Rama, kroatët dhe provincializmi ynë kombëtar

Nga Dritan Hila
Në një video të publikuar së fundmi ku shefat e vendeve anëtare të NATO-s bëjnë një bisedë të lirshme në një holl të madh, shikohet Rama që i afrohet Makronit i cili duket sikur nuk e ka mëndjen ndaj qasjes së Ramës.
Personalisht videoja më ngjan një montazh i bërë keq. Gjithsesi, edhe nëse është e vërtetë, në ato pak sekonda, po aty shikohet Gjukanoviç që ecën i vetmuar, apo Tsipras që takon gjithë ngrohtësi Erdoganin (kjo në vëmendje të puritanëve “filoperëndimorë” shqiptarë).
Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk është çudi që as mos ta njohin kryeministrin e saj. Por opozita tregon frustrimin e saj si pjesë të atij kombëtar, dhe kënaqet që kryeministrit të saj nuk ja var njeri. A thua se Berisha dhe Basha janë mjalti ku mblidhen gjithë mizat e takimeve ndërkombëtare.
Por as Rama vetë nuk i shmanget këtij provincializmi. Në një foto ka publikuar një bisedë treshe mes Trump-Pompeo dhe Rama. Tani, se çfarë mund të thotë Rama në një takim mes dy demave të politikës së lartë, se për çfatë mund ta kenë pyetur, madje se për çfarë iu duhet Rama atyre, këtë e dinë vetëm ata që kanë publikuar këto foto. Gjithsesi jo keq për Ramën që ka arritur të marrë një foto qoftë edhe si figurant, ndërkohë që rivali i tij në SHBA po rropatet për një të tillë.
Dhe pastaj situata bëhet më vajtuese në ndeshjen e djeshme mes Anglisë dhe Kroacisë.
Është e kotë të argumentosh se ndeshjet mes kombëtareve janë sa sportive aq edhe politike. Jo rrallë sporti ka shërbyer si mesazhier paqeje apo ndezës lufte, duke filluar me diplomacinë e pingpongut. I tillë është edhe kampionati botëror. Dhe në ndeshjen e djeshme nuk munguan këto nuanca, sidomos për krahun kroat. Është një rezultat i çmuar për një komb i cili është i vogël në numër dhe nuk ka as 3 dekada pavarësi, por ia ka dalë të afirmohet në shumë fusha. Është i kuptueshëm edhe animi i disa specialistëve të futbollit nga ekipi i vogël për risitë që ka sjellë dhe individualitete që ka. Por pastaj shfrenimi i shumë shqiptarëve për të bërë tifo për disa njerëz që i konsiderojnë kushërinj të largët meqënëse janë të dy palët pasardhës të ilirëve (!); sepse janë armiq të serbëve; sepse po i tregojnë vendin fuqive të mëdha (mision që as kroatët vetë nuk e çojnë nëpër mend pasi janë produkt i këtyre fuqive), duhet vetëm një fantazi e çakërdisur kombëtare bipolare që herë bën tifo për Ankaranë, herë për Athinën, për Uashingtonin, dhe tani kanë gjetur një Mekë të re ku të falen, ndërkohë që Tiranën e tyre po e bëjnë pocaqi.
Ky është një problem i madh i yni të cilin duhet ta zgjidhim. Ka të bëjë me vetëbesimin dhe respektin për veten. Përndryshe do mbetemi gjithmonë një provincë qesharake e Evropës me banorët e së cilës do fillojnë të tregohen barcaleta./dritare.net

LEXO DHE :  Dokumenti/ Kasmi: Bisedimet e fshehta të Ballit Kombëtar me grekët

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.