Rusia dhe Kina i vunë veto rezolutës për armëpushim në Alepo
Dritare.net
“Këto pauza janë përdorur nga luftetarët që të shtojnë municionin e tyre dhe të fuqizojnë pozitat e tyre dhe kjo vetëm sa do e përkeqësonte vuajtjen e civilëve”, ka thënë Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë para votimit se Moska do të fillojë bisedime me Uashingtonin gjatë kësaj jave për tërheqjen e forcave opozitare nga Alepo, pas sukseseve të mëdha në betejë të forcave qeveritare siriane në territoret e kontrolluara më parë nga rebelët.
“Rruga konkrete dhe koha për tërheqjen e të gjithë luftëtarëve nga Alepo lindore do të bëhet me pajtim”, ka thënë Lavrov. “Sapo të arrihet pajtimi për kohën dhe rrugën e tërheqjes, atëherë mund të futet në fuqi armëpushimi”, shtoi ai. Në OKB, Churkin ka thënë se veprimet nga Këshilli i Sigurimit duhet të shtyhen që të lejojnë kohë për këto negociata. Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se marrëveshja për tërheqje nuk është afër. Forcat rebele kanë hedhur poshtë thirrjet që ata të largohen.
“Kjo është një alibi e sajuar”, i ka thënë Këshillit zëvendës ambasadorja e SHBA-së në OKB, Michele Sison. “Ne nuk kemi arritur sukses në këtë, sepse Rusia ka qenë më shumë e përqendruar në ruajtjen e arritjeve të saj ushtarake sesa që të ndihmojë qytetarët e Alepos”, ka thënë ajo dhe ka shtuar, “ne nuk do e lejojmë Rusinë të gënjejë këtë Këshill të Sigurimit në pritje të një kompromisi nga rusët që asnjëherë nuk po arrihet”. Sison ka thënë se vetoja kundër rezolutës për armëpushim është “dënim me vdekje për burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm” në Alepo./REL