QSUT, hajdutët grabisin pacientët dhe familjarët e tyre
Dritare.net
Megjithatë, aty sërish vidhen pacientët dhe familjarët e tyre. Dy raste vjedhjeje janë denoncuar gjatë dy ditëve të fundit në Komisariatin nr.4.
Ngjarja e parë është denoncuar nga një 61vjeçar nga Shijaku, i cili ishte paraqitur për t’u vizituar në QSUT dhe teksa priste në korridoret e spitalit, është plaçkitur. Shtetasi me iniciale S.E., kur ka futur dorën në xhep për të nxjerrë portofolin, ka kuptuar që nuk e kishte më. Menjëherë i është drejtuar Policisë, duke denoncuar vjedhjen. Sipas tij, në portofol kishte pasur rreth 13 mijë lekë të rinj, kartën e identitetit dhe kartën e shëndetit.
Një ditë më vonë, në Komisariatin e Policisë është paraqitur një tjetër person, për të njëjtin problem. Burimet thanë se shtetasi me iniciale I.D., 54 vjeç, banues në Kamzë, ka denoncuar se teksa priste në Qendrën e Konsultave Mjekësore në QSUT, është vjedhur nga një person, që, sipas tij, kishte qëndruar vazhdimisht pranë tij dhe në një moment i kishte humbur nga sytë. I dëmtuari ka pretenduar në Polici se në portofolin që i vodhën ka pasur rreth 140 mijë lekë të rinj.
Duke qenë se 54vjeçari ka pasur dyshime për një person konkret, oficerët e Policisë e kanë pyetur me detaje rreth këtij personi, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jetë ai autor i vjedhjeve.
Sipas burimeve, nga përshkrimet që ka dhënë i dëmtuari, autori dyshohet të jetë një person rreth të 40-ave, që hiqet si pacient, duke ecur nëpër korridore dhe herë pas here u afrohet pacientëve të tjerë që ndodhen në të njëjtin vend me të, apo familjarëve që presin të sëmurët.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke nisur fillimisht me sekuestrimin e kamerave të sigurisë që ndodhen në disa prej ambienteve të jashtme të QSUTsë.