Sa shumë e shijova janarin në Prishtinë

Nga Fjorda Llukmani

Natën e Vitit të Ri e kalova në Tiranë, ama ditën e parë të vitit në Prishtinë. Shumë fjalë të ndryshme dëgjoja për Prishtinën, e mezi po prisja ta vizitoja nga afër. Turp është të them që gjendesha aty për herë të parë në jetë.

Rruga e Kombit është akoma drejt përfundimit. Ndaluam në Kukës te lokali i famshëm i Luginës së Drinit.

Pimë një kafe aty siç bëjnë të gjithë ata që nisen për në Kosovë. Te dogana shyqyr nuk pati kontroll të dyfishtë. Me paktin e ri, Shqipëria dhe Kosova kanë vetëm një pikë kontrolli. Unë do të doja shumë të mos kishte fare, por gjithsesi nuk na mori kohë.

Nga dogana, në Prishtinë arrin për 1 orë e gjysmë maksimumi. Sapo hyjmë në kryeqytet, viheshin re ndërtesa të reja e pallate që s’kanë lidhje me sistemin urbanistik të Tiranës.

Më pëlqeu që rrugët janë të gjera dhe pallatet kanë largësi nga njëri-tjetri.

Shkojmë në apartamentin e një mikut tonë për t’u veshur që të bëheshim gati për jetë nate.

Shtëpia e mikut im ishte me sistem kaldaje dhe nuk të bëhej të dilje jashtë.

Nga dritarja shikoja një park poshtë pallatit dhe vetëm mjegull. Ishte ftohtë, por në Tiranë sikur ndihet më shumë edhe prej lagështirës që ka ajri.

Marrim taksi për të shkuar në një lokal ku prenotuam. Duhet ta dini se, sa lirë janë këtu taksitë, duke filluar nga 1.5 euro. Rrugica ku ndaluam ishte tip alla Blloku, me lokale e bare njëri pas tjetrit.

Shikoja me kuriozitet njerëzit. Mbase më pëlqenin shumë ngaqë nuk janë fytyrat e përhershme që shoh në Tiranë. Gocat e veshura me bark përjashta, çunat të qëndisur e kollarisur. Madje një shoqes sime i foli dikush thjesht për ta ngacmuar pak. Në Tiranë meshkujt janë kompleksaxhinj, mezi të afrohen ose nëse i refuzon fillojnë sillen keq.

Pas birrës e kisha ndarë mendjen të shkoja në “Zone Club”, një nga më të famshmet në Prishtinë.

Data 1 janar, domosdo ishte fuuuulllll. Që te dera ishte e vështirë hyrja. Mezi sistemuam një tavolinë gjoja te zona Vip. Klubi më pëlqeu shumë, shumë!

Atë natë luanin muzikë hip-hop shqip, e m’u kujtuan kohërat e adoleshencës me këngët që dëgjonim. Për më tepër si për atmosfera ka shumë drita. Shikoja me zili disa tavolina prapa DJ, e po doja të isha aty. Tipike Boiler Room për ata që e kuptojnë.

Zonë me kolltukë dhe për private party. Nejse ma prishi pak qejfin që numri i meshkujve ishte i lartë. Mezi dolëm që aty, duke u ngjeshur me robtë.

LEXO DHE :  Festa e Pashkëve/ Papa Françesku shtrihet në dysheme për lutje

 

Dalim nga klubi e u them miqve që doja të shikoja pemën e Vitit të Ri. Ndaloj në bulevardin me drita.

Shkrep dy foto e lëviz me vrap për në krevat.

Të nesërmen zgjohemi herët që të kishim kohë për të parë qytetin. Zonat malore të Kosovës ishin mbuluar me dëborë. Kur hëngrëm mëngjes, filluan pikat e para të borës.

Ne s’jemi mësuar të jetojmë në qytet që bie borë e dolëm jashtë për ta shijuar. Me këtë rast edhe t’i hidhnim një sy qytetit.

Ndalova para New Born për të bërë një foto.

Kur kaloj rrugën te vizat e bardha, autobusi ndaloi para se unë të shkelja vizat. Kjo tregon që po më hapte rrugën për të kaluar. Pastaj ndaluan edhe makinat e tjera. Uaaaauu! Zakonisht s’do me ditë njeri kur kaloj qoftë edhe në vizat e bardha. Në Kosovë i respektojnë shumë rregullat e qarkullimit rrugor. Isha këmbësorja më e lumtur. Dhe askush nuk ta bënte me dorë për të thënë: “Ec me shpejt içik po deshe!” Statuja e Heroinave është e bërë nga 18 mijë hekurishte në formë monedhash me stemën e gruas.

Kjo është bërë për nder të grave që janë abuzuar në kohën e luftës. Më bëri të mendoj sa shumë kanë vuajtur, e sa vite afër kanë ndodhur këto ngjarje. E prapë Kosova e ka marrë veten si popull, nuk viktimizohen. Sidomos për femrat kam respekt maksimal, duke menduar çfarë kanë hequr.

Shëtitëm pak në qendër, ku shoh foton e Ibrahim Rugovës. Isha e vogël kur e shikoja në televizor, i veshur gjithmonë me shall.

Vonë e mora vesh rëndësinë e tij.

Po kërkoja me se s’bën bibliotekën, pasi e kam parë që ka arkitekturë interesante.

E gjetëm e dukej më e madhe se në foto.

Ngjitur me të pamë edhe një kishë ortodokse bosh.

Na zuri i ftohti rrugës e vendosëm të ktheheshim. Takojmë dhe një mik tjetër për të ngrënë drekë. Të gjithë donin të më respektonin e më pritën si me qenë goca e vet. Sa mikpritës, ka lezet! Pas disa dialogëve sigurisht ra muhabeti në politikë. E pyeta pak për Ramushin dhe i tregova simpatinë time ndaj tij. Ai ma kthen: “Ne të Kosovës kemi një dashamirësi të madhe për Ramën. Ai është burrë shteti, jo ky i yni”. Filloi pastaj ta lavdëronte. Nuk u habita pasi këdo që takova në Prishtinë, ma përmendin Edi Ramën si hero.

E mbylla diskutimin me idenë se ishim vonë për të ikur, pasi do të bënim një ndalesë të shkurtër në Prizren. Pas shumë mendimeve në makinë i thashë vetes “E çuditshme, robi do gjithmonë atë që nuk ka”./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.