama u lakua goxha në lajme si kryeministri artist. Shumica e vizitorëve ishin tërhequr nga ideja e politikanit artist, të paktën kështu shkruhej në librin e përshtypjeve.
Galeria nga brenda ishte super e bukur. Tipike turke me ato harqet dhe dritaret e xhamit me mozaikë. Në hyrje shkruhej një përshkrim i shkurtër për Edi Ramën dhe një koment nga kuratorja Beste Gürsu. Ajo insistonte që ta gjykonim si artist, jo si kryeministër.
Pikturat e Ramës kryesisht ishin me ngjyra. Nga tonet e përdorura, mund ta kuptoje nëse ka qenë i lumtur apo me nerva atë ditë. Kryesisht Edi zhgarraviste në blloqet e axhendave gjatë mbledhjeve. Edhe vetë mund ta shikoni që poshtë vizatimit shkruhet “Takim me Filanin” ose “Dreke me Filanin”.
Gjatë shikimit të pikturave mendoja-“domethënë njerëzit flisnin nëpër mbledhje për gjëra të rëndësishme, e ky , duke vizatuar për qejfin e tij.
Daja më thotë mos t’i gjykoj artistët dhe ashtu bëra. Se nuk i kuptoj dot jo për gjë.
Po, interesante të shohësh si funksionon dita e një pushtetari, me orare dhe takime njëra pas tjetrës. Kam përshtypjen që dhe të sëmuren nuk kanë kohë, me aq axhendë të ngjeshur.
Në fund të galerisë ishte improvizuar një tavolinë pune me fletë axhendash bosh, që çdo vizitor të pikturonte si Rama. Aty jepeshin dhe video nga zyra e Edit në Kryeministri, që është plot me këto piktura. Madje shumicat prej tyre, ato origjinale, ndodheshin në këtë ekspozitë.
Pasi pashë ekspozitën, i dërgova një email kuratores Beste Gürsu, për të bërë një intervistë me të. Ajo kishte dobësi për shqiptarët dhe pranoi direkt. Në atë kohë isha studente e gazetarisë dhe mu bë zemra mal që do takoja një person të rëndësishëm në Turqi.
Beste kishte marrë pjesë dhe në samitin e G20, merrej me shumë ekspozita arti në shtetin e saj dhe jashtë vendit. Madje dhe kryetarët e shteteve e nderonin me pjesëmarrjen e tyre në ekspozitat ku ishte kuratore.
Shumë e thjeshtë, veshur me të zeza, takohemi në galerinë Tophane disa ditë pas vizitës sime të parë. Intervistën në atë kohë e regjistrova me zë, për një projekt radio në shkollë. Sot po e sjell për ju me shkrim.
Beste më tregoi si u puq me Ramën dhe sa e pëlqeu ai ekspozitën. Sa herë shkoj në Stamboll dhe kur ajo vjen në Tiranë për punë, takohemi gjithmonë.
“Epo burrë me mend kryeministri që punon me njerëz të hajrit,” - thashë me vete.
Kuratorja e ekspozitës së Edi Ramës: Edi e përfaqëson bukur shtetin që drejton
"Ekspozita është çelur më datë 21 nëntor 2015 ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Rama. Mes veprave të tij janë përzgjedhur 130 piktura të vizatuara në axhendat e ndryshme të Ramës si kryeministër dhe kryetar Bashkie.
Ai kalon shumë kohë i ulur në tavolinën e tij të punës. Shkresa dhe minuta të programeve të ditëve dhe mbledhjeve të ndryshme. Materiale të tilla, që janë pjesë e përditshmërisë së tij, gjithnjë para syve të tij, kthehen në një ndërmjetës për të shpalosur dimensionet deri diku të panjohura të realitetit të tij. Harmoninë e tij unike, ai e sjell duke shndërruar natyrën e tij të larmishme, me rrjedhën e mendimeve të tij. Kjo, herë e shprehur në pikturë dhe herë në shkrime,”-shprehet kuratorja e ekspozitës Beste Gürsu.
F.LL-Si nisi bashkëpunimi juaj me Edi Ramën?
Beste Gürsu- Për herë të parë jemi njohur vitin që kaloi, kur kisha një ekspozitë në Tiranë. E ftuam Edi Ramën, por ai ishte i zënë. I thashë Artan Shabanit që po mendoja të realizoja një ekspozitë për zotin Rama në Turqi.
Më pas fola me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila kontaktoi me Kryeministrin. U surprizova kur Edi pranoi!
-Kur filluan përgatitjet për ekspozitën?
-Pas pranimit të tij mendova ta bëja ekspozitën në një zonë të famshme të Stambollit. Së bashku me Artanin vendosëm për Galerinë e Arteve në Tophane. Ramë dakord dhe me Edin. Ai nuk dinte asgjë për mua, megjithatë pranoi pa pasur probleme.
Për katalogun Edi vendosi vetëm për kopertinën dhe më tha se ishte dakord me çdo gjë që unë do të bëja. Nuk më pyeti për asgjë, më besoi pa më njohur. Kur erdhi në Stamboll për ekspozitën ishte i shokuar, pasi pa zonën dhe kishte shumë njerëz. Jam shumë e lumtur për këtë fakt. Për ekspozitën kemi punuar vetëm 4 muaj, që për ne është kohë e shkurtër.
-Edi Rama ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe talentin e tij artistik e ka shfaqur në lyerjen e ndërtesave me ngjyra të forta. Çfarë mendoni ju për këtë?
-I kam parë ndërtesat në Tiranë dhe me kanë pëlqyer shumë. Mendoj që Edi është ndryshe. Ai është politikan, shkrimtar, artist dhe është i kompletuar. Unë kam punuar dhe me politikanë turq të cilët flasin për punët e tyre, takimet që bëjnë çdo ditë, por Edi është ndryshe.
-Njerëzit në Shqipëri thonë shpesh: Si ka ai kohë të merret me ekspozita personale ndërkohë që njerëzit nuk kanë bukë të hanë ose ai nuk mund të jetë politikan i mirë meqë është artist. Si mendoni që e shikojnë njerëzit një kryeministër që pikturon gjatë mbledhjeve në shkresa zyrtare?
-Sipas meje nuk është problem. Ai prezanton shtetin e tij shumë mirë. Arti nuk është minus për të. Nëpërmjet artit Edi bashkëpunon dhe është më afër me njerëzit. Politika nuk ta jep këtë mundësi. Nëse takohesh me Edin për një minutë mund të flasësh për sportin, artin, politikën, pra për gjithçka.
-Cilat kanë qenë reagimet e Edi Ramës pasi pa ekspozitën?
-Pasi pa zonën dhe punën tonë ai ishte i surprizuar. Për shembull ai nuk e dinte që ne vendosëm një tavolinë për të lënë vizitorët të krijojnë përshtypjen e përditshmërisë së Edit.
Kur vizitoi ekspozitën më pyeti: “Beste çfarë është kjo?” “Është tavolina juaj”-i thashë. Ishte shumë i lumtur për këtë ide. Kemi pasur mjaft vizitorë të cilët kanë pikturuar në ‘axhendat’ që vendosëm mbi tavolinë.
-A mendoni se të qenit Kryeministër ndikon tek ardhja e më shumë vizitorëve? A vijnë vizitorët vetëm pasi tërhiqen nga ideja e një kryeministri artist?
-Vizitorët këtu vijnë për anën artistike, megjithëse e njohin që është politikan. Ne e prezantuam Edin këtu si artist, jo si politikan. Është e rëndësishme që ai është këtu vetëm për art. Në përgjithësi të gjithë e njohin për anën e tij politike, jo atë artistike.
-Sa kushton një nga pikturat në këtë ekspozitë?
-Pikturat mund të shiten pas ekspozitës për personat që duan t’i blejnë. Çmimet normale janë diku tek 1500€, ose edhe më shumë.
P.s. Ky artikull u shkrua për tu shuar kuriozitetin për pikturat e Edi Ramës , dmth për qejfin tim.
Unë nuk jam një prej rilindasve të tij, as kam ndërmend të jem.
Ju lutem qëndroni larg politikës sa më shumë dhe shijoni gjërat e bukura, qoftë kjo nga një kryeministër apo artist rruge./Dritare.net