Sadija dhe Dritëroi , që njoha unë!

Nga Rudina Xhunga

Unë e kam njohur Dritëro Agollin, kur jepja provim letërsinë në klasë të 8-të. “Nënë Shqipëri” ishte poema e tij që e kujtoj edhe tani, se e kam shkruar duke qarë,  gjithë hartimin e fundit që më ndau jo vetëm me klasën e tetë, por edhe me hartimet që m’i bënte mami. Ai qe i pari që bëra vetë. I pari i shumë shkrimeve që më bënë të dua shkrimin. Dhe e gjitha nisi me Dritëroin.
Kur unë bëja letërsi, më pas, të gjithë e përmendnin dhe lëvdonin Dritëroin për shokun Zylo. Unë preferoja “Trëndafili në gotë”. E mbaj mend dhe tani, kopertinën jeshile, në raftin e dytë të dollapit ngjyrë kafe, ku e merrja dhe e ktheja, pasi lexoja. Për ta marrë sërish fshehurazi.

Je e vogël, lexo poezitë e Dritëroit, më vonë këtë, më thoshin në shtëpi.

Po unë nuk kisha radhë, në lexim. Atë doja, atë lexoja. I lexoja në mënyrën time. Dhe i kam ende në kujtesë me atë shije të leximit të parë.
Dritëro Agolli për mua, fëmijë, nuk ishte Kryetari i Lidhjes, atij vendit që të përcaktonte fatin, bëheshe apo jo poete.

Dritëroi ishte “Trëndafili në gotë”.
Kur e takova për herë të parë për intervistë, ia tregova.
Gjithë çfarë doja dhe dua më shumë prej Agollit qe qenia shkrimtar dhe libër, njësojtë. Ti e lexoje dhe e takoje dhe merrje po atë kënaqësi.

Kur zbrisja shkallët e pallatit më të famshëm të Tiranës, ku një kat i ndante Kadaretë nga Agolli, gjithmonë e pyesja veten, ku isha më rehat. Pavarësisht adhurimit per Kadarene dhe dashurisë që kisha e kam për Helenen, te Dritëroi dhe Sadija ndiheshe rehat.

Me ta ishe në një dhomë ku pihej cigare rehat, me orar, po rehat. Ku dëgjoje histori, ku Dritëroi të recitonte poezi, ku Sadija të tregonte pikturat e mbesës, pastaj nuk përtonte e çohej sillte pije dhe unë aty e kam ngrirë takimin me ata të dy. Nuk di si jetohet në atë shtëpi pa ata të dy. Është pothuaj e pamundur. Sepse ata qenë bashkë, poezia dhe proza e Agollit.
Nuk kam takuar kurrë pas tyre, veç Amos Oz dhe gruas, Nilit, një çift aq çift. Madje as Amos e Nili kishin melodi, po jo dot edhe ritmin e lëvizjeve, mimikave dhe frymëmarrjeve të përbashkëta të Dritëroit dhe Sadijes.
Ndoshta ngaqë i kam takuar gjithmonë bashkë dhe i kam dashur njësoj.
Herën e fundit në Pogradec, ai pranoi të recitojë vargje të Lasgushit në kamera. Pastaj më tha që do më jepte intervistën e fundit. Por Dritëroi nuk pati fund. Ai shkroi, tregoi, foli pafund.
Kur ngjisja shkallët e shtëpisë së tij, mbase në mënyrë të pavetëdijshme dhe fëmijërore kisha zgjedhur Sadijen dhe Dritëroin që më bënin të ndihesha rehat.
Sepse ai dhe ata kështu i bënin të ndiheshin të gjithë. Ashtu siç qenë, të dashur dhe të vërtetë.
Ndaj duket sikur Dritëroi nuk ka ikur kurrë. Se nuk e lëmë dot të ikë. Ku gjen më dot, njerëz si ai? Dritëro Agolli, unë pata fatin të të lexoja, të të takoja, të të doja. Faleminderit!

LEXO DHE :  Ja 10 qytetet më të shtrenjta dhe 10 më të lirat në botë!

P.s Ishte Sadija që ma kerkoi këtë shkrim për Dritëroin. Pas ikjes së tij, ajo po kujdesej të kërkonte nga njerëz qe i donte, kujtime për bashkëshortin.

Do të bente një libër. Qe puna e fundit, për njeriun që deshi dhe iu perkushtua. E bëri librin dhe iku. I duhej Dritëroit, andej, prapë. U prehshi ne dashuri Sadije e Dritëro Agolli! / dritare.net

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.