Rama për maturantët që protestojnë: Në vend të studiojnë skemën, rrinë në rrugë dhe bërtasin
Dritare.net
“Ky sistem për herë të parë garanton më të mirët. Hera e parë me siguri që nga viti 1990 që më të mirët janë të privilegjuar. Ne nuk e kemi fshehur këtë, që bërja e nxënësve si këmbtë e dhisë përbën një vlerë solidariteti. Barazi për të gjithë por ama më të mirët të privilegjuar, garanci për meritën. Sot akoma jeni në kushtet ku mund të reflektoni mbi bazën e alternativave që keni në dorë dhe deri në fund të bëni një zgjedhje të mirëpeshuar mbi bazën e një arsyetimi që mund ta bëni më mirë se në moshën 15 vjeçare. Ka një lojë kungulleshkash, pse 10, po 5. Pyetja ime është e thjeshtë, jashtë shteti sa alternativa ka? Maturantët mund të zgjedhin edhe 100”, tha Rama.
Teksa shefi i qeverisë fliste, një grup studentësh ishin mbledhur para kryeministrisë për të protestuar. Por mesa duket Rama u bezdis nga fjalët e tyre që bërtisnin me megafon dhe përgjigjen ua dha studentëve ekselentë që kishte përpara: “Ja e morën vesh që ju jeni këtu dhe vijnë bërtasin dhe s’dinë për cfarë bërtasin, çfarë thonë, çfarë kërkojnë, në vend të studiojnë gjithë skemën, rrinë në rrugë dhe bërtasin. Por sikur të ishin vetëm këta do ta zgjidhnim por s’janë vetëm këta se jua çorodisin mendjen të tjerët”. “Reformë e dështuar ministri e korruptuar”, ishin pankartat që të rinjtë mbanin në dorë.