Nuk di nëse akti i Metës është në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, megjithëse sistemi demokratik ku jetojmë parashikon që pushtetet kontrollojnë njera-tjetrën, dhe si të tillë, presidenti nuk është vetëm një punonjës protokolli që përcjell apo arshivon shkresat. Gjithsesi kjo është fushë për juristë, ku nuk është çudi që ne të kemi boshllëk.
Por akti i Ilir Metës më shumë sesa juridik, ishte politik. Dhe kjo jo për fushën e politikës së brendshme, ku akti ka pak ndikim, por atë të politikës së jashtme.
Që në momentin e propozimit të Cakajt, ekspertët e quajtën kandidaturën të papërshtatshme dhe të nxituar. Ndërkohë qenia e Baton Haxhiut si sponsor i këtij kandidati, ndërkohë që vetë Haxhiu njihet si mik i vëllezërve Devolli, importuesit kryesorë të grurit nga Serbia, e bënte kandidaturën të dyshimtë se është vendosur aty për aftësitë.
Posti i Ministrit të Jashtëm ka më shumë rëndësi është momenti kur ndodhet vendi. Një ndër momentet më pak të rëndësishsme është marrja e kryesimit të OSBE. Them e parëndësishme sepse ajo që po shtrohet është çështja e kufijve të Kosovës.
Ka kohë që flitet për shkëmbim territoresh, dhe ky argument mesa duket nuk ka veshë të taposura në Uashington. Në kryeqytetin e SHBA tashmë ka njerëz që e shohin si opsion ii cili shpresojnë ti japë fund zallamahisë ballkanike. Nuk ka gjë më të gabuar. Dhe fakti që Gjermania si njohëse e mirë e siujdhesës është kundër ndryshimit, tregon se ata që kanë çelësat e komandës në Shtëpinë e Bardhë, pak ose aspak dinë mbi gadishullin.
Një hapje e kësaj teme së pari do të thoshte që ne të dilnim të humbur nga ky rikonfigurim. Kush e mendon ndryshe, ose nuk njeh kapacitete tona diplomatike dhe ushtarake, ose nuk kupton. Së dyti do të thoshte një pluhurnajë e re luftërash ballkanike, ku këtë rradhë as Shqipëria nuk do përjashtohej.
Që të mund të ndalohet nisja e këtij procesi kërkohet që ministritë e jashtme të dy vendeve ti drejtojnë njerëz me eksperiencë. Konjuktura politike solli që në krye të MPJ të Kosovës mos të jetë një diplomat me përvojë, por një biznesmen si Behxhet Paçolli, aktiviteti më i spikatur i të cilit është riparimi i fasadave të Kremlinit dhe miqësitë e dyshimta me Rusinë.
Në këto momente barra do ti binte ministrit të jashtëm shqiptar të lobonte kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. Dhe kjo kërkon njohje diplomatike të homologëve (që ti krijon vetëm karriera në diplomaci apo politikë); kërkon eksperiencë, kërkon aftësi negocimi , kërkon stil dhe aftësi pune në grup, shkurt kërkon diplomaci, ku që të gjitha janë atribute që në këtë profesion ti jep eksperienca.
Ndaj bllokimi i Genti Cakaj, është një hap që ndihmon që vendi mos rrëshqasë në amatorizëm në këtë situatë delikate.
Nëse Rama do që të marrë përsipër përgjegjësitë e momentit, nuk ka pse gjen një kokë turku në Kosovë, por le të marrë përsipër personalisht drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Në të kundërt, nëse e ka ndarë mendjen për shqiptar nga Kosova, le të marrë personalitete të cilit nuk i mungojnë asaj krahine. Për mos thënë që vetë diplomacia shqiptare ka emra si Pëllumb Xhufi, Dashnor Dervishi, Roland Bimo, Bashkim Zeneli, Shaban Murati, dhe shumë të tjerë, që do ta dinin ta mbështesnin me atdhetari çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë e botës. Por të shesësh Gent Cakajn si Hasan Prishtina, është tepër edhe për kohët tallava ku jetojmë./dritare.net