Publikohen detajet e asgjësimit të kanabisit

Është botuar në Fletoren Zyrtare udhëzimi i plotë që mban firmat e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, asaj të Shëndetësisë, Manasterliu dhe atij të Mjedisit, Koka, që bën fjalë për asgjësimin e kanabisit të sekuestruar.

Në udhëzim janë përcaktuar detaje për procedurën e asgjësimit, si edhe të personave të autorizuar që duhet të marrin pjesë në asgjësim, për të shuar çdo dyshim që lënda narkotike e sekuestruar nuk rifutet në treg.

UDHEZIMI

UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr. 2487, datë 15.5.2017

PËR TRAJTIMIN E BIMËVE, LËNDËVE NARKOTIKE APO PSIKOTROPE DHE PREKURSORËVE KIMIKË, TË SEKUESTRUARA

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës, të neneve 24, 188, 190, 220, 300 të ligjit nr. 7905, datë 21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 28 dhe 29 të ligjit nr. 8750, datë 26.3.2001 “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope”, të ndryshuar, Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Punëve të Brendshme, Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Mjedisit

UDHËZOJNË:

1. QËLLIMI

Ky udhëzim ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të agjencive të zbatimit të ligjit për të plotësuar rekomandimet e Bashkimit Evropian, për trajtimin e lëndëve narkotike dhe prekursorëve kimikë, në përputhje me Konventat Ndërkombëtare dhe legjislacionin e vendeve të BE-së. Udhëzimi i Përbashkët do të normojë punën për trajtimin e provave materiale të lëndëve narkotike dhe zbatimin e procedurës që nga sekuestrimi deri në asgjësimin e tyre, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen nga çdo supozim apo abuzim në administrimin e lëndëve narkotike. Me synimin për të normuar:

a) procesin e sekuestrimit të bimëve e lëndëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope në mënyrë që të sigurohet një “zinxhir i lëvizjes së provave materiale” në përputhje me procedurën penale;

b) përdorimin në mënyrë sa më efikase të peshoreve të unifikuara dhe qeseve të provave të një sigurie të lartë, me një përdorim dhe me numër unik të shënuar mbi to, të siguruara për Njësitë e Luftës Kundër Drogës dhe Institutin e Policisë Shkencore, duke garantuar mbrojtjen nga çdo supozim për abuzim në administrimin e tyre;

c) procesin e magazinimit, për ruajtjen në një vend të caktuar të të gjitha lëndëve narkotike apo psikotrope të sekuestruara;

d) procesin e zbatimit të vendimeve të Prokurorisë apo Gjykatës për asgjësimin e sigurt të lëndëve narkotike apo dorëzimin e tyre në institucione të tjera, sipas mënyrës së parashikuar në ligj;

e) praktikën shqiptare në fushën e sekuestrimit, të kryerjes së analizave, të administrimit dhe asgjësimit të sigurt të bimëve e lëndëve narkotike apo psikotrope, në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare.

2. PËRKUFIZIME

Në zbatim të këtij udhëzimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

2.1 “Qese provash” janë qeset për ruajtjen e provave të cilat përdoren vetëm një herë. Qeset janë të një sigurie të lartë dhe pasi janë mbyllur ato nuk mund të hapen pa lënë gjurmë. Ato kanë të vendosur një numër serial unik, si dhe fusha të ndryshme ku mund të bëhen shënime.

2.2 “Substancë narkotike apo psikotrope” kuptohet çdo substancë qoftë me origjinë natyrore ose sintetike e listuar në Konventat Ndërkombëtare në fushën e drogës dhe në ligjin për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope.

2.3 “Prekursor” është substanca e nevojshme që përdoret për prodhimin e substancave narkotike ose psikotrope, e cila bëhet pjesë e molekulës së prodhimit përfundimtar dhe përcaktohet si lëndë e listuar në legjislacionin në fuqi për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope.

3. PARIMET DREJTUESE

3.1 Parimi i “zinxhirit të lëvizjes së provave materiale” duhet të zbatohet gjithmonë sipas këtij udhëzimi. “Zinxhiri i lëvizjes së provave materiale” kërkon që të gjitha provat e sekuestruara që janë bimë apo lëndë të dyshuara si narkotike dhe substanca psikotrope, të sigurohen duke respektuar rregullat e administrimit e ruajtjes dhe në çdo rast të regjistrohet vendi se ku ruhet prova materiale, kujt i është sekuestruar dhe kush ka kryer veprime me provat materiale.

3.2 Gjithë sasia e sekuestruar e bimëve dhe lëndëve të dyshuara si narkotike apo substanca psikotrope (përfshirë ambalazhin) duhet të mbyllet në qeset e provave dhe të dërgohet pa bërë ndërhyrje në Institutin e Policisë Shkencore, për gjetje gjurmësh dhe analiza kimike.

3.3 Për substancat që shërbejnë si prekursorë, duhet të njoftohet Instituti i Policisë Shkencore për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave kimike.

4. PROCEDURAT PRAKTIKE

4.1 Pajisjet e Sekuestrimit

4.1.1 Peshoret

a) Peshoret e siguruara për njësitë e specializuara për luftën kundër drogës, kanë për qëllim të sigurojnë peshën e lëndëve të dyshuara si narkotike apo substanca psikotrope për qëllime provash.

b) Peshoret janë të unifikuara, lehtësisht të transportueshme dhe janë siguruar për të dhënë një peshë mjaft të saktë të lëndëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope në gjendjen që ato ndodhen në momentin e sekuestrimit nga policia gjyqësore.

c) Peshoret janë të pajisura me gurët e kalibrimit të peshave: 5(pesë) kg, 1 (një) kg dhe 500 (pësëqind) gr. Gurët e kalibrimit bëjnë të mundur testimin rregullisht të peshoreve për të kontrolluar saktësinë e tyre.

d) Peshoret të administrohen dhe përdoren nga njësitë e specializuara për luftën kundër drogës në Drejtoritë Vendore të Policisë. Shefi i njësisë, duhet të sigurojë që:

– peshoret të jenë në çdo kohë të gatshme për përdorim;

– peshoret të testohen duke përdorur gurët e kalibrimit të siguruara për këtë qëllim, jo më pak se një herë në muaj;

– një herë në vit, peshoret me gurët e peshës të kalibrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Meterologjisë dhe Kalibrimit.

4.1.2 Qeset e provave

a) Qeset e provave janë të sigurta dhe garantojnë që të mos ketë ndërhyrje të paautorizuara për bimët ose lëndët e dyshuara si narkotike apo substanca psikotrope, të cilat janë mbyllur në këto qese.

Ato lejojnë personat e autorizuar për inspektim që të identifikojnë lehtësisht nëse ka patur ndërhyrje të paautorizuara.

b) Secila qese ka një numër serial unik. Policia gjyqësore, ekspertët dhe/ose prokurorët duhet të sigurohen për mbajtjen shënim në procesverbal të të gjithë numrave të serisë të çdo qeseje provash të përdorur. Ky shënim është pjesë e zinxhirit të lëvizjes së provave.

c) Pasi lëndët narkotike të mbyllen në qesen e provave, qeset nuk duhet të hapen përveç rasteve të ekspertimeve, riekspertimeve dhe rasteve të autorizuara nga Prokuroria apo Gjykata.

d) Për çdo veprim të hapjes së qeseve të provave, përveç rasteve të ekspertimeve, të hartohet një proces-verbal në të cilin të shpjegohet arsyeja e hapjes së qeseve, koha, personat përgjegjës dhe veprimet e kryera. Proces-verbali të mbahet në dy kopje, ku njëra prej tyre bëhet pjesë e fashikullit të hetimit dhe tjetra administrohet në magazinën qendrore të lëndëve narkotike.

e) Për rastet e ekspertimit apo riekspertimit, gjendja e qeseve të provave dhe veprimet e kryera nga eksperti/ekspertët të pasqyrohen në aktin e ekspertimit.

f) Nëse qeset e provave hapen, ato nuk duhet të asgjësohen, por këto qese së bashku me lëndën narkotike duhet të vendosen në një qese të re provash sipas procedurës fillestare të marrjes së provës. Ky proces duhet të përsëritet sa herë që të hapet qesja e provave. Duke përdorur këtë metodë ruhet vazhdimësia e provave.

g) Qeset e provave të përdorura duhet të asgjësohen së bashku me lëndën narkotike, vetëm në kohën e asgjësimit përfundimtar të drogave.

h) Qeset duhet të hapen vetëm duke prerë fundin e tyre me gërshërë ose me një mjet tjetër prerës sipas vendit të përcaktuar në qese.

Ngjitësja që ka mbyllur qesen e provave të sigurisë së lartë nuk duhet të ketë ndërhyrje të paautorizuara, të pritet ose të hapet. i) Qeset me numër serial unik të sigurohen nga Drejtoria e Policisë së Shtetit.

4.2 Veprimet në vendngjarjen e sekuestrimit të lëndëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope dhe prekursorëve kimikë

4.2.1 Kur bëhet zbulimi i lëndëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope, si dhe prekursorëve kimikë dhe nuk ka prezent oficerë të policisë gjyqësore të shërbimeve të specializuara për luftën kundër drogës, të procedohet si më poshtë:

a) Kur zbulohen lëndë të dyshuara si narkotike apo psikotrope si dhe prekursorë kimikë, punonjësit e policisë që janë prezent në vendngjarje duhet të sigurojnë provat materiale dhe të arrestojnë personat e dyshuar të pranishëm në vendin e sekuestrimit, në përputhje me nenet 251 dhe 300/1 të Kodit të Procedurës Penale. Pas konstatimit të lëndës narkotike, punonjësit e policisë dhe grupi hetimor që do të angazhohen me kqyrjen e vendngjarjes, peshimin, transportimin, ambalazhimin dhe sekuestrimin e provave, detyrohen të përdorin doreza plastike, me qëllim përjashtimin e mundësisë së lënies së gjurmëve papilare në provat e sekuestruara.

b) Të gjithë punonjësit e policisë duhet të ndërmarrin të gjithë hapat e domosdoshëm për të siguruar provat në mënyrë që të parandalohet humbja, dëmtimi apo asgjësimi i tyre. Çdo sasi e lëndëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope si dhe prekursorë kimikë nuk duhet të preket, por duhet të lihen në vend e të mbahet nën kontroll derisa të vijnë punonjësit e strukturave të specializuara për luftën kundër drogës dhe prokurori. Punonjësit e policisë mund të veprojnë ndryshe vetëm nëse është e domosdoshme për të garantuar sigurinë e lëndëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope, të provave materiale ose personave, në rastet e shoqërimit të personave dhe/ose automjeteve në ambientet e policisë etj. (Neni 300/2 i Kodit të Procedurës Penale).

c) Strukturat e specializuara për luftën kundër drogës, duhet të njoftohen menjëherë mbi: – rrethanat e sekuestrimit;

– një vlerësim të sasisë së sekuestruar (me përafërsi);

– vendndodhjen;

– nëse ndonjë person është arrestuar në flagrancë në vendngjarje.

d) Në rastet e kapjeve/konstatimit të lëndëve narkotike apo psikotrope në sasi të vogla, pas njoftimit të strukturës së specializuar për luftën kundër drogës, veprimet e mëtejshme do të kryhen nga struktura e përcaktuar në urdhrin e Drejtorit të Policisë së Shtetit.

4.2.2 Veprimet pas lajmërimit të shërbimit të policisë gjyqësore në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve ose kur punonjësit e këtyre seksioneve janë prezentë kur bëhet zbulimi. Përveç sa përmendet në germat “a” dhe “b” të paragrafit

4.2.1. oficeri i shërbimeve të policisë gjyqësore i strukturave të specializuara për luftën kundër drogës në nivel qendror apo vendor, kujdeset që:

a) Të sigurojë që procedura e peshimit dhe sekuestrimit të kryhet në mënyrë korrekte.

b) Në këto raste policia gjyqësore dhe/ose prokurori duhet të sigurohet nëse është e nevojshme kryerja e veprimeve nga eksperti i Policisë Shkencore.

c) Nuk duhet të lejohet të bëhen ç’paketime apo hapje të paketave të lëndëve të dyshuara si narkotike. Çdo paketë e ndarë e lëndëve të dyshuara si narkotike të paligjshme do të peshohet dhe do të regjistrohet pesha.

d) Përpara se të peshohet dhe të vendosen në qese lëndët e dyshuara si narkotike apo psikotrope, peshoret do të kalibrohen me anë të përdorimit të gurëve të peshës. Rezultatet e këtij kalibrimi duhet të përfshihen në proces-verbalin e policisë gjyqësore dhe/ose të prokurorëve.

e) Nëse si rezultat i kalibrimit, zbulohet që peshoret nuk janë të sakta, atëherë ato nuk duhet të përdoren dhe duhet të gjendet një mjet tjetër për të peshuar lëndët e dyshuara si narkotike.

4.2.3. Mënyra e paketimit dhe dërgimit për ekspertim

4.2.3.1.Lëndët e dyshuara si narkotike apo psikotrope

a) Pas peshimit, të gjitha lëndët e dyshuara si narkotike apo psikotrope, përveç bimës së kanabisit të kultivuar (dmth. ende në tokë apo në enë të ndryshme) dhe bimës së kanabisit të prerë (por ende me kërcell dhe gjethe), duhet të vendosen në qeset e provave të përmasave të përshtatshme dhe mbi to të shënohet gjithë informacioni përkatës. Oficeri i policisë gjygjësore dhe/ose prokurori duhet të regjistrojnë numrin serial të qeses në vendimin për ekspertim kimik dhe atë për vlerësim gjurmësh.

b) Këto shënime duhet të plotësohen minimalisht në dy kopje, një prej të cilave duhet të përfshihet në fashikullin e hetimeve dhe kopja tjetër duhet të shoqërojë sasinë e lëndëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope të sekuestruara për në Institutin e Policisë Shkencore.

c) Në rastet kur sasitë e lëndëve narkotike cannabis sattiva të sekuestruara janë në sasi të mëdha dhe të paketuara, ambalazhuara, në çanta, thasë, kuti etj, ato duhet të dorëzohen në Institutin e Policisë Shkencore në formën që janë sekuestruar duke mos ndërhyrë në to, për të siguruar dhe ruajtur zinxhirin e provave.

4.2.3.2. Bima e Kanabisit e kultivuar (ende në tokë apo në enë të ndryshme)

a) Të maten përmasat e plantacionit dhe të përshkruhen në proces-verbal.

b) Të numërohet numri total i bimëve në plantacion dhe të përshkruhet në proces-verbal.

c) Të fotografohet dhe kur është e mundur edhe të filmohet plantacioni dhe në çdo rast të përshkruhet në proces-verbal. Të përdoren mjete të përshtatshme ku është shënuar gjatësia (preferohet të jetë 2 metër) për t’u vendosur në plantacion, me qëllim përcaktimin e lartësisë së bimëve dhe të përfshihet në fotografim apo filmim.

LEXO DHE :  Protestat në Ballkan/ Hahn: Të gjithë format e dhunës, të papranueshme

d) Duhet të merren mostra të bimëve në mënyrën e mëposhtme.

– Të lihen mënjanë bimët më të larta dhe më të shkurtra të plantacionit.

– Nëse numri i bimëve është nën 200, të merret pjesa e sipërme e 5 bimëve të marra 20-50 cm nga majat e tyre nga bimët mesatare dhe këto do të shërbejnë si mostra që do të analizohet për efekt provash.

– Nëse numri i bimëve është mbi 200, të merret pjesa e sipërme e 10 bimëve të marra 20-50 cm nga majat e tyre nga bimët mesatare dhe këto do të shërbejnë si mostra që do të analizohet për efekt provash.

– Nëse numri i bimëve është 5 ose më pak, të merren pjesët e sipërme të çdo bime 20-50 cm nga majat e tyre të cilat do të analizohen për efekt provash.

– Të vendosen në qese këto bimë dhe të dërgohen për ekspertim, duke respektuar afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale për provat e sekuestruara.

– Në të gjitha rastet që sekuestrohen filiza të bimëve narkotike, të mbjella në vazo, gota, kubikë etj, t’u shkundet dheu, të maten, të numërohen, të fotografohen, dhe numri i mostrave për ekzaminim të merret si më poshtë:

– Nëse numri i filizave është deri në 50, ato të merren të gjitha për ekzaminim.

– Nëse numri i filizave është mbi 50, përzgjidhen dhe merren për ekzaminim 50 prej tyre.

e) Bimët që mbeten, duhet të shkulen me gjithë rrënjë dhe të asgjësohen me anë të djegies.

f) Nuk shkatërrohen në vend vetëm plantacionet ku fermerët pretendojnë se është kultivuar kërp industrial.

Në këto raste monitorimi bëhet sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit “Mbi kontrollin dhe monitorimin e subjekteve që mbjellin kërp industrial”, përkatësisht me numrat nr. 2538/1, datë 14.5.2007 dhe nr. 348/3, datë 3.5.2007.

4.2.3.3. Bima e Kanabisit e prerë (akoma me kërcell dhe me gjethe).

a) Fotografohet dhe filmohet e gjithë sasia e sekuestruar, përshkruhet në proces-verbal dhe përgatitet tabela fotrografike e cila i dërgohet prokurorit.

b) Nëse sasia e sekuestruar është 10 bimë ose më pak, atëherë ato vendosen në qeset e provave.

c) Nëse sasia e sekuestruar është më e madhe se 10 bimë, atëherë lihen mënjanë bimët më të gjata dhe më të shkurtra dhe zgjidhen 10 (dhjetë) nga bimët (bimë si e tërë me gjithë kërcell) që mbeten. Vendosen në qese të provave dhe dorëzohen për analiza sipas procedurës.

d) Bimët që mbeten duhet të asgjësohen me djegie.

5. VEPRIME TË TJERA

5.1 Nëse sasia e sekuestruar e lëndëve të dyshuara si narkotike të paligjshme do të ekspozohet për median, kjo gjë do të bëhet vetëm pasi sasia e sekuestruar të jetë mbyllur siç duhet në qeset e provave. Duhet patur kujdes që kur të ekspozohet sasia e sekuestruar, informacioni i rëndësishëm që ndodhet në etiketën e qeseve nuk duhet të jetë i dukshëm për personelin e paautorizuar. Në çdo rast duhet të ruhet sekreti hetimor dhe të dhënat personale.

5.2 Në rastet e blerjes së simuluar kur kërkohet analizë emergjente, lëndët e dyshuara si narkotike duhet të mbyllen në qeset e provave të sigurisë së lartë dhe të regjistrohet numri unik. Ky veprim siguron respektimin e parimit të procedimit të drejtë dhe të rregullt ligjor.

5.3 Dorëzimi i qeseve me prova materiale të lëndëve apo substancave narkotike dhe psikotrope nga punonjësi i policisë që e ka sekuestruar dhe i gjithë zinxhiri i lëvizjes së provës deri në dorëzim për magazinim, dokumentohet në etiketat e qeseve dhe regjistrat përkatës, si dhe duke hartuar proces-verbalet në dy kopje, ku njëra prej tyre bëhet pjesë e fashikullit gjyqësor dhe kopja tjetër dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim.

5.4 Dorëzimi i qeseve me prova nuk do të thotë kalimi i thjeshtë i qeseve nga një person tek tjetri, si për shembull në vendin e sekuestrimit, por duhet të kryhet në kohën kur qeset i dorëzohen një oficeri të policisë gjyqësore (punonjësi të policisë) tjetër për ruajtje ose për mbajtje transit.

6. VEPRIMET PAS SEKUESTRIMIT

6.1 Dokumentet e domosdoshme të plotësohen nga shërbimet e policisë gjyqësore të specializuara për luftën kundër drogës, të punonjësve që u është dhënë një detyrë e tillë nga prokurori.

6.2 Nëse është e nevojshme, oficeri i policisë gjyqësore ose prokurori mbështetur në ligjin procedural penal kërkojnë kryerjen e ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore apo institucione të tjera të specializuara në këtë fushë, për të gjetur gjurmë dhe për të bërë analizën për të përcaktuar llojin e lëndëve narkotike apo psikotrope të sekuestruara.

6.3 E gjithë sasia e bimëve apo lëndëve të dyshuara si narkotike që janë sekuestruar, të dërgohet në laborator për kryerjen e ekspertimit brenda 48 orëve nga sekuestrimi. Në rastet në të cilat ka autorë të arrestuar apo ndaluar, bimët apo lëndët narkotike që janë sekuestruar do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore brenda 24 orëve nga sekuestrimi.

6.4 Provat merren në dorëzim nga punonjësit e Institutit të Policisë Shkencore duke regjistruar detajet në një regjistër të posaçëm të sekretuar në Sekretari.

7. ANALIZAT DHE EKSPERTIMI

7.1 Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë ekspertizën dhe paisjet e duhura për të kryer analiza.

7.2 Oficerët e policisë gjyqësore dhe/ose prokurorët që kërkojnë kryerjen e ekspertimit duhet të kenë parasysh që nuk është e domosdoshme për ekspertët e fushës që të analizojnë çdo paketë të lëndëve narkotike. Analiza të panevojshme të një numri të tepruar të paketave apo bimëve, do të ishte një shterim burimesh për laboratorin.

7.3 Ekspertët mund t’i referohen udhëzimeve, rekomandimeve apo praktikave më të mira të Kombeve të Bashkuara për mënyrën e kryerjes së analizave të lëndëve e bimëve të dyshuara si narkotike apo psikotrope.

7.4 Instituti i Policisë Shkencore duhet të sigurojë ambiente të posaçme sipas standardeve për tharje dhe kushte të përshtatshme për administrimin e provave sipas procedurës së parashikuar deri në përfundim të ekspertimit, që përfshijnë ruajtjen e vazhdueshme me punonjës policie dhe monitorimin e vazhdueshëm 24 orë në ditë me kamera.

7.5 Sapo të përfundojnë analizat për gjetje gjurmësh dhe ato për përcaktimin e llojit të lëndës narkotike, punonjësit e laboratorit duhet të rimbyllin këto lëndë në qese të reja të sigurisë së lartë, duke vendosur qeset e përdorura në qesen e re përpara se ta mbyllin atë.

7.6 Ekspertët duhet të përshkruajnë në aktin e ekspertimit numrat e serisë të çdo qeseje provash që ata kanë marrë në dorëzim, si dhe numrat e serisë të çdo qeseje provash ku ata i kanë rimbyllur në përfundim të ekspertimit. Gjithashtu, duhet të plotësojnë detajet mbi qeset e reja.

8. MAGAZINIMI DHE RUAJTJA

8.1 Pas ekspertimit, të gjitha bimët dhe lëndët narkotike apo psikotrope dhe prekursorët kimikë të sekuestruara nga policia, të dorëzohen nga punonjësit e Institutit të Policisë Shkencore në Qendrën për Magazinimin e Lëndëve Narkotike apo Psikotrope që disponon të gjitha ambientet dhe pajisjet e nevojshme për magazinimin dhe ruajtjen e tyre, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

8.2 Aty merren në dorëzim nga punonjësit e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, duke regjistruar detajet në një regjistër të sekretuar në Sekretari.

8.3 Dy punonjës të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve duhet të merren me magazinimin dhe ruajtjen e këtyre lëndëve, si dhe në bashkëpunim me Gjykatën dhe Prokurorinë, duhet të ndjekin procedurat për asgjësimin e tyre.

8.4 Ata duhet të mbajnë statistika lidhur me sasitë e drogave në ruajtje dhe ato që asgjësohen.

8.5 Në raste kur për shkak të sasisë së madhe të lëndëve narkotike apo psikotrope të sekuestruar nga policia, ato nuk mund të magazinohen në Qendrën për Magazinimin e Lëndëvë Narkotike apo Psikotrope, Prokurori urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit për ruajtjen në një mjedis tjetër të sigurt. “Mjedis i sigurt” konsiderohet ambienti brenda territorit të Drejtorive Vendore të Policisë, që garanton shkallë të lartë sigurie dhe kontrolli dhe që është vazhdimisht në ruajtje me forca policie, si p.sh. kontejnera, dhoma provash etj. Në çdo rast duhet të sigurohet monitorimi i vazhdueshëm 24 orë në ditë me kamera. 8.6 Administrimi dhe ruajtja e prekursorëve kimikë duhet të bëhet në ambiente të veçanta dhe kushte sigurie për të shmangur rreziqet.

9. ASGJËSIMI I LËNDËVE NARKOTIKE, PSIKOTROPE DHE PREKURSORËVE KIMIKË

9.1 Prokurori që ndjek procedimin penal, në rastet kur çështja është dërguar për gjykim në Gjykatë, kërkon që Gjykata të shprehet në vendim për destinacionin e bimëve dhe lëndëve narkotike apo psikotrope dhe prekursoreve kimikë të sekuestruar, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale. Në rastet kur nga Policia, është paraqitur kërkesë për marrjen e mostrave për trajnim/stërvitjen e qenve të drogës, për kryerjen e veprimeve policore apo për arsye studimore e shkencore, kjo kërkesë i parashtrohet Gjykatës gjatë gjykimit të çështjes.

9.2 Prokurori që ndjek procedimin penal, në rastet kur çështja nuk është dërguar për gjykim në Gjykatë, bashkë me vendimin për pushimin apo pezullimin e procedimit penal, merr edhe vendim për destinacionin e lëndëve narkotike apo psikotrope dhe prekursorëve të sekuestruar sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.

9.3 Për asgjësimin e bimëve/lëndëve narkotike apo psikotrope si dhe të prekursorëve të sekuestruar, nga Prokurori ngrihet një komision ku marrin pjesë: Prokurori, punonjësit e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mjedisit. Gjykata mund të dërgojë persona të autorizuar prej saj për të mbikqyrur procesin.

9.4 Për asgjësimin e bimëve/lëndëve narkotike apo psikotrope të sekuestruara, komisioni mban proces-verbal, kopje të të cilit marrin të gjithë palët e përfaqësuara. Në proces-verbal është e rëndësishme që të shënohen dhe numrat e serisë së qeseve të provave. I gjithë procesi filmohet apo fotografohet.

9.5 Asgjësimi i bimëve/lëndëve narkotike apo psikotrope të sekuestruara, kryesisht bëhet me djegie në krematorin e ndërtuar për këtë qëllim në ambientet e Qendrës së Furnizimit të Materialeve Teknike në Mullet, Tiranë, por në varësi të llojit dhe sasisë së tyre, mund të përdoren edhe teknika apo vende të tjera asgjësimi. Në mungesë të krematoriumit duhet të përcaktohet një vend i përshtatshëm për kryerjen e asgjësimit të lëndëve narkotike, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Ministria e Mjedisit.

9.6 Asgjësimi i prekursorëve kimikë të kryhet sipas rregullave të përcaktuara dhe në bashkëpunim edhe me struktura të specializuara në këtë fushë.

9.7 Në çdo rast asgjësimi, Ministria e Shëndetësisë (apo institucionet në varësi të saj), cakton një specialist kimist, i cili këshillon edhe mënyrën e asgjësimit me qëllim për të mos dëmtuar shëndetin e personave që marrin pjesë në procesin e asgjësimit. Kjo këshillë përshkruhet në procesverbal dhe nënshkruhet prej tij.

9.8 Ministria e Mjedisit (apo institucionet në varësi të saj) cakton një specialist, i cili sugjeron mënyrën dhe vendin e asgjësimit të lëndëve narkotike, me qëllim mos ndotjen e mjedisit.

10. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

10.1 Ky udhëzim zbatohet në të gjitha rastet kur zbulohen lëndë të dyshuara si narkotike, psikotrope dhe prekursorë kimikë.

10.2 Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, të gjithë urdhrat për zbatimin e vendimeve gjyqësore apo vendimet e përmendura në pikën 9.2, që kanë të bëjnë me destinacionin e lëndëve narkotike apo psikotrope dhe prekursorëve të sekuestruar, duhet të dërgohen për ekzekutim nga Prokurori përkatës në Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të cilët nën drejtimin e Prokurorit, realizojnë procesin teknik të asgjësimit të tyre.

10.3 Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, ndërpriten të gjithë praktikat e mëparshme të policisë gjyqësore dhe/ose të prokurorëve lidhur me marrjen e mostrave nga lëndët e dyshuara si narkotike. Gjithashtu, nga data e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, e gjithë sasia e sekuestruar duhet të dorëzohet në laborator për analiza.

10.4 Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit. 10.5 Për zbatimin e këtij udhëzimi kanë të drejtë të ushtrojnë kontrolle dhe të kryejnë inspektimin e Qendrës për Magazinimin e Lëndëve Narkotike apo Psikotrope:

a) Drejtuesit e Prokurorisë dhe ata të ekzekutimit të vendimeve penale;

b) Prokurorët e autorizuar nga Prokurori i Përgjithshëm;

c) Drejtues të Policisë së Shtetit;

d) Persona të autorizuar nga Ministri i Punëve të Brendshme apo Drejtori i Policisë së Shtetit;

e) Grupe kontrolli të përbashkëta të përcaktuara nga titullarët e institucioneve të sipërpërmendura.

10.6 Udhëzimi i përbashkët i Prokurorit të Përgjithshëm nr. 649/2 Prot. datë 3.4.2008; Ministrit të Brendshëm nr. 1572/2 Prot. datë 3.4.2008 dhe Ministrit të Shëndetësisë nr. 1569 Prot. datë 17.4.2008 “Për trajtimin e bimëve e lëndëve narkotike apo psikotrope”, shfuqizohet.

Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

PROKURORI I PËRGJITHSHËM

Adriatik Llalla

MINISTRI I SHËNDETËSISË

Ogerta Manastirliu

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME 

Fatmir Xhafaj

MINISTRI I MJEDISIT

Lefter Koka

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.