Shtrenjtohet periferia e Tiranës, rriten çmimet e banesave me 50 deri në 150 euro/m2
Dritare.net
Por, muajt e fundit çmimet e apartamenteve në periferi të Tiranës në zonën e Yzberisht apo te Fresku janë rritur me 50 deri në 150 euro për metër katror. Nga 400-450 euro për metër katror, tashmë minimumi i çmimit të një apartamenti në periferi ka arritur në rreth 500 euro për metër katror.
Tendenca konfirmohet, për “Monitor”, si nga agjentët e pasurive të paluajtshme, ashtu dhe nga sipërmarrësit, që ndërtojnë në periferi.
Klajdi Memajdini, nga agjencia e pasurive të paluajtshme 'DevInf', tha për "Monitor", se ka filluar që të shtrenjtohet edhe periferia. Sipas tij, rritja, ndikuar dhe prej kërkesës më të lartë për shtëpi, është deri diku artificiale. Kjo, sepse logjikisht, çmimi duhej të ulej me rritjen e dhënieve të lejeve të ndërtimit, e cila shton ofertën për apartamente në treg.
Rritje të çmimit ka konstatuar edhe Xheni Jahja nga 'Tirana Real Estate', e cila, sipas saj, po vjen edhe për shkak të kredive të zbutura për strehim. Nëse dikur çmimi për banesat në periferi ishte i negociueshëm, aktualisht nuk ka shanse që një pronë të shitet më pak se oferta fillestare, duke qenë se është rritur dhe kërkesa.
Në zonën e Yzberishtit, sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, çmimi për metër katror fillonte nga 400 euro, ndërsa sot çmimi është rritur me 50-100 euro në varësi edhe të cilësisë së apartamentit.
Në unazën e re, apo siç njihet zona e Astirit, çmimi minimum fillon nga 500 euro për metër katror deri në 600 euro.
Periferia veri-lindore e Tiranës, apo ndryshe zona e Freskut, ka pasur gjithashtu një rritje të çmimit të banesave, në të njëjtin nivel me Yzberishtin (nga 400 në 500 euro/m2).
Ndërtuesi Hajredin Fratari, që ka kompleks pallatesh në periferi, pohon gjithashtu se çmimet janë rritur në muajt e fundit nga 450 në 500 euro për metër katror. Ai thotë se ndikim kryesor ka pasur rritja e disa prej tarifave, si për shembull për të hipotekuar një pallat, atij i duhet të paguajë gjashtë fish më shumë, 3.6 milionë lekë nga 600 mijë që paguante më parë. Ai shtoi se janë shtuar edhe taksat për Ujësjellës-Kanalizimet, të cilat fillojnë dhe paguhen që në momentin, që merret leja e shfrytëzimit.
Kërkesa është nxitur dhe nga rritja e kreditimit për individë për blerje të pasurive të paluajtshme, kryesisht në lekë, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm në gusht, stoku i huasë për kredi në lekë, në gusht, u rrit me rreth 7% me bazë vjetore.
Individët kanë përfituar dhe prej kredive të zbutura që ka dhënë Bashkia e Tiranës. Sipas Xheni Jahja, qytetarët, që kanë përfituar prej kredive të zbutura kanë blerë në periferi të Tiranës duke rritur kështu dhe kërkesën në periferi.
Ndryshe nga periferia, çmimet në qendër dhe brenda unazës nuk kanë shënuar rritje muajt e fundit, sipas të dhënave nga agjencitë e 'Real Estate'.
Periferia, më e lira në rajon
Ndryshe nga qendra, zonat në periferi të kryeqytetit shqiptar janë dukshëm më të lira se periferia e rajonit, ku një apartament kudo në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, nuk e gjen më pak se 650-800 euro për metër katror, ndërsa në rrethinat e Tiranës ka dhe apartamente me 450-500 euro për metër katror. Ndërtuesit pohojnë, se shkak për këtë është infrastruktura e keqe, teksa pallatet janë ndërtuar pa plan, nuk ka hapësira (lulishte apo ambiente të përbashkëta), rrugët janë të ngushta dhe madje në disa zona, ato furnizohen me ujë pusi.
Në periferinë e kryeqytetit serb, në Beogradin e ri, p.sh., çmimet luhaten në 1200-1700 euro për metër katror, por kjo zonë ka apartamente cilësore, rrugë të gjera dhe infrastrukturë funksionale e hapësira për banorët./Monitor