Vendimi i Behgjet Pacollit për t’iu bashkuar “komandatëve” dhe për të tradhëtuar koalicionin me Vetvendosjen dhe LDK, do ti jap Kosovës një qeveri të re dhe një panoramë të vjetër të qeverisjes. Qeveria e re e cila dominohet nga 5 ministra të Pacollit, prej 4 deputetëve që ka gjithësej, është një zgjidhje joentuziaste për Kosovën, pasi në vend të prodhoj një politikë të re, po riciklon gjithë problemt e vjetra të Kosovës, që nga ato që kanë shoqëruar ish komandatët, e deri tek ato që kanë shoqëruar tipa si Behgjet Pacolli, të cilët kanë marr avionin nga Moska në Beograd, e pastaj në Prishtinë, për të ndalur bombardimin e Serbisë nga NATO dhe për të bërë paqe me Milosheviçin.
Shkak për këtë u bë me sa duket vëllai i Milosheviçit, i cili ishte ndërkohë ambasador i Serbisë në Moskë, ku Pacolli ishte përfshirë në një tender korruptiv për rindërtimin e parlamentit rus, të hetuar ndërkombtarisht për ryshfete ndaj vajzës së Jelcinit.
Pacolli nuk ka dëshirë të jetë shqiptar i keq, por ka dëshirë të jetë i pasur dhe si i tillë është bërë në Lindjen e korruptuar. Korrupsioni të mban peng dhe të mban peng dhe kur ke të bësh me çështje më të mëdhaja se paraja, siç është fjala vjen qëndrimi ndaj kombit tënd.
Ai nuk do kishte ardh me qejf me avion nga Moska në Kosovë, sikur të mos ishin në mes paret e Kremlinit dhe tenderi i tij problematik me vajzën e Jelcinit. Ai po ashtu nuk do ishte kaq pro oriental dhe pro liderve të korruptuar të ish republikave të Kaukazit, sidomos asaj të Kazakistanit, sikur dhe aty të mos ishte pëdorur si biznesmen oborri.
Dhe në këtë rast ai ka vepruar si tregëtar. Kur e pa që dy blloqet politike, nuk po mundin të formonin dot qeverinë, ai bëri pazar, shiti aleatët e tij dhe shkoi “dhëndërr” tek pala tjetër, duke marrë paraprakisht një pajë të majme.
Qeveria e re është tashmë në dorë të Behgjet Pacollit dhe pakicës serbe, ndërsa tre çështjet e mëdha të saj, të cilat duhet të çlirojnë Kosovën në Bruksel, janë çështja e kufirit me Malin e Zi, bisedimet me Serbinë, dhe beteja kundër korrupsionit.
E vetmja parti legjitime brenda këtij koalicionit është PDK , pasi ajo i ka pas në projekt këto pika. Ajo ka qenë pro ratifikimit të kufirit me Malin e Zi, por Haradinaj u betua se do derdhej gjak po të prekeshin livadhet që në mënyrë të diskutueshme humbasin prej territorit të Kosovës. PDK po ashtu ishte pro bisedimeve që nisi Hashim Thaçi me Vuçiçin, por Haradinaj dhe “Nisma” i kanë kundërshtuar ato si shitje të Kosovës. Beteja e tretë ajo kundër korrupsionit besoj se do vërë në siklet çdo njeri që do ta zërë në gojë me këtë qeveri.
Pyetja themlore që ka ky koalicion tani është se çfarë e bashkon atë?
Programi jo, se për objektivat kryesore të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme. Qëndrimet politike jo, pasi kanë qenë në koalicione të ndryshme parazgjedhore.
“Atdhedashuria” ngjan si fjalë cinike nëse varesh nga lista serbe dhe Pacolli.
Korrupsioni duket i vetmi motiv që mund ta shtyj para këtë shumicë të re, por mund të kthej mbrapa Kosovën.
Opozita e re e Kosovës do të jetë për herë të parë një parti nacionaliste antiestablishment si “Vetvendosja” dhe një parti tradicionale proevropiane si LDK. Dhe ky është i vetmi lajm i mirë, pasi shpresat do të jenë, më shumë tek opozita se sa tek qeveria. Qeveria do të humbas shumë kohë dhe energji për gjetur gjuhën me serbët dhe Pacollin. “Shtegu i lig, të merr dyfekun”,- thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare. Komandantët nuk kanë më “dyfekë” praktikisht. Por dhe ndoshta nuk u duhet, që kur kanë mësuar çfarë janë paret./TemA