Shtyhen negociatat me BE. Rama: Është një vendimmarrje e paparashikueshme
Dritare.net
I pyetur nga Top Channel për çështjen e negociatave me BE-në, kryeministri nuk ka përmendur më si afat vitin 2016, por tha se çelja e negociatave është një vendim-marrje e paparashikueshme.
"Çelja e negociatave nuk është vendim-marrja apo opinioni ynë. Është vendim-marrje e paparashikueshme e vetë Bashkimit Europian për të gjitha ato arsye që dihen, pasi nuk është më si dikur që Komisioni jep opinionin dhe pastaj negociatat çelen, por varet se si do të jenë konjukturat e brendshme dhe se çfarë do të thonë egoizmat kombëtare të gjithësecilit, kur do të duhet të shqyrtojnë këtë. Megjithatë, ajo që ka rëndësi parësore është që ne të bëjmë detyrat tona...", u shpreh Rama.
Në korrik të vitit 2015 gjatë vizitës së kancelares Merkel në Tiranë, Rama tha se në nëntor do të jemi gati për çeljen e negociatave.
Ndërkohë në nëntor, kur u takua me presidentin e së majtës në Parlamentin Europian, Gianni Pittella, kryeministri tha se në vitin 2016 do të çelen negociatat.