Publikohet raporti i kompanisë Binata. Ja ku përmendet Basha
Dritare.net
Adress: Plloshad Lubyanka 1, Meshchansky Okrug, Moskva
I nderuar zoti Ministër, Sipas udhëzimeve tuaja, morëm kontakt me disa vende të Ballkanit për të studiuar ndikimin tonë në atë rajon dhe për të parë mundësinë e penetrimit. Pjesë e kësaj detyre ishte edhe Shqipëria. Që në krye duam të sqarojmë se agjentura jonë e vjetër aty ose kishte vdekur ose ishte e pagjetshme. Pas verifikimeve, kërkuam të kontaktojmë me pjesëtarë të klasës politike të këtij vendi dhe për të parë pikat e dobëta dhe mundësinë e rekrutimit të tyre.
E filluam me kryetarin e bashkisë së kryeqytetit për të cilin na thanë që është një djalë i ri dhe ambicioz. Ju prezantuam si biznesmenë, por ai na tha se nuk jepte dot leje ndërtimi pasi ai hidhte vetëm firmën ndërsa urdhërat i jepte kryeministri. I thamë se nuk bëhej fjalë për këtë por dëshironim t'i jepnim një kontribut tonin për karrierën e tij. Na u përgjigj se pranonte vetëm pemë të cilat duhej t'i mbillnim vetë. U larguam të zhgënjyer.
Pas kësaj ia dolëm të takonim kryeministrin. Ky e kuptoi menjëherë ku e hidhnim fjalën sa i përmendëm kontributin. Pyeti sa është shuma. I thamë për një milion dollarë, por na u kthye harbutshe dhe na nxorri jashtë duke e shoqëruar me fjalët se kaq para nuk i mbante as për pare xhepi. Më vonë na thanë se sa herë ulej në tavolina, kur vinte momenti i pagesës thoshte që kishte ndërruar pantallonat dhe nuk kishte me vete.
Menduam të shkonim nga opozita. Nga analiza e shtypit na rezultonte se partia më e madhe duhet të ishte e një avokati. E takuam. Ishte mbresëlënës, por nuk pranoi të bëhej agjent pasi tha që ishte bërë më parë i amerikanëve. Kur e pyetëm a e paguanin, na tha se me amerikanët kishte marrëveshje morale. I thamë që për llamarina si dekoratë, ne kishim më shumë eksperiencë. Na tha që do mendohej dhe mund të bëhej poliagjent por duhet të paguanim me para të thata. Pranuam. Më vonë morëm vesh se nuk kishte as parti dhe as votues. Ishte si punë komiku që e merrnin nëpër studio.
Takimi i parafundit ishte me ish-shefin e opozitës. Ky ishte një burrë i cili megjithëse në moshë të madhe, prapë ishte energjik. Ai pranoi, por të punonte pa lek. Kur i thamë se ne e kemi parim që agjentët i paguajmë si masë sigurie që mos të tradhëtojnë por edhe sepse në të kundërt do dyshonim se bënte lojë dyfishe, na u përgjigj se nuk mund të prishte traditën e popullit të tij që historikisht spiunonte pa para. E skualifikuam edhe këtë se na u duk i pabesueshëm.
I fundit ishte shefi i partisë më të madhe opozitare. Ky pranoi menjëherë. Ishte dakord edhe me shumën 1 milion dollarë. Ja dorëzuam në vend dhe i kërkuam faturën. Në fillim na tha që t'i ndanim në mes dhe mos të jepte faturë. I thamë që duhet të zbatonte rregullat që kemi. U përgjigj që do të na e sillte nesër faturën. Të nesërmen na solli një faturë sikur kishim paguar 500 mijë. U tërbuam, dhe i thamë që ishin dyfishi. Na tha që nuk është e vërtetë sepse kur i numëroi në shtëpi, i doli gjysma.
Në mbyllje të memos tonë, duhet të pranojmë dështimin në këtë vend dhe do iu luteshim që mos të na e jepnit prapë si detyrë.
Me respekt Nikollai Muzin Sergey Kovalchuk/dritare.net