Sapo ka nisur kalvari i vuajtjeve për ty Xhisielë!

Nga Av. Denisa Daka
Të gjithë i kishin sytë te ti mbrëmë, të ndoqa dhe unë me kujdes, nëna e motra jote gjithashtu.

Ti ishe kryefjala dhe kryelajmi për të gjithë.

Në fytyrë të ravijëzohej qartë vuajtja, frika e pasiguria e justifikueshme krejt në këto pozita, ndërsa ishe zbehur krejt si ata njerëz që pa dëshirë largohen nga kjo botë, duke dashur me çdo kusht të thonë fjalën e fundit para se të ikin; në sytë e t’u lexohej gjithçka Xhisielë

Dëshmisë tënde i parapriu siç i ka hije të fortëve në këtë vend, apo njerëzve me aksione në politikë këtu, deklarata e babait të mikut tënd “që ndaj teje nuk ish ushtruar dhunë kurrsesi”, duke të diktuar publikisht ty prerazi krejt, qëndrimin që duhet të mbaje në daljen tënde për të thënë “të vërtetën”.

Pse jo në fakt??

Është pikë e presje njësoj me mesazhin që secili prej të fortëve këtu ka dashur t’i japë shkurt e qartë në raste te ngjashme, presë së tij.

Veç ti e di, si ia dole të mbijetosh ato minuta në atë studio të ftohtë, ndoshta nga më të gjatat e jetës tënde, ku pyetjet të drejtoheshin me të njëjtin rend si në Prokurori, para një skene të re teatri, pas së cilës prisje me ankth “verdiktin e jurisë” , duke pranuar nga zori e halli të të masakrojnë sërish.

Ish kaq e dhimbshme të të shihje në ato kushte..

Të vranë disa herë, të përdorën politikisht dhe për audiencë njëkohësisht, ndërsa ti vazhdon e përpiqesh të mbijetosh me të gjitha forcat që të kanë mbetur, një Zot e di sesi..

E kam parë live këtë skenë te dhjetëra bashkëmoshataret e tua e më gjerë, në dhoma të errëta komisariatesh, ku pas atyre dyerve të ftohta, të fortët me shumicë këtu, skërmitin dhëmbët duke fshehur poshtë këmishëve firmato, pistoletat e ftohta, që do t’u zgjidhnin hallin secilit, në rast të kundërt.

LEXO DHE :  Leku thyen rekord ndaj euros, forcim më të lartë se në çdo vend tjetër

E në këtë vend ku ti e ne bashkë, s’jemi halli e problemi i kurrkujt s’kish si të bëje ndryshe e dashur Xhisielë, ndërsa jeta e motrës dhe nënës tënde varej në fije të perit e jashtë kangjellave atyre studiove të ftohta, ndieje gjatë gjithë kohës erën e rëndë e të fortë të plumbit e barutit.

Historia përsëritet për fatin tonë të keq, dikur përmes torturave njerëz elitarë nënshkruanin “fajësinë” në ato dhoma të errëta inkuizicioni, ndërsa ty në ndryshim me këta të fundit t’u desh të nënshkruaje “lirinë” e shtrënguar njësoj krejt, pa asnjë dallim në thelb.

Kështu ka ndodhur gjithmonë, viktimat janë kërcënuar në çdo rast me jetën ndërsa vrasësit a gjakësit e tyre kanë vijuar serialin me të tjera viktima.

Në qytetin e vogël nga vjen ti ligjin e bën i forti, ti e di mire Xhisielë e verdiktin e thonë ata në çdo rast.

E padashur e pakuptuar ndërruat rolet në këtë skenë, me dëshirën e vullnetin tënd miku yt u bë tashmë heroi i ditës, ndërsa ti fajtorja dhe subjekti që duhet sëpaku të përgjigjesh para ligjit për dëshmi të rreme.

E cilado qoftë arsyeja që të detyroi të jesh pjesë e gjithkësaj, një gjë është e sigurt Xhisielë, që ti po shndërrohesh nga viktimë në të akuzuar minimalisht.

Dëshmia e rreme para oficerit të policisë gjyqësore, fshehja e fakteve apo provave përgjatë dëshmisë e më tej, përbën vepër penale e dënohet me gjobë a burgim Xhisielë.

E paskësaj ka gjasa reale që përveçse dëshmia jote të konsiderohet nul e të jetë çelës i lirisë së mikut tënd, pasi të lërë qelinë sërish ky mik apo familja e tij, të të kërkojnë t’u shpërblesh dhe dëmin që i ke shkaktuar “për prishje imazhi”, ndërsa ti të mbetesh përjetë robinë e tyre

Sapo ka nisur kalvari i vuajtjeve për ty Xhisielë!/ dritare.net

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.