Salianji: Lajmi është që PS dhe LSI po hanë kokat e njëri-tjetrit
Dritare.net
Basha la jashtë listë disa nga emrat më të rëndësishëm të PD, në degën e Korçës, duke sjellë emra të rinj, si Valentina Duka dhe Klevis Balliu. Po a ka hatërmbetje dhe si po sillen të përjashtuarit? Salianji thotë për dritare.net se inati do të kalojë dhe të gjithë do të bashkohen me familjen e madhe të PD.
Dritare.net- Vini në Korçë për të zëvendësuar deputetë të njohur të zonës. Çfarë ju lidh me jetën politike të këtij qyteti?
Unë kam lindur në Korçë dhe kam një aktivitet të ngjeshur në këtë qytet. Që në fëmijëri kam marrë pjesë në aktivitete partiake, më pas si anëtar i forumit rinor dhe më vonë në komisionet e PD. Në vitin 2011 kam qenë drejtues i shtabit të fushatës së kandidatit të atëhershëm për bashkinë e Korçës, Andrea Mano. Në 2009 kam qenë kryetar i grupit të punës për të gjithë qarkun, për rindërtimin e FRPD. Po kështu edhe babai im ka qenë pjesë e rëndësishme e strukturës së PD në Korçë, si anëtar kryesie. Aktiviteti im politik ka nisur nga ky qytet, prandaj më vjen shumë mirë që edhe kulminacioni im politik ndodh po në këtë qytet.
Dritare.net- Korça është një qytet që po e njeh transformimin. Pse duhet t’ua japin juve votën dhe çfarë do të sillni ju ndryshe e më mirë?
Korça nuk është vetëm pedonalja dhe kulla. Nuk jam për ndërtimin e një kulle që nuk është as estetike dhe as funksionale. Nuk vlen dhe po ta shikoni në kullë ka pothuajse 0 vizitorë. Është një tallje me qytetarët, një kullë e hollë me blloqe betoni. Këto investime duhet të hidheshin në infrastrukturë, në ndihmesën e qytetarëve në zonat periferike dhe të varfra. Siç ka ndodhur në lagjet tradicionale, ish lagjet 1,2 dhe 3 në të cilat është investuar në kohën e PD, kur kryebashkiak ka qenë Peleshi, por fondet janë dhënë nga PD. Po ashtu edhe këto që thonë investime të mëdha janë bërë nga PD. PS ka bërë vetëm Pazarin, i cili është pa shitës. Shërben vetëm për të bërë selfie Niko Peleshi dhe shpura e vet. Po kështu edhe për ndryshimin e bibliotekës dua të them se nuk ka nevojë qyteti që zyrat e administratës të bëhen te ish biblioteka. Është shkatërruar një pjesë e rëndësishme e arkitekturës së qytetit, duke e bërë bibliotekën para Prefekturës, që është godinë e vjetër dhe e veçantë nga pikëpamja estetike dhe arkitekturore.
Ne jemi përqendruar në pikat ku preket qytetari dhe ku ndihmohet ai. Si fillim taksa e sheshtë dhe pastaj vendosja e një takse 300 mijë lekë për bizneset e vogla pa tatim- fitim. Pensionet do të jenë 250 mijë lekë. Do t’i japim përparësi edhe infrastrukturës në përgjithësi dhe do të përqendrohemi te nxjerrja e qytetit nga varfëria dhe hapja e vendeve të punës. Subvencionimi i fabrikave pasi Korça ka shumë mundësi për të ndërtuar të paktën industri të përpunimit të produkteve bujqësore, që mund të punësojnë njerëz në qytet dhe të krijojnë treg për fermerët. Do të shkatërrojmë monopolet që janë për plehrat kimikë dhe farat që rrisin koston dhe nuk e bëjnë të mundur konkurrencën. Do të vendosim tarifa doganore.
Dritare.net- Gjatë takimit që keni pasur me banorët, çfarë problemesh keni evidentuar?
Problemet janë papunësia, rritja e çmimit të ilaçeve, energjisë, strehimi, ndihma e vogël ekonomik. Paradoksalisht, qeveria socialiste, të vetmet vende që ka hapur, janë investimet e sjella nga PD, TAP dhe Devolli Hidropoëer ndërtimi i hidrocentralit të Devollit, i cili ka hapur mijëra vende punë. Asnjë vend tjetër pune nuk ka për qytetarët. Trishtim i madh është kur sheh që mundi i qytetarëve hidhet në lumë apo i groposin pasi tregu është pothuajse 0. Vuhet për infrastrukturë në bujqësi dhe infrastrukturë rrugore. Po ashtu edhe lagjet janë lënë në harresë.
Dritare.net- Në rrjetet sociale keni shpërndarë një foto me ish deputetët e zonës. Kjo do të thotë se po bashkëpunoni dhe a mendoni se Basha duhet t’i kishte lënë jashtë listës?
Ish deputetët e PD janë përfshirë në shtabet e qytetit apo ish njësive administrative. Në qarkun e Korçës nuk ka probleme të ndarjes apo të hatërmbejtjes. Ne kemi marrë një stafetë të sjellë deri diku nga deputetë të PD. Sipas meje PD ka qeverisur shumë herë më mirë se PS. Ne i kemi pranuar gabimet tona dhe qytetarëve u është dhënë një ekip i ri.
Dritare.net- Keni qenë aktiv dhe kritikues i çështjeve të ndryshme të qeverisë Rama. Mendoni se kjo ka qenë arsyeja që Basha iu futi në listën e PD?
Lista është bërë nga Basha dhe ka prurje të reja dhe njerëz me kontribute politike. Janë njerëz që kryesisht kanë qenë aktiv dhe kanë dhënë kontribute në opozitën e PD.
Nuk besoj se ka mbetur njeri jashtë për shkak se ka qenë kritik, por unë besoj se të gjithë demokratët kanë kontribuar që kanë ndihmuar për njerëzit që do të zgjidhen deputetë. Pasi t’u kalojë emocioni i momentit që mund të ketë secili, besoj se do të bashkëngjiten si të gjithë ish deputetët dhe të gjithë njerëzit, pasi PD është familje e madhe.
Nëse nuk do të kishte kritika dhe mendim ndryshe, ç’kuptim do të kishte të jesh në këtë parti. Kjo i shërben dhe e bën më atraktive në sytë e publikut. Gjithsecili mund të ketë ose jo pëlqime, por në këtë listë gjithsecili është i përfaqësuar, të rinjtë ish të përndjekurit, bizneset.
Dritare.net- Kryetari i FRPD nuk është futur në listë.
Është zgjedhje e kreut të PD. Ka të rinj të tjerë si në moshë edhe në politikë. Unë vetë jam një i ri në moshë, por si kontribut kam dhënë gjatë këtyre 4 vjetëve të PD, pa marrë gjë në shpërblim
Dritare.net- Por, po e merrni tani.
Kandidimi është një përgjegjësi, nuk është një privilegj. Secili punon për të arritur në një stad të caktuar. Tani jemi në fazën e përgjegjësisë. Unë kam një përgjegjësi të madhe për të marrë maksimumin për të gjithë njerëzit e PD dhe gjithë qytetarët për të bërë të mundur që zona të zhvillohet sa më shumë.
Dritare.net- Flasim pak për 4 vjetët e qeverisjes Rama. Cilat kanë qenë reformat më të dështuara dhe ministrat më të dështuar?
Ministrat më të dështuar kanë qenë 10 ministrat që i rrëzoi protesta e opozitës. 4 ministrat e parë, kanë qenë ministrat që as Rama nuk i mbajti dot me nisjen e protestës. Ministri i Brendshëm që kanabizoi Shqipërinë, ministri Shëndetësisë që e shkatërroi atë me miliona euro koncesione abuzive. Po ashtu edhe ministria e Arsimit, që ka bërë një reformë tërësisht të dështuar për Arsimin e Lartë dhe ka ndryshuar rregullat e lojës në mes, duke lënë mijëra studentë jashtë. Edhe ministria e Transportit nuk ka mbyllur rrugë të lëna gati nga PD dhe jo më të ketë hapur rrugë të reja. Qeveria e Ramës ka dështuar me sukses të plotë në të gjitha piketat kryesore. Nuk mund të quhet reformë nëse lyen buzët me të kuq apo nëse del me çitjane.
Dritare.net- Ministrat teknikë kanë marrë një valë shkarkimesh. Pse?
Unë po bëj një listë të plotë me të gjithë njerëzit e administratës publike dhe njerëz të lidhur me krimin që bëjnë presion, për të devijuar vullnetin e votuesve, apo për të indimiduar votuesit. Ka një presion të rritur që në po i shkarkojmë dhe po i denoncojmë, por vala e njerëzve që merren me këtë punë në mënyrë të drejtpërdrejt duke kërcënuar votuesit, është tej mase e dëmshme për zgjedhjet e lira. Nëse shprehet vullneti i lirë, PD do të fitojë mbi 60 % të votave. Unë po shkoj derë më derë në shtëpi duke takuar edhe qytetarë që votojnë PS dhe ata që votojnë PD, për t’i dëgjuar dhe për të ndërtuar një alternativë. Shoh që të gjitha janë të pakënaqur. PS nuk mund të fitojë me batuta dhe pa program. Ne kemi program dhe ekip të ri, energji të reja, agresivë në kuptimin pozitiv për të bërë gjëra të reja. 10 ministra i rrëzuam me çadër, imagjinoni se çdo të bëjmë me votë.
Dritare.net- Këto kohë Basha po sulmon fort LSI, madje po e sulmon më shumë se Ramën. Pse kjo armiqësi?
Për 4 vjet ne kemi qenë në sulm të plotë kundër LSI. Kemi organizuar protesta kundër kryetarit të parlamentit. Ka pasur vetëm një përafrim mendimesh në fillimin ngritjes së çadrës apo të fillimit të lëvizjes qytetare dhe pastaj kemi qenë po njësoj të ashpër, sepse ata janë një pjesë e rëndësishme e qeverisjes. Kanë pasur një pjesë të rëndësishme të pushtetit ministror. Lajmi nuk është që po i sulmon PD, por që po hanë kokën e njëri-tjetrit, për pushtet.
Dritare.net- Lajmi është që ju nuk mund t’i merrni 71 mandate dhe mund t’iu duhet sërish LSI.
Ne do të luftojmë dhe jam i bindur që do të fitojmë me 71 mandate./dritare.net