Shef Alfred Marku, sjell “Dashuri Fisnike”, një recetë kuzhine për të mos u humbur

Doni të gatuani një drekë të veçantë këtë fundjave? Shef Alfred Marku ju sjell “Rapsodinë” në shtëpi.

Nëse keni qenë ndonjëherë te “Rapsodia” në Shëngjin, e kuptoni fare mirë për çfarë bëhet fjalë. Nëse jo, provoni këtë recetë dhe do ta kuptoni çfarë keni humbur pa shkuar një herë në Shëngjin, aty ku gatuan mjeshtër Fredi. Ai jo thjesht gatuan dhe ti jo thjesht, ushqehesh. Ti përhumb në kujtimet e kohës kur gatuante gjyshja dhe hutohesh nga ngjyrat, nga pjatat, nga fantazitë, nga rapsodia ushqimore e një njeriu, lindur për të të mësuar shijen e ushqimit të mirë.

Dashuri fisnike/Qofte peshku  shoqëruar me krem brokoli dhe fara gruri të sapoçelura.

Qofte peshku

Për 4 persona nevojiten:

  • 200 gr levrek,
  • 200 gr sepje,
  • 200 gr karkalec,
  • 200 gr qefull,
  • Verë e bardhë (2 lugë gjelle)
  • Pak piper,
  • Një thelpi hudhër e grirë imët,
  • Një lugë kafeje, me spec të kuq pluhur, i ëmbël,
  • Pak piper

Përgatitja:

Marrim levrekun, e presim në fileto, e pastrojmë mirë nga halat dhe e zhveshim nga lëkura, pastaj e presim në kubikë të vegjël.

Marrim sepjen e pastruar dhe e presim po ashtu në kubikë shumë të vegjël.

Marrim karkalecin, i cili është pastruar më parë, dhe sërish e presim në kubikë të vegjël.

Marrim qefullin, e presim në fileto, e pastrojmë nga halat dhe e presim në kubikë të vegjël.

I bashkojmë të gjitha, shtojmë kripën dhe i përziejmë, duke i shtuar piperin. Pastaj shtojmë hudhrën dhe e përziejmë sërish. Shtojmë specin e kuq dhe verën e bardhë, vazhdojmë i përziejmë derisa masa të jetë kompakte me të gjithë përbërësit e saj.

LEXO DHE :  Rudina Hajdari me parti të re, ja reagimi i parë nga PD!

Marrim një letër alumini, e lyejmë me gjalpë dhe e vendosim masën duke i dhënë formën e qoftes. Letrën e mbyllim anash në formën e një karameleje.

Vendoset në furrë në temperaturën 180 °C për 10-15 minuta.

 

Krem brokoli

Përbërësit:

  • Brokoli 100 gr,
  • Qepë 20 gr,
  • Patate 100 gr,
  • Pana 20 gr,
  • 300 ml ujë,
  • Pak kripë dhe piper
  • Pak hudhër

 

Përgatitja:

Marrim një tenxhere të vogël dhe hedhim ujin, qepën e prerë, pataten e prerë, hudhrën dhe kripën. I vendosim në zjarr derisa të ziejnë.  Pas 10 minutash, shtojmë brokolin të cilin e lëmë 5 minuta të ziejë. Shtojmë panën dhe i kalojmë në mikser duke e rregulluar me kripë dhe pak piper.

Grurë i sapoçelur:

Marrim 50 gr grurë dhe e vendosim në ujë për 24 orë. E lajmë dhe e vendosim në një vasketë në formë rrjete në një ambient të errët, i cili duhet të spërkatet me ujë 2 herë në ditë. Pas 3-4 ditësh ai do të ketë çelur dhe kështu është gati për të shoqëruar qoften e peshkut me kremin e brokolit.

Servirja:

Marrim qoften e pjekur tashmë, e vendosim në pjatë. Hedhim pak krem brokoli në gjysmën e qoftes dhe mbi të vendosim grurin e sapoçelur. Shtojmë pak piper mbi grurin dhe shumë pak vaj ulliri.

Shoqërohet me një gotë verë të bardhë./dritare.net/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.