Shqipëria e Madhe, mediat serbe: Erdogani po ndihmon Thaçin dhe Ramën për luftë
Dritare.net
Gazeta serbe “Informer” në numrin e nesërm të gazetës, në ballinë ka nxjerrë tekstin, ku thotë se “Erdogan po përgatit Thaçin e Ramën për luftë, për ta bërë Shqipërinë e Madhe”. Sipas atij pak teksti që shkruhet në ballinën e gazetës, thuhet se agjentët turq në Shqipëri dhe Kosovë, bashkë me shqiptarët po përgatisin luftë në Ballkan. Ata sipas kësaj gazete po blejnë armë dhe raketa antitank. Plani thuhet të jetë ndërhyrja në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, e të merret edhe Kumanova dhe Shkupi.
Paratë për blerjen e armëve, sipas kësaj gazete po i jep multimilioneri prishtinas, Behgjet Pacolli. Me tekst të njejtë nesër ballinën e ka edhe gazeta tjetër serbe ‘Vecernje Novosti’, ku thuhet se “Agjentët turq po e bëjnë projektin e Shqipërisë së Madhe”. Këto tekste duket se janë shkruar në zyrat e Vuçiqit, pasi ai sot gjatë ditës deklaroi se agjentët serbë kanë zbuluar se projekti i Ramës dhe Thaçit për Shqipërinë e Madhe po bëhet në koordinim me ndihmën e të paktën një shërbimi sekret të huaj, shkruan gazetametro.net. Vuçiç tha është i habitur pak, ngase Rama e Thaçi në idenë e tyre po punojnë me një shërbim i cili nuk është i ndonjë shteti nga superfuqitë botërore. Ai nuk e përmendi emërin se për shërbimin e cilit shtet bëhet fjalë, sigurisht për të mos nxitur konflikt diplomatik me Turqinë, por këtë ua ka dërguar mediave të kontrolluara prej tij.