Rama takon homologun kinez në Rigë: Synojmë rritje të bashkëpunimit ekonomik
Dritare.net
Nisma 16+1 synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrësve, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Europian. 12 drejtimet ku synohet rritja e bashkëpunimit janë: energjia, infrastruktura, transporti, teknologjia, bujqësia, zonat ekonomike, shëndetësia, mjedisi, arsimi, kultura, financa, qeverisja lokale.
Në takimin e zhvilluar me kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, që shërbejnë si bazë për bashkëpunimin ekonomik e tregtar.
Kryeministri Rama e falenderoi homologun Li Keqiang për inkurajimin që jep qeveria kineze ndaj kompanive shtetërore e private për të investuar në Shqipëri, ku shembujt më të fundit janë kompania China Everbright që ka blerë TIAn që menaxhon aeroportin e Rinasit dhe kompania GeoJade Petrolium Corporation që ka marrë në pronësi Bankers Petrolium.
Kryeministri Li Keqiang falenderoi kryeministrin Rama për bashkëpunimin dhe e siguroi atë se mbështetja e qeverisë kineze ndaj kompanive që investojnë në Shqipëri do të vazhdojë edhe në fusha të tjera, si energjia dhe infrastruktura.
Kina renditet sot si partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë me 7,7% të vëllimit të përgjithshëm tregtar, shkruan Panorama.