Rama: Qasja e BE-së ndaj Kosovës është zhgënjyese
Dritare.net
Menjëherë pas fjalës së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, fjala ishte për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Fjalën e tij, Rama, e nisi duke përmendur letrën e At Shtjefën Gjeoviçit që ia ka dërguar Konicës, ku fliste për një bashkëbisedim, duke i dërguar kështu mesazhe të forta Bashkimit Europian dhe duke thënë se ishte i zhgënjyer prej tyre.
“Sot dua të sjell këtu pasazhet e një letre që shqiptari i madh prej Kosove At Shtjefën Gjeçovi i dërgonte prej Pejës Faik Konicës në 1898. “Zemra e një shqiptari të vërtetë do të lakmonte bashkimin ndër vete…”
Për Shqipërinë Kosova është një shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmin e tij në një regjim kushtetues e liberal, garancia e të cilit është çelësi i stabilizimit rajonal dhe ndërlidhjes rajonale. Për Kosovën Shqipëria është natyralisht shteti më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës.
Sot është dita për ta thënë me forcë se e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë shtete apo shtet në letër të zhveshur. Kjo drejtësi është ajo e të drejtave të njeriut që nuk njeh gjysmë njerëz. Ne i kemi mirëpritur në çdo çast të gjitha dinamikat shumë palëshe apo dy palëshe që çojnë drejt plotësimit të kuadrit gjysmë të plotësuar. Kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së dhe të gjitha atyre shteteve që janë në themel të pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Dhe ja pse themelimi i forcave të armatosura të Kosovës ishte hapi i duhur dhe domethënës në kuptim të plotësimit të kuadrit të një shteti që nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysmë shtet. Ngjarjet si e Interpolit, shfaqje dekurajuese”, deklaroi kryeministri Rama./E.B-dritare.net