Rama tregon ofertën e re: Një propozim të tillë nuk e shihja as në ëndërr kur isha në opozitë
Dritare.net
“Saliu është shahist i vjetër dhe duhet të kuptojë se ajo që ishte në tavolinë para një jave nuk është në tavolinë gjithmonë se ky është shahu. Nëse refuzon ta hash një gur kur duhet ta hash, mos kujto se e ke aty gati për ta ngrënë sa herë të duash ti dhe ti ndërkohë e ke mendjen te mbretëresha, jemi kundërshtarë këtu nuk i tregojmë PD si duhet të lëvizë” tha Rama.
Duke u ndaluar te tryeza e djeshme, Rama ka theksuar se ai i ka bërë propozim realist shumë garantist opozitës. “Një propozim që mbi të gjitha që në ëndrrën time më të bukur kur isha kreu i opozitës nuk guxoja të shikoja të mundshëm për të na garantuar ne, i ofrova garanci monitoruese opozitës brenda qeverisë” tha Rama.
Ai sqaroi më tej se ofroi: Një zv.kryeministër i propozuar nga PD, por jo anëtar i PD, i cili të vihet në krye të një taskforce për të garantuar mospërfshirjen në proces në favor të shumicës të të gjitha pjesëve të trupit të shtetit. Ky zv.kryeministër me një përfaqësues të zgjedhur nga SHBA, BE dhe OSBE do të ketë detyrën e monitorimit të plotë të sjelljes së shtetit në fushatë mbi bazën e një rregulloreje të dakordësuar ku do përcaktohen të gjitha pikat detyruese për qeverinë dhe agjencitë shtetërore që nuk duhen shkelur.
Ndërkohë një zv.ministër i Brendshëm i propozuar nga PD dhe me një përfaqësues nga SHBA, një nga BE dhe një nga OSBE, si dhe 1 zv.drejtor i përgjithshëm i policisë dhe 12 drejtorë në qarqe janë në varësi të këtij zv.ministri.
Të gjitha akuzat që bëhen për përfshirjen e policisë të adresohen në kohë reale. Në momentin që diçka pretendohet se ndodh adresohet drejtëpërdrejtë dhe nëse është e vërtetë merren masa. E njëjta gjë për arsimin. Një zv.ministër i propozuar nga PD, jo anëtar i PD, me monitorët e huaj në krah dhe një përfaqësues të vetin ose të huaj në çdo drejtori rajonale arsimore merren në kohë reale ankesat.
Një zv. Ministër te Drejtësia për të monitoruar burgjet. Kam thënë që PD mund të zgjedhë një ministër politik, cilido qoftë ai, mundësisht të njohë internetin, jo revolverin. Ta vendosim ministër shteti për teknologjinë në zgjedhje, të ketë ekipin dhe buxhetin e tij dhe të përgatisë një projekt qeveritar për numërimin elektronik dhe votimin elektronik dhe jetën elektronike të PDsë. Në qoftë se projekti është i besueshëm dhe i zbatueshëm dhe i certifikuar nga OSBE, jemi gati ta bëjmë gati për zgjedhjet e vitit 2019.