Shef Fredi sjell recetën më të shijshme për këtë të diel
Dritare.net
Përbërësit për stufato qengji:
- 400 gr tul qengji
- Pak kripë
- Pak piper
- 500 ml verë të bardhë
- 1 lugë gjalpë
- Pak vaj ulliri
Përgatitja:
Marrim një tigan, hedhim vajin dhe gjalpin dhe i vendosim në zjarr. Presim mishin në kubikë mesatarë, i kalojmë në miell dhe pasi tigani të jetë ngrohur mirë, i hedhim në tigan. I kaurdisim mirë që të gatuhen në të gjitha anët. I shtojmë mishit pak kripë dhe e shuajmë me verë të bardhë. Pasi të ketë avulluar e gjithë vera, shtojmë qumështin, pak piper dhe e vendosim në një tenxhere me kapak të cilën e fusim në furrë me temperaturë 180°C për një orë e gjysmë. Mishi duhet të piqet mirë.
Përbërësit për jufkat:
- 200 gr miell
- 1 kokërr vezë
- 40 ml qumësht
- Pak rozmarinë
- Shumë pak kripë
Përgatitja:
E hedhim miellin në tavolinë dhe e hapim në mes ku hedhim vezën dhe qumështin. I përziejmë ngadalë-ngadalë, shtojmë pak rozmarinë të grirë imët, shumë pak kripë dhe e ngjeshim brumin derisa të kemi një masë homogjene. Në qoftë se është e nevojshme, shtoni qumësht pasi brumi duhet të jetë i butë dhe i ngjeshur mirë. E vendosim brumin në frigorifer për 10 minuta. Pasi ta nxjerrim nga frigoriferi, e hapim petën shumë hollë të cilën e presim në rripa të holla, me një diametër rreth 4 centimetra. I vendosim në një tavë furre, i hedhim pak djathë sipër, pak vaj ulliri dhe i fusim në furrë për 5 minuta derisa të marrin ngjyrë të artë.
Përbërësit për krem kumbullash të thata:
- 500 gr kumbulla të thata
- 1 lugë vaj
- Pak spec djegës
- Shumë pak kripë
- Pak piper
- Ujë aq sa duhet
Përgatitja:
I hedhim të gjithë përbërësit në mikser dhe i grijmë të gjitha bashkë derisa të krijohet një masë homogjene. Kujdes! Kremi duhet të jetë i trashë. Marrim stikat, i pastrojmë dhe i thyejmë derisa të jenë të imta.
Servirja:
Vendosim mishin jashtë qendrës së pjatës ndërsa jufkat e gratinuara në mes. Hedhim stikat mbi mishin, anash pjatës, vendosim një lugë krem kumbulle dhe me një majë furçe e hapim shumë pak në sipërfaqen e pjatës./dritare.net/
Ju bëftë mirë!