Hapjen e mbledhjes e drejtoi profesor Qameti.
Të dashur shokë.
Siç edhe e keni lexuar e dëgjuar, në Panama, një bukëshkalë ka kafshuar dorën që e ushqente dhe ka publikuar letrat e firmës ku punonte duke nakatosur botën.
Ne jemi mbledhur këtu të diskutojmë për situartën në vend dhe parti.
Si parti e fukarait që jemi, të gjithë e dimë që nuk ka pse të shqetësohemi. Këtë e di edhe populli që na besoi pushtetitn. Eshtë në traditën tonë që t’a urrejmë leftanë, më falni, paranë doja të thoja. Por edhe nëse nuk mund ti shmangemi sistemit dhe na duhet të bëjmë ndonjë para të bardhë për ditë të zezë, ne nuk ja besojmë bankave, këtyre armiqve të punëtorisë dhe fukarasë. Eshtë në traditën tonë që ta mbajmë leftanë në dyshek, dhe mirë bëjmë. Ja si erdhën punët. Nëse ka ndonjë shok që nuk vuri mend nga ngjarjet e Qipros, mirë t’i bëhet.
Jam i sigurtë se nga kjo furtunë nuk do të preket kryetari ynë, se dihet që ai 3 mijë euro ka, dhe ato i mban edhe në xhep.
Gjithashtu shokët ministra na kanë dhënë fjalën se nuk do të kemi probleme, por edhe në ndodhtë që ngatërrohet emri i ndonjërit, duhet të tregohemi gjakftohtë dhe vetëm pasi të kenë kaluar gjithë shkallët e gjyqësorit përfshirë Gjykatën e Strasburgut, partia do të marrë masa ndaj tyre. Gjithmonë nëse e gjykon që leftaja që kanë, ka ardhur nga korrupsioni.
Eshtë fat i madhe për ne që kemi në gjirin tonë një shok si Nastas Kangjeli që na ka mësuar si të sillemi në kushtet e ilegalitetit.
Të nderuar shokë.
Detyra jonë është të vazhdojmë në këtë rrugë që kemi. Koncesionet treguan se janë formë efektive e shpërndarjes të parasë. Gjithashtu me tenderat e mbyllur duhet të vazhdojmë, pasi kështu as kuriozët nuk fusin hundët aty ku nuk duhet, as shokët ministra nuk lodhen të gjejnë shumë oferta dhe për më shumë garantojnë ndershmërinë e procesit, pasi njohin biznesmenët që marrin pjesë.
Mos na kapin Koqon - ndërhyri njeri nga pjesëmarrësit.
Mos kini frikë - tha profesori - ai paratë që fiton nuk i çon në banka. Ose i mban në tavan, ose ortaku që ka, ja merr të gjitha, se nuk shpjegohet ndryshe që nuk paguan as punëtorët as gazetarët.
Po ata të koalicionit, a kanë dhënë garanci se nuk kanë ndonjë emër nëpër lista - ndërhyri një tjetër.
Atyre nuk ja u kam frikën - e siguroi profesori. Tani, para se ta mbyllim - vazhdoi - kontrolloni edhe një herë gratë, nënat, tezet, kushërinjtë, se mos ju merr koka erë. E dini vetë ju përse e kam llafin.
Nesër do të diskutojmë për situatën pas kongresit, që e kishim për sot, por kuptohet pse e shtymë. Tani, o burra në terren të ndjekim zbatimin e detyrave që vuri sot shefi për të luftuar informalitetin./dritare.net