Shyqyr që nuk kam lindur në kohën e "Muzeut të Gjetheve"
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani Kur shkojmë si turistë jashtë shtetit, jemi të parët që vizitojmë muzetë e ndryshme për të njohur historinë e vendit. Ndërsa për vendin tonë, mjaftohemi me çfarë mësuam në historinë e shkollës, e nuk zgjerojmë dijet. Pale pastaj që të vizitojmë muze na duket si diçka e çuditshme, ose humbje e kotë parash. Një ditë të diele, pasi bëra një shëtitje te sheshi “Skënderbej”, më ndaloi syri te Shtëpia e Gjetheve. Quhet ‘e Gjetheve’ për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulon vilën. Ky muze i dedikohet përgjimeve që bëheshin në kohën e komunizmit. Nga këtu merreshin komandot për persekutimin e të përndjekurve. Presim biletën te hyrja dhe stafi na bëri të ditur se ishin të gatshëm, të na shoqëronin nëse donim më tepër informacion. Në fakt nuk ishte e nevojshme, pasi çdo gjë shkruhej nëpër mure në shqip dhe anglisht. Nga jashtë duket goxha misterioze. Më kujtoi shtëpitë e Halloween-it që janë nëpër filma. Vila është dy katëshe dhe si fillim është hapur në kohën e Zogut si klinikë lindjeje. Gjatë viteve të para pas luftës, u kthye si qendër hetuesie dhe si vend kur bëheshin tortura. Në dhomat e para të muzeut tregohej ‘takimi i parë me dhunën’. Në një makinë shkrimi shkruheshin disa nga metodat e përdorura të torturës. Disa prej tyre ishin: shpimi i mishit me tel të djegur, futja e kripës në mish, djegie e organeve seksuale etj. Njëra më e tmerrshme se tjetra, me pak fjalë! Gjatë natës vendosej muzikë për të zhdukur zhurmat ose shumë të pandehur detyroheshin të këndonin.
Qytetarët e Tiranës së asaj kohe kishin dëgjuar për makthin e Shtëpisë së Gjetheve, prandaj nga frika as nuk ia hidhnin sytë kur u binte rruga andej. Madje dhe punonjësit e hetimit nuk hynin nga dera kryesore, por nga hyrja pas, ku janë zyrat e Postës Shqiptare sot. Çdo gjë ndodhte në fshehtësi të plotë. Këto tortura janë bërë publike pas demokracisë, sigurisht. Për mua ishte një kthim pas në kohë, goxha i frikshëm. Në këto raste vlerësojmë jetën dhe lirinë e fjalës më kollaj. Më poshtë pamë pajisjet me të cilat përgjohej. Atëherë përgjonin me çimka, ose siç i themi sot çipit. Pajisje e vogël që futej në xhep, çantë, poshtë këpucëve, pas kornizës së pikturës, nën tavllën e duhanit etj. Diku në mur varej një pallto e zezë për meshkuj. “Ah kjo qenka tipike veshja e një kalemi!”,- u thashë shoqeve. Për të kuptuar hierarkinë e Sigurimit të Shtetit, kanë ndërtuar një formë piramide me pushtetarët e asaj kohe. Normalisht në krye ndodhej faraoni i Shqipërisë, Enver Hoxha. Emrat e tyre shoqëroheshin edhe me foto. Për shembull emrin e Hysni Kapos e kam dëgjuar në disa raste, por kurrë s’e kisha parë si imazh. Në një prej dhomave, shkruheshin emrat e të përndjekurve politikë, të vrarë dhe atyre që janë persekutuar. Gjithsej 18.000 emra. U kujtova që një shoqja ime e klasës më tregonte për familjen e saj të internuar. Mami i kishte lindur në internim, në Selenicë të Vlorës. Pale edhe emri i saj shkruhej aty… Përveç shtetasve të vet, Enveri përgjonte edhe diplomatët e huaj. “Armiqtë e huaj” i quante këta të fundit. Në dhomat e hotel ‘Dajtit’ ose hotel ‘Arbanës’, ishin instaluar çipe dhe kamera për të dëgjuar bisedat e të huajve. Mund të shikoje disa filmime reale të asaj kohe. Nuk mungonin reportazhet apo intervistat e shumta të njerëzve të persekutuar, që tregojnë historitë e tyre rrëqethëse. Sektori që shijova më shumë, ishte dhoma e pritjes e improvizuar, me mobilie autentike të viteve ‘70. Nuk e mbaj mend herën e fundit që kam parë lule shqiponje. Kolltukët e asaj kohe më imagjinonin të ulur Nexhmie Hoxhën serbes-serbes, duke bërë planet e radhës. Thonë se, pas një burri të suksesshëm, fshihet një grua e suksesshme. Në komonë e divanit gjendeshin disa revista të asaj kohe. Njëra me titull “Ylli” e tjetra “10 Korriku”. Në faqen e fundit pashë disa foto të një fermeri dhe shkruhej “Fotoreportazh në pyllin e Maliqit”. Mendova : “Kështu do të ishin reportazhet e mia për dritare, nëse do të kisha lindur në komunizëm!” Edhe njerëzit e thjeshtë përgjoheshin nga telefoni i shtëpisë, ose nga takime të ndryshme me dikë që instalonte mikrofonin. Një fjalë, një këngë, një takim i rastësishëm, mund të quhej veprimtari armiqësore. Në fund fare vizituam laboratorin e dikurshëm të klinikës që përdorej për larje filmash e prodhim çelësash që të hapnin dyer e kasaforta. Aty bëhej hapja ilegale e zarfeve, me një tenxhere me presion që lëshonte avull e hapte letrën. Po ashtu për materiale të tjera që dyshoheshin se ishin shkruar me bojë të padukshme. Printimi i fotografive që shkrepeshin nga përgjimet, laheshin në një dhomë më të vogël pas laboratorit. Ky muze ka gjithsej 20 dhoma, prandaj s’mund të përshkruaj me detaje secilën prej tyre. Plus e mira është t’i vizitoni vetë, e të përjetoni të njëjtën ndjesi si unë. Nëse ke jetuar në kohën e komunizmit, atëherë e kupton më mirë akoma regjimin e asaj kohe. E mbylla vizitën me hyrjen në vendstrehimin nën tokë. Më ngjau si tunel-bunker. Kishte dhe tualet. U ula në stol e shijova shtëpinë nga jashtë. Bimët kacavjerrëse silleshin vërdallë saj ngado. Lloj e soj mendimesh më shkonin nëpër kokë, ku kryesorja është ‘shyqyr që s’kam lindur në atë kohë’. Se s’do më rrinte goja pa e thënë diçka kundra sistemit jo për gjë./dritare.net