Ruben Avxhiu: Ja pse, çdo shqiptar i Amerikës, duhet të votojë!
Dritare.net
Ruben Avxhiu- Nisur nga interesat e shqiptarëve, duke respektuar punën e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Amerikës gjatë 25 viteve të fundit, duke edukuar politikanët e ketushem, lidhur me kauzën shqiptare e cila është edhe kauza e stabilitetit, paqes dhe zhvillimit në Ballkan, është absurde që të votosh një njeri tjetër, përpos Hilarit. Sidomos një kandidat që as nuk ka interesa për zhvillimet në Ballkan dhe nuk i intereson fuqia në rajonet e vogla të botës.
Dritare.net- Si janë të ndarë shqiptarët, mes Trump dhe Klinton?
Ruben Avxhiu- Ka shumë shqiptarë që do të votojnë për Donald Tramp, por unë mendoj se shumica do të votojnë për Hilari Klinton. Ata që do të votojnë për Trump, janë në nivelin 20-25 %, por nuk ka statistika në komunitetin shqiptar. Është shumë e vështirë që të ketë statistika, pasi janë të shumë të shpërndarë gjeografikisht. Ka disa xhepa ku janë të përqendruar, por përgjithësisht janë të ndarë në shtete dhe qytete. Për Donald Tramp votojnë ata shqiptarë që kanë votuar prej dekadash për republikanët. Ndërsa pjesa tjetër që e votojnë atë, nuk janë të lidhur me atë që ndodh në Ballkan, por votojnë duke pasur parasysh vendet ku jetojnë, duke reflektuar bindjet që kanë këto zona.
Shqiptarët që janë të aktivizuar në lobime, që janë në pjesëmarrës në aktivitete, duhet që të kishin zgjedhur kandidaten që ndihmon në çështjen shqiptare. Kam parë shumë shqiptarë që kanë investuar për Hilari Klinton, që e kanë njohur personalisht, që e kanë ndihmuar dhe që do të ishte mirë të korrnin frytet e punë së tyre dhe jo të votojnë për Donald Tramp. Por e kuptoj pse Donald Tramp i tërheq shqiptarët. Ata që e votojnë Tramp, 90% të rasteve janë të lindur në Ballkan, janë pjesë e jetës amerikane, por nga ana tjetër shohin tek Donald Tramp një politikan të cilin e njohin. Kjo për mua është një sinjal alarmi, sepse ai është lloji i politikanit nga vendet ku kemi ikur. Ndryshe nga amerikanët që nuk kanë jetuar periudha politikanësh autoritarë, mënyra sesi ai infekton mediat, politikanët, vartësit, aleatët, është e njohur për shqiptarët prandaj duhet të ishte një sinjal për ne.
Dritare.net - Dëgjoj se shumë shqiptarë thonë se nuk ka rëndësi, pasi vlera e tyre ka vlerën %. Si mendon, është kaq e pavlefshme vota e tyre sa e quajnë ata?
Ruben Avxhiu- Vota mund të ketë shumë rëndësi por jo në zonat ku shqiptarët votojnë me shumicë. Në Nju Jork ku është vota më e fuqishme e shqiptarëve, në fakt ajo nuk ka shumë rëndësi, sepse vota u ka shkuar demokratëve gjithmonë. Por ka shtete të tjera si Ohajo ku por gara mund të jetë e ngushtë dhe të ndahet me pak vota.
Shumë shqiptarë që kanë jetuar këtu në vitin 2000 e mbajnë mend sesi për një grusht votash, në Florida u vendos fati i presidentit të ardhshëm. Në këto shtet vota është shumë e çmuar. Mirëpo edhe në parim, pavarësisht se çfarë ndikimi do të ketë, vota është një akt qytetar është e vetmja gjë që ke gjatë 4 vjetëve, pra që të japësh mendimin tënd. Do të votohet për presidentin, do të votohet për Kongresin, etj me shumë rëndësi për jetën e përditshme të shqiptarëve këtu.
Dritare.net- Ju si një zë i çmuar i shqiptarëve të Amerikës dhe krijoni opinion publik. Mund t’iu drejtoheni shqiptarëve që të votojnë sot?
Ruben Avxhiu- Shqiptarët që jetojnë këtu dhe në përgjithësi njerëzit që vijnë në Amerikë, kanë ardhur nga vende ku u është ndaluar e drejta e votës. Disa kanë jetuar në komunizëm në Shqipëri, disa kanë jetuar në ish Jugosllavi, në vende ku qytetarët diskriminoheshin jashtëzakonisht, nga vende ku qytetarët vazhdojnë të jenë të klasës së dytë. Amerika u jep një shans, dhe është absurde që të mos regjistrohesh, apo të jesh regjistruar dhe të mos shkosh të votosh. Pavarësisht se për kë voton, për Tramp apo Hilari, çdo shqiptar duhet të shkojë të votojë.
Dritare.net- Ka një regjistër votash se sa shqiptarë jetojnë në Amerikë?
Ruben Avxhiu- Jo nuk ka ende. Problemi këtu është shpërndarja gjeografike e cila e bën të vështirë. Por kjo po bëhet gjithmonë dhe më e thjeshtëzuar. Por unë besoj që në të ardhme do të shihet se kanë votuar. Partitë politike i kanë tashmë database se kush ka votuar dhe ku dhe besoj se kjo do të jetë e vjetshme shumë shpejt./dritare.net