Rrëfimi i gjyqtares: Si u mundua të më korruptonte me 500 mijë lekë, biznesmeni Ervin Braho
Dritare.net
41-vjeçari i ka ofruar shumën e parave në këmbim të favoreve në kuadër të një procesi gjyqësor administrativ që ishte duke u gjykuar në këtë gjykatë nga Gjoçaj, në të cilin shoqëria “Fada1 Sh.P.K.” me administrator Brahon ishte palë paditëse (nga Ministria e Energjisë).
Braho ka zgjedhur një mënyrë mjaft origjinale për të korruptuar gjyqtaren duke i shkuar direkt në zyrë. Më 26 janar të këtij viti, rreth orës 14:30, ia ka shkuar në zyrën e saj dhe në një moment kur sekretarja e saj ka dalë jashtë, ka nxjerrë nga xhepi i brendshëm i xhupit një mbështjellje pako me gazetë.
Në këtë moment gjyqtarja i është drejtuar me fjalët: “Jo në asnjë mënyrë’’ , por biznesmeni e ka lënë aty pakon dhe është larguar menjëherë nga zyra. Gjyqtarja i ka kërkuar sekretares së saj, që të thërriste personin që sapo kishte dalë nga zyra e saj, por Braho është larguar nga ambjentet e gjykatës menjëherë.
Në këtë kohë sekretarja, ka njoftuar punonjësin e sigurisë, por ndërkohë biznesmeni kishte shkuar te makina e tij në oborrin e gjykatës. Punonjësi i sigurisë njoftoi Brahon që të kthehej sërish në zyrën e gjyqtares, por ai i është përgjigjur “po, po’’ dhe ndërkohë po largohej me automjetin e tij.
Pas hapjes së pakos në prani të kancelarit Arbër Kushe, punonjësve të IT, Erind Kalaveshi dhe Gentian Aliaj, punonjësit të sigurisë Sabah Mera dhe sekretares Anisa Zoto, është bërë hapja e pakos, ku është konstatuar se në të kishte shumën prej 500.000 lekë (të reja).
Gjatë dëshmive në Prokurori, gjyqtarja ka deklaruar se me të pandehurin Ervin Braho nuk ka patur asnjë kontakt, jashtë seancave gjyqësore/Panorama