Qejf me 15 mijë lekë, vetëm te Kepi Rodonit bëhet

Nga Isa Myzyraj

E diela ishte një ditë që bashkë me 2 shokë dhe një shoqe vendosëm ta kalojmë në një vend, për te cilin shpesh kishim dëgjuar, por asnjëherë, vizituar.

Vendosëm që të shkonim tek Kepi i Rodonit, pak më larg se Gjiri i Lalëzit. U ndalëm në fillim në Durrës dhe në një supermarket atje blemë rreth 15 mijë lekë të vjetra ushqime, dhe u nisëm drejt një rruge që ishte e mrekullueshme, sepse të ofronte shumë mundësi për foto mjaft të bukura me një panoramë mahnitëse.

Sapo arrijmë në hyrje të Kepit të Rodonit, në kodrën e parë të shfaqej përballë deti nga tre anët që nuk kishte fund, dhe kënaqeshe vetëm duke e parë.

Zbritëm poshtë, dhe i hodhëm fillimisht një sy vendit ku do të qëndronim atë ditë. Ç’të shihje?! Deti nga njëra anë, livadhi që sapo kishte filluar të nxirrte lulet  e para të bardha, që Afrimja i mblodhi menjëherë në një tufë të vogël, e nga ana tjetër, kodra, mali e ca shpella pas nesh.

Sapo ndaluam, e pyesnim njëri-tjetrin, pse nuk kemi qenë më herët këtu? Pse fundjavat i kalojmë në zhurmën e madhe mbytëse të Durrësit dhe Tiranës, kur me fare pak lekë mund ta shijoje pafundësisht gjithë atë bukuri natyrore që shfaqej para teje!

Filluam duke marrë me radhë zonën. Në fillim u ndalëm tek Kisha e Shën Ndout, që ngrihej në një qafë të ulët mes dy kodrave, pranë bregut të detit, dhe dikur pranë saj ndodhej edhe një manastir.

LEXO DHE :  Live/ Tensionohet protesta e studentëve: S’ka përçarje

Filluam më pas duke parë disa bunkerë, që kishim menduar që rrallë gjen më në Shqipëri të tillë, por ja që ata i kishin rezistuar dorës së njerëzve dhe gjendeshin përballë nesh.

Teksa shijonim atë panoramë, i futëm edhe një lojë me top, që bëme për të qeshur, të tjerë vizitore si ne, por ne as që e vrisnim mendjen, sepse aty kishim shkuar vetëm për qejf, e qejfin do ta çonim deri në fund.

Pasi u lodhëm mirë e mirë, e shtruam edhe drekën tonë, në livadh dhe u kënaqëm duke bërë muhabet, e pyetja më e shpeshtë për njëri-tjetrin ishte: “Ore, si na paska ikur deri më tani ky vend?”

Por, kurrë nuk është vonë për gjëra të bukura.

U ngritëm, për të eksploruar më tej, dhe unë me telefonin e mbushur plot me bateri bëra foto pa fund, dhe teksa bëja foto mezi prisja që t’i shkruaja këto rreshta, e të publikoja fotot, për t’iu treguar të gjithëve një vend të bukur për fundjavën e ardhshme, sepse gjërat e bukura duhen treguar.

Në fund kam edhe një këshillë për të gjithë ata që duan të shkojnë tek Kepi i Rodonit.

Mos e vrisni shumë mendjen, hipini makinës, merrni ca gjëra për të ngrënë me vete, mbusheni telefonin me bateri dhe mos e humbisni atë vend, sepse sado që unë të shkruaj , jam i sigurtë që nuk do e paraqes aq mrekullueshëm sa ishte, atë vend./dritare.net