Kur jemi vetëm pak ditë larg fillimit zyrtar të garës për zgjedhjet parlamentare, palët politike ngjajnë më të barrikaduara se kurrë. Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka deklaruar në mënyrë ultimative se nuk do të futet në zgjedhje me këtë qeveri. Pavarësisht deklaratave edhe nga faktorët ndërkombëtarë në Tiranë apo eprorët e tyre në kryeqytetet e perëndimit, ngjan se vendimi i tij është i palëkundur.
Në krahun tjetër, kreu i qeverisë Edi Rama i është përgjigjur në mënyrë ultimative se qeveria teknike dhe shtyrja e zgjedhjeve është e pamundur.
Ndërkohë faktori i tretë në skakierë, LSI-ja e Ilir Metës ngjan e vënë në presën e dy dinosaurëve. Në njerin krah është ligji i cili nuk i lejon mundësi manovrimi pas dekretimit të zgjedhjeve nga presidenti i republikës, por në krahun tjetër ka aq eksperiencë sa të jetë e vetëdijshme se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës zyrtare janë vetëm fara e një konflikti të ri.
Por cila është mundësia e rrugëdaljes?
Ekspertët ligjorë thonë se në kushtet kur dita e zgjedhjeve po afrohet, bëhet e pamundur që të ndryshohen ligjet dhe kodet. Ndërkohë shtyrja e datës së zgjedhjeve është e pa mundur. E gjithë situata ngjan se do të precipitojë në një votim një ngjyrësh i cili do të prodhojë parlamentin që do të zotërohet totalisht nga e majta. Është një pamje më e rëndë se ajo e vitit 1996 kur Shqipëria kishte në bankat e parlamentit vetëm 10 deputetë të opozitës. Çfarë erdhi më pas të gjithë e dimë. Ishte viti 97 ku të gjithë rrëmbyen armët kundër të gjithëve dhe ndërhyrja e të huajve ishte rishtas e nevojshme dhe çështja shqiptare u mor në shqyrtim nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë njerëz të afërt me qeverinë kanë hedhur tezën se e gjithë protesta ka lidhje me vetingun, procesin që mendohet se do të godasë një pjesë të madhe të klasës politike.
Meqënëse reforma në drejtësi është kërkuar me ngulm nga faktori ndërkombëtar, argumentohet se ky faktor do t'i tolerojë zgjedhjet problematike, vetëm që të shkojë përpara reforma në drejtësi. Dhe pasi të bëhen proceset e saj, vendi kalon në zgjedhje të parakohëshme.
Kjo hyn tek hipotezat të cilat do të eksperimentohen për herë të parë në Shqipëri dhe të cilat mbartin rreziqe të mëdha. Askush pas kësaj nuk e di si do të sillet politikisht një maxhorancë që nuk kontrollohet nga askush. Askush nuk jep garanci se procesi që do të lindë nga një parlament i deformuar do të jetë i drejtë dhe i paanshëm. Dhe askush nuk garanton se produkti që do të dalë do të jetë i pranuar nga të gjithë.