Rama tregon historinë e suksesit të Gjergj Lucës
Dritare.net
Ja rrëfimi i Lucës, sjellë i plotë nga dritare.net:
"Kjo ndërmarrje është një formë e partneritetit publik- privat. Shteti ka vendosur këto ndërtesa që kanë 40 vjet që shkatërrohen në këtë vend, ne kemi vendosur kapitalet, ëndrrat, dijet dhe ndihmën e miqve tanë. E filluam me një fabrikë, një test për të provuar zonën përreth, nëse njerëzit ishin të interesuar për punë. Në një kohë rekord po mbarojmë fabrikën e tretë. E filluam me 100 vetë, sot janë 400-500. Të gjithë këta njerëzit po specializohen në një punë konkrete, nuk rrinë brenda shtëpisë duke u marrë me pulën apo lopën, duke duruar burrin qe i shkon në darkë pas tre dopiove. Tashmë bëjnë jetë sociale, kemi bërë një kopsht, kemi krijuar një vend ku bëjmë festat të gjithë bashkë.
Kemi bërë një hap të madh për të hapur një markatë dhe kemi hapur markatën e Veriut të Europës. Pas një pune shumë të madhe me një ekip anglez, kemi certifikuar fabrikën MSC, që është certifikimi më i lartë i produkteve të detit dhe është e vetmja fabrikë në Ballkan që ka këtë certifikim. Italia duhet të ketë 2-3 nga këto fabrika, që i shesin produktet në Norvegji, Suedi, Danimarkë, ku edhe ne na është dhënë mundësia të shesim këtë markat që ka standardin më të lartë ushqimor në të gjithë Europën. Në fillim na u duk e paarritshme.
Falenderoj gjithë pushtetin lokal që na e bëri të lehtë nisjen e punës sonë këtu. Falenderoj edhe gjithë njerëzit, që janë të bekuar, është një popull i qetë dhe që sheh punën e vet. Unë që vij nga një vend me më shumë temperament, kam marrë një komoditet maksimal për punën time. Krijimi i Partneritetit Publik Privat, është çelësi për të transformuar këtë vend. 25 vjet është marrë shteti dhe administrata për të zhvilluar pyllin, liqenin, detin, kanalet, etj. Por çfarë ka bërë? Vetëm ka shkatërruar. Gjërat po ndryshojnë sepse po u besohet privatëve më të suksesshëm në këtë vend. Shteti po u beson këtyre njerëzve që po bëjnë këto mrekullira në të gjithë Shqipërinë”- përfundon rrëfimi i biznesmenit të njohur Gjergj Luca, djalit të aktorit të dashur të shqiptarëve, Ndrek Luca /dritare.net