Sandri i luleve, një djalë nga Vlora që zbukuron Tiranën

Nga Dritare.net

Aleksandër Asimi, ose siç njihet nga të gjithë luledashësit, Sandri i Belfiore, nuk shet lule, ai bën art me to.

Në vitin 2007 ka hapur dyqanin, por është rritur me dashurinë për lulet dhe të bukurën. Vite më parë u largua nga Vlora, për në Greqi në kërkim të mundësive  për të jetuar ndryshe. Por, gjithmonë i sigurt se do  të kthehej në vendlindje, për të bërë diçka të bukur. Vendim të cilin e beri realitet në vitin 2002.

“Erdha në Shqipëri me mendimin të realizoja një gjë ndryshe dhe me ngjyra, e ku ka më mirë se sa lulet për këtë gjë. Por, kur erdha këtu, kuptova që në atë kohë ende nuk ishte kultura e të bërit biznes. Isha i vendosur për të krijuar diçka të bukur dhe duke qenë se lulet i doja shumë, me këmbëngulje, në 2007 hapa dyqanin e Belfiores.- tregon Sandri për Dritare.net

Fillimi ka pasur vështirësitë e veta. Në atë kohë, biznese të tilla kishte pak, ndaj në njëfarë mënyre kam sjellë risi. Me risi nënkuptoj mënyrën e bërjes së luleve, tufën e rrumbullakët, buqetat e ndryshme. Ka nisur me klientët të cilët i kam edhe sot e kësaj dite. Madje e para kliente që ka hyrë në dyqan, i bëra dasmën para dy vitesh. Ndërkohë sot, nuk mungojnë as shumë persona publikë, të cilët zgjedhin të marrin lule te Belfiore.

Nisa me ato lule që importoheshin në atë kohë, si krizantema, karafili, liliumi, po përsëri baza ishte trëndafili. Pas dy-tre vjetësh, fillova t’i merrja vetë lulet, e t’i zgjidhja sipas klientelës që kisha, shkoja në Greqi të merrja cilësinë, sasinë dhe çmimin e duhur,” tregon Sandri për Dritare.net

Sipas Sandrit, është fatkeqësi që në Shqipëri nuk prodhohen lule dhe ata janë të detyruar ta importojnë, kosto e të cilës ndikon edhe në çmimin që e merr konsumatori.

“Në Shqipëri askush nuk prodhon lule, edhe pse vendi ynë ka terren të favorshëm për të bërë këtë gjë. Holanda është vendi kryesor ku ne blejmë lulet, të cilat importohen nëpërmjet Italisë, Greqisë. Duke qenë se tani shumë pak lule kanë stinë, ne i kemi të gjitha llojet e luleve, në çdo kohë.

Sa i takon çmimeve, ato janë të paksa të shtrenjta, duke i krahasuar me rrogat që kemi këtu. Pasi ne i blejmë njësoj si italiani apo greku. Përveç kësaj lulja i nënshtrohet edhe doganës, që sipas meje duhet hequr, ose të ulet TVSH-ja.

Ndaj edhe lulja vjen në Shqipëri pak e shtrenjtë, rrjedhimisht kosto me të cilën shitet shpesh cilësohet si e lartë. Edhe pse ne te Belfiore mundohemi të jemi sa më të butë me konsumatorin, ai varion nga lulet,” thotë për Dritare.net

Të merresh me lulet nuk është një proces i thjeshtë, aq më pak t’i kompozosh në mënyrë të veçantë. Por, Sandrit i vjen natyrshëm krijimi i një buqete apo një shporte, të cilën siç ai thotë për Dritare.net, e bën me shumë dashuri. Kjo gjë ka tërhequr klientët, që nga njerëzit e thjeshtë, deri tek personazhet publikë, si edhe agjencitë e eventeve. Ndaj edhe shumica e dasmave të vipave marrin lulet te ai.

“Punojmë me të gjitha agjencitë, sa herë që ato kanë nevojë vijnë, pasi edhe ne i kemi pothuajse të gjitha lulet në çdo moment. Por, më tepër bashkëpunojmë me Geraldina Sposa. Më shumë kërkesat janë për dasmat, konferenca të ndryshme, përkujtimore etj.

Procesi jonë nuk është vetëm dhënia e një lule dhe kaq. Vjen një vajzë e cila është e dashuruar dhe me një tufë me lule tregon dashurinë, më tej ata fejohen, martohen e bëhen më fëmijë, vijnë prapë për të marr lule. Dhe ne jemi pranë tyre gjatë secilit hap. Pikërisht këtu qëndron edhe suksesi ynë, komunikimi i thellë me klientët.

Ne nuk shesim lule, ne bëjmë art. Kur ia jep klientit, duhet të duket edhe sikur po ia dhuron, pasi në këtë biznes nuk janë vetëm lekët. Vlerësimi më i madh është kur klienti thotë ‘të lumshin duart’.”

Sandri thotë për Dritare.net se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të lidhur me lulet dhe sipas tij, shumë shpejt do të rikthehen ballkonet e admirueshme të viteve më parë, ku zor se mungonin vazot shumëngjyrëshe.

“Shqiptarët gjithmonë i kanë dashur lulet, problemi ka qenë se nuk kanë pasur mundësi t’i blejnë, për shkak të anës ekonomike dhe ofertës së dyqaneve. Më parë, pothuajse çdo ballkon kishte vazo me lule, pasi në atë kohë nuk kishte lule të prera. Sot kanë ndryshuar gjërat, njerëzit rrinë më pak në shtëpi , nuk e shijojnë kaq shumë ballkonin. Por, së fundmi ka një tendencë për të vendosur përsëri bimë të mbjella në ballkone.

Tirana dhe Shqipëria është ende në fazë ndërtimi, ende nuk ka përfunduar rregullimi. Por, duhet të mbillet rrënja sot, që të kemi një pyll nesër.

Pemët që i shkojnë Tiranës, nuk janë palmat, ato mund të zëvendësohen shumë mirë me rrapin. Palmat mund të ofrojnë vetëm hijeshi, por nëse mbillen pemë si rrapi, përfiton si hije, ashtu edhe hijeshi. Në këtë mënyre i jep oksigjen qytetit,”- e mbyll tregimin për lulet Sandri që e do Tiranën. Edhe pse nuk është vendlindja, është shtëpia e dytë, është shtëpia e luleve të tij./Dritare.net



Komentoni