Shqipëria në shënjestrën e "Balenës Blu": E vetme, policia s'bën dot gjë
Dritare.net
'Administratorët mendojnë se ata që arrijnë në vetvrasje janë mbeturina biologjike'. Të ftuarit e mbrëmjes së djeshme në Top Show, kanë folur rreth lojës së tmerrshme vdekjeprurëse “Balena Blu”, e cila çdo ditë e më shumë vë në rrezik fëmijët dhe adoleshentët në të gjithë botën.
Rasti i fundit, edhe pse fatmirësisht u kap në kohë, (lexo këtu) tregon se edhe Shqipëria së fundmi është e rrezikuar nga e gjithë kjo. Psikologia Silvana Loka bën me dije se nuk bëhet më fjalë për thjesht një lojë pasi fundi i saj është i hidhur.
“Është një lojë që hyn në psikologjinë e fëmijës, i dhunon ata si nga ana fizike dhe mendore. Një nga pikat më delikate të tyre është gjumi dhe ata i prekin pikërisht këtu, i kërkojnë të zgjohen në orën 4:00 ose 4:20. Ata janë të gjithë në kohën që po ndërtojnë identitetin e tyre dhe janë në periudhë shumë të nderlikuar. Kjo është një sfidë më vete për fëmijët, që teston aftësinë e tyre për t’i thënë jo. Administratorët e kësaj besojnë se fëmijët që shkojnë deri në vetvrasje janë mbeturina biologjike, e ndërsa pjesa e tyre që rezistojnë skarcohen nga loja.” – pohon ajo.
Eksperti i Drejtorisë së Policisë, Artan Dashi bën me dije se pas “Balenës Blu” fshihet një rrjet që vendodhjen e ka në Rusi dhe Interpoli ka njoftuar se dhe vendi ynë është në shënjestrën e kësaj loje.
“Jemi tabelë qitje dhe ne në Shqipëri,”- pohon ai. I pyetur nga Dudushi se çfarë duhet të bëjë Policia dhe cilat janë masat që duhet të marrim ai është përgjigjur:
“Duhet të jemi të gjithë bashkë, policia e vetme nuk bën dot asgjë. Kurse policia bashkë me mediat, prindërit dhe organizatat e ndryshme mund të bëjnë gjithçka për të shpëtuar prej saj.”
Të gjithë të pranishmit në panel u bashkuan me mendimin se përpos të gjithave e rëndësishme është që të qendrojmë të informuar dhe pranë fëmijëve. Të dimë gjithçka rreth kësaj sfide dhe të punojmë me vetëbesimin e fëmijëve tanë. Pasi siç dhe psikologet e konfirmuan, kjo sfidë tenton të targetojë ata fëmijë të cilët janë më të ndjeshëm dhe mund të bien më lehtë pre e kësaj dhune./anabel.al