Severgnini: Të majtët janë si macet, nuk rrinë dot në grup, bashkë
Dritare.net
Nuk kisha njohur Beppe Severgninin para se ta intervistoja. Pas intervistës, realizuar sajë botuesit të “Saras”, Besos, nuk më ndodh të lë pa lexuar Corrieren, po qe se ka shkruar Severgnini. Ka humor, kulturë, kuriozitet, sens mase, autoironi. Më pëlqen shumë. Dhe kam shumë dëshirë ta intervistoj edhe njëherë tani që më ngjan sikur e njoh. Uroj ta bëj, kur Beso ta botojë në shqip.
Kjo intervistë është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga në vitin 2010 dhe është pjesë e librit "31 Shkrimtarë e Shekullit". Dritare.net e sjell të plotë për lexuesin e saj.
Dritare.net: Z. Severgnini, pse keni ardhur në Shqipëri?
Beppe Severgnini: Kam ardhur në Shqipëri për të mësuar. Jam një gazetar tek Corriere Della Sera, jam intervistues për Sky, me një zanat të ngjashëm me tuajin. Shkruaj libra dhe tashmë prania shqiptare në Itali është shumë e rëndësishme. S’është shumë serioze të flasësh për Shqipërinë e për shqiptarët, pa i parë vetë. Për të njëjtën arsye shkova edhe në Rumani vitin e shkuar. Mendoj se tashmë janë dy vende që janë bërë shumë të rëndësishme dhe s’është e drejtë që udhëtimet dhe studimet të bëhen vetëm nga njëra anë. S’mund të funksionojë vetëm nga Lindja në Perëndim. Ju vini dhe na studioni neve. Për respekt të kësaj dhe për hir të zanatit, vendosa të vij ta shoh me sytë e mi Shqipërinë.
Dritare.net: Sa të rëndësishëm janë shqiptarët për Italinë?
Pas rumunëve, shqiptarët janë prania e dytë në Itali, si emigracion. E flisni shumë mirë gjuhën tonë. Ju jeni dëshmi e kësaj. Por e pashë edhe këtu në Shqipëri dhe e shoh çdo ditë në Itali. Shikojeni këtë medaljon, çfarë shkruhet këtu? Lexojeni.
Më duket se është ky slogani i Ambasadës. Dy popuj, i njëjti det.
S’është thjesht Ambasada. Është ideja e dy popujve të përafërt që i ndan një det dhe që duhet të jenë edhe më shumë miq. Për mendimin tim, çelësi i kësaj është pikërisht kjo. Njeriu duhet të ketë parasysh që gjërat ndryshojnë në një vend që ka parë keq. Unë kam miq shqiptarë. Një nga studentët e mi më të mirë, në Fakultetin e Gazetarisë, në Universitetin Shtetëror, ku jap unë mësim, është një djalë shqiptar. Ai ka ardhur me barkë në vitet ’90 dhe tani është një student shumë i zoti, duke punuar me masterin. Kohët ndryshojnë dhe njeriu duhet të përshtatet, që të arrijë ta kuptojë një dukuri para se ta përshkruajë. S’ka më keq se një gazetar që flet për gjëra që s’i njeh fare.
Dritare.net: Pra, në Corriere della Sera, editoriali juaj do të jetë për shqiptarët?
Jo, s’besoj se mund ta bëj, sepse të shkruash një editorial apo një libër rreth një vendi, duhet ta njohësh thellë, duhet të jetosh aty dhe të njohësh mirë gjuhën. Unë kam shkruar për tre vende, Anglinë, ku kam jetuar me vite, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për Italinë, vendin tim. Tjetër gjë është të thellosh njohuritë, në këtë pikë. Por edhe nëse duhet vetëm të flasësh rreth emigrimit në Itali, për dy vendet që kanë shumë emigrantë në Itali. Unë kam ardhur të studioj. Kjo mund të bëhet edhe pas të 50-ave, me flokët e bardhë si të mitë. Të jeni e sigurt për këtë.
Dritare.net: Nuk di nëse mund të ndajmë disa opinione rreth zgjedhjeve. Janë zgjedhjet në Francë, Itali. Nuk e di sa i keni ndjekur zgjedhjet franceze.
Në Francë janë zgjedhje presidenciale, në Itali janë zgjedhje të përgjithshme, në Amerikë po ashtu presidenciale. Për zgjedhjet më të rëndësishme, ato që zgjedhin kreun drejtues, ka edhe zgjedhje të tjera në mes. Këto zgjedhje, pothuajse gjithnjë, shkojnë kundër qeverisë në pushtet. Ka gjëra që nuk shkojnë dhe tregojmë pakënaqësitë. Pra, kjo është e parashikueshme. Ajo që i ndodhi Sarkozisë është diçka më shumë. Ka një lloj mungese harmonie. Por këta udhëheqës karizmatik dhe popullorë, e kanë gjithnjë këtë rrezik, që kalojnë nga dashuria e publikut tek mungesa e dashurisë. Ka udhëheqës më të qetë, që kanë rezultate më të parashikueshme. Një tjetër udhëheqës që rrezikon, është Obama. Obama është një udhëheqës ndryshe. Rreziku i Obamës është të zhgënjejë ata që i ka bërë të ëndërrojnë. Kur e bën popullin tënd të ëndërrojë, duhet ta dish që kur të zgjohet, ai do të të kërkojë llogari.
Dritare.net: Atëherë, nuk na duhen udhëheqësit që na bëjnë të ëndërrojmë? Por, mbase kemi nevojë edhe për ëndrrat.
Ëndrrat nuk mjaftojnë. Them se kjo vlen për shumë vende, sigurisht edhe për vendin tim. Silvio Berluskoni është pjesë e kësaj kategorie udhëheqësish. Është karizmatik.
Dritare.net: Por Berluskoni nuk të bën të ëndërrosh.
Të bën të ëndërrosh sepse shumë italianë e duan përpara se ta gjykojnë. Kjo është e rëndësishme. Ai ka të njëjtin lloj rreziku dhe do ta ketë edhe gjatë këtyre zgjedhjeve administrative. Ai e di mirë, prandaj këto ditë është dukur më i shqetësuar, për shkak të asaj që ka ndodhur me televizionet dhe gjërat e tjera.
Dritare.net: S’e di nëse jeni në dijeni për atë që po ndodh aktualisht në politikën tonë. Opozita nuk është në parlament, pikërisht për faktin se nuk është e kënaqur për mënyrën se si janë numëruar votat. Thotë që në këtë vend s’është e rëndësishme se si voton, por se si numërohen votat.
E di, sepse më kanë informuar studentët dhe e kam lexuar nëpër lajme. Por ju them një gjë. Nëse një gazetar vjen në Shqipëri për pak ditë dhe komenton për politikën shqiptare, do të ishte gazetar pak serioz. Unë njoh kolegë që vijnë në Itali dhe për dy ditë kuptojnë gjithçka, dhe kanë një gjykim për Berluskonin, një për të majtën, një për Papën e një për mafien. Është më mirë të shikosh, të dëgjosh e pastaj të flasësh.
Dritare.net: Atëherë flasim për zgjedhjet tuaja. Çfarë pritet të ndodhë?
Është e vështirë ta thuash. Mendoj se Lega do të dalë mirë në veri, sepse është bërë parti shumë popullore. Edhe pse i pëlqen njerëzve me arsim më të pakët dhe klasave më të ulëta. Le të themi që ka peshkuar në votat e të majtës, në Italinë e Veriut. Besoj se e majta do të dalë mirë, por vetëm sepse Berluskoni do të dalë keq. Unë besoj se zgjedhjet, në të gjitha vendet, është dikush që i humbet dhe tjetri është i detyruar t’i fitojë. Them se thelbi është gjithnjë ky. Duhet parë se kush i humbet. Është çështje alternativash. Kam përshtypjen se e Djathta e Qendrës, në Itali, ka bërë shumë për të merituar humbjen. Është çështja e listave. S’di sa në dijeni janë shqiptarët që po na shohin tani për atë që ndodhi me listat. Shqiptarët në Itali e dinë mirë. Lista nuk është paraqitur, nuk është partia e Berluskonit në Lazio, në Lombardi për pak sa nuk u përjashtua. Pra, ka qenë një çast shumë i ndërlikuar për ata. Unë besoj se disa nga votuesit e Berluskonit do të rrinë në shtëpi. Nuk do të votojnë për palën tjetër, por thjesht do të rrijë në shtëpi. Prandaj dhe zgjedhjet humben, nuk fitohen. Por sigurisht që mund të ndodhë gjithçka.
Dritare.net: Dikur jeni shprehur se Berluskoni fitoi, ngaqë e majta vendosi të humbasë. Po thoni se tani po ndodh e kundërta?
Jo, e majta vazhdon të punojë me zell për të humbur. E majta italiane e bën shumë mirë këtë zanat. Duan patjetër të humbasin. Kemi të vetmen të majtë mazokiste në Evropë. Megjithatë, edhe pse rezultate nuk ka ende, them se gjërat janë pak më mirë për të majtën italiane. Është shumë e ndarë tani. Italia është një vend i vështirë. Është një vend ku thuhet se ka katër parti politike për çdo tre italianë. E vetmja mënyrë për ta mbajtur të bashkuar një koalicion, është ta zotërosh. Berluskoni s’është vetëm kreu, por është pak edhe pronari i koalicionit. Ka mjetet politike, mjetet karizmatike, mjetet ekonomike e televizive, për ta kontrolluar koalicionin e tij. Është vërtet shefi. Është edhe pak pronari. Tek e majta, kjo gjë nuk ndodh. Të mbash të majtën të bashkuar, është si të mbash një tufë me mace bashkë. Provoni ta bëni! Është e pamundur. Delet mbahen, por jo macet.
Dritare.net: Flasim pak për atë që ndodhi në media. Ishte shumë interesante ajo që ndodhi në Itali, mbyllja e emisioneve në televizionet publike. S’ishte dëgjuar më parë kjo gjë!
E dashur kolege, me atë buzëqeshje të bukur më thoni se është interesante, se ndodheni në Tiranë dhe jo në Romë, apo Milano. Ju siguroj se për ne nuk ishte aspak zbavitëse. Unë kam një emision me intervista dhe jo emision me debate. Them se ishte gabim i madh. Si gazetar, mendoj se televizioni në demokraci të madhe si ajo italiane, duhet të jetë i lirë. Të pezullosh emisionet politike gjatë gjithë muajit parazgjedhor, sidomos në prani të skandaleve të mëdha, si ai që ndodhi në Itali për shkak të kontratave, është një mesazh negativ. S’është se funksionon. Censura nuk funksionon kurrë. Siç pamë, me mjetet që janë sot, vetë gazetarët e censuruar përdorën internetin dhe kanalet satelitore, dhe si përfundim, u fol më shumë sesa do të ishte folur sikur emisionet të ishin transmetuar rregullisht. Është e gabuar dhe e kotë t’i pezullosh emisionet televizive.
Dritare.net: Kjo gjë i bëri shumë mirë internetit dhe ju jeni prej gazetarëve që ia dini rëndësinë internetit.
Kam prej 11 vjetësh një forum që quhet “Italians”. Mbase është forumi më i rëndësishëm i drejtuar nga një gazetar. Kam një program të rregullt intervistash. Kur të vini në Milano, jeni e ftuar në “Corriere della Sera” që transmetohet drejtpërdrejt në internet. Në çastin kur u mbyllën emisionet politike, gazeta ime bashkë me Enriko Mentanën, që është drejtues emisionesh prej vitesh, hapën një emision të përditshëm intervistash, dhe përdorëm internetin, sepse ato në kanalet televizive ishin mbyllur. Nuk është gjë e bukur. Italia është një vend i madh dhe duhet të japë mësime demokracie në Mesdhe. Kjo gjë nuk ishte aspak e bukur!
Dritare.net: Kur binte komunizmi, ju shkuat në disa vende të lindjes. Çfarë është duke rënë tani, ndërsa keni rifilluar turin?
Edhe gjatë komunizmit, kam qenë në vende të ndryshme. Në vitet ‘80 kam qenë në disa vende. Nga vitet ’80 deri në ’91 kam qenë në Moskë, ku jetova për disa muaj. Pastaj në Pragë, Bukuresht, Varshavë! Nuk mund të bëhen krahasime. Them se as që merret me mend kthimi në Evropë i një diktature të tipit komunist, apo të çfarëdo lloji tjetër. Por besoj se pushteti, në pothuajse të gjitha vendet, që nga Rusia e Putinit e deri tek demokracitë e mëdha, dhe tek kjo zonë e botë, në Ballkan, them se pushteti është bërë dinak. Ka kuptuar se ç’duhet bërë. Rëndësi ka të flasësh për diçka tjetër. Të heqësh vëmendjen. Njerëzit sa më mirë të jenë, aq më shumë mjete kanë, zbavitje, mundësinë për të bërë pushime, apo një celular të bukur. Kënaqet të jetë i shpërqendruar. Pushteti i ri, jo vetëm ai i djathtë, i majtë, apo i qendrës, ka kuptuar që për të mos u shqetësuar s’është nevoja të bëjë gjëra të mëdha, mjafton t’i shpërqendrojnë. Ka shumë armë shpërqendrimi në masë. Funksionojnë shumë mirë. Sajë tyre pakësohet numri i votave në zgjedhje, votojnë shumë pak njerëz, dhe kështu pushteti punon pa u shqetësuar.
Dritare.net: Kjo botë ka më shumë nevojë për udhëheqës që të bëjnë të entuziazmohesh para zgjedhjeve, apo kur qeverisin?
Udhëheqësi ideal është ai që në fillim të bën të ëndërrosh, dhe pastaj i mban premtimet e këtyre ëndrrave. Po të kisha mundësi të zgjidhja, do të merrja një udhëheqës që të bën të ëndërrosh më pak dhe i mban premtimet më shumë. Problemi është se ai që s’të bën të ëndërrosh, nuk i fiton zgjedhjet. Demokracia emotive po vendos. E njoh pak Shqipërinë, por po të thosha që demokracia shqiptare i ngjan asaj angleze, e cila vazhdon prej shekujsh, do të ishte marrëzi. Por demokracitë e kanë të gjitha këtë karakteristikë, emotivitetin. Kur votojnë, njerëzit e bëjnë sepse mahniten nga një udhëheqës, nga një ide, nga një lëvizje. Si në Amerikë, por ndodh dhe gjithandej. Mbase përjashtim bën Gjermania, të cilët janë racionalë në mënyrë të natyrshme. Por edhe Merkeli diti në një farë mënyre ta bëjë këtë. I pëlqeu zgjedhësve, përndryshe s’do të kishte fituar prapë. Besoj se duhet të kemi kujdes nga demokracia emotive e Evropës. Duhet të shkojmë e t’i themi atij që na bëri të ëndërrojmë: Ne u zgjuam. Nuk mund të na mahnitni më. Na thoni, ç’do të ndodhë tani?
Dritare.net: Në fakt, një gjë është të të mahnitin e një tjetër gjë të të mashtrojnë.
Unë them se pjekuria e një vendi shihet edhe këtu. Unë votoj, e kontrolloj atë që ndodh me votën time, dhe kontrolloj personat që kam zgjedhur. Kontrolli pas zgjedhjeve është ai thelbësori. Ekziston një fjalë në anglisht, “accountability” që do të thotë të kenë kujt t’i japin llogari. Në shumë vende, pasi zgjidhen, si krerët e qeverive, ministrat apo parlamentarët, nuk janë më “accountable”, që s’kanë pse t’i japin më llogari njeriu. Dhe kjo ndodh sepse asnjë nuk i kërkon llogari. Njerëzit janë të shpërqendruar nga gjëra të tjera. Mbase janë keqinformuar edhe nga televizioni, por në përgjithësi, janë të shpërqendruar. Unë besoj që po të mos bëjmë kujdes me Evropën, që nga Athina e deri në Stokholm, nga Dublini e deri në Lisbonë, në Evropë do të varin atë tabelën që varet në dyert e hoteleve, kur dikush do të flejë dhe vendos një tabelë tek doreza që shkruan “Mos shqetësoni”. Frika ime është se mos ndodh kjo, se mos njerëzit thonë, “mos na shqetësoni, votuam, i bëmë zgjedhjet, tani duam të heqim mendjen, të shohim programe argëtuese në televizor, të dalim me një makinë të bukur, një telefon, një të dashur, në plazh, në udhëtime. Mos na shqetësoni”. Ata janë shumë të kënaqur të mos shqetësohen dhe shohin punët e tyre. Kjo ndodh gjithandej.
Dritare.net: Ne do të jemi në transmetim të hënën, por s’di nëse do të kemi marrë ndonjë rezultat të hënën në darkë.
Të hënën në darkë, po.
Dritare.net: Çfarë rezultatesh mendoni se do të marrim?
Unë mund të bëj parashikime për rezultatet e Interit, ekipin që dua. Për këtë jam më i përgatitur. Për parashikimet e zgjedhjeve është vështirë. E përsëris, mbase Lega Nord do të dalë mirë, jo aq mirë partia në pushtet, dhe e majta s’ka për të dalë keq, dhe jo për meritë, por prej gabimeve të qeverisë./dritare.net