Pse nxitoi Rama të uronte Erdoganin?

Nga Dritan Hila
Prej 800 vjetësh fiset turkomane, pastaj otomanët dhe në fund trashëgimtarët e tyre, turqit, kanë qënë një faktor ndikues në një hapësirë që fillon nga kufijtë e Kinës dhe përfundon në dyert e Vienës. Jo vetëm dje por edhe sot. Rrjedhimisht fitorja e mandatit të ri të presidencës nga Rexhep Taip Erdogan nuk ka kaluar pa refleksione nga mbarë shtypi botëror. Ajo që theksohet më shumë është fakti i përsëritjes së fitoreve të Erdogan dhe autoritarizmi i tij si një kërcënim ndaj demokracisë.
Po a ka përkeqësuar Erdogan standartet e demokracisë turke? Një shikim pa syze i historisë turke, tregon se vendi nuk ka pasur kurrë një demokraci të standartit anglosakson, që Erdogan të mund ta përkeqësonte. Që nga koha e sulltanëve, më pas Ataturku, dhe pastaj cikli i grushteve të shtetit të ushtarakëve, asnjë nuk mund të quhet e tillë. Më tepër ishte një fasadë. Edhe ato periudha që kanë pasur zgjedhje dhe larmishmëri partiake të parlamentit, bëhej fjalë për elita të korruptuara. Kjo e shpjegon edhe suksesin e Erdogan. Nëse është një autokrat, kjo sipas standartev e perëndimore e bën të tillë, por me ato të rajonit ku ndodhet, jo dhe aq shumë. Përndryshe do zbatonte standartet e udhëheqësve të republikave ish sovjetike me fitore prej 99%.
Vendi që sundon Erdogan nuk ka një traditë demokratike, dhe për më shumë ndodhet në një rajon të ndezur; me popullsi ku ka minoritete të fuqishme; i rrethuar nga fqinjë agresivë ku situata shpesh dikton veprime të forta. Kjo nuk është apologji për një njeri i cili nuk e fsheh ambicien e tij, por përpjekje për të parë se si është realiteti dhe çfarë do të thotë një shthurje e Turqisë.
Duke u kthyer në rrafshin ballkanik, edhe sot Turqia është një fuqi imponuese në terma demografikë, ekonomikë dhe ushtarakë. Ekonomia e saj ka numra impresiuonues rritjeje. Si e tillë nuk do të ngurojë të ushtrojë ndikimin e saj në rajon dhe aq më tepër në vendet limitrofe ku ka prezencë minoritetesh por edhe histori të përbashkët shumëshekullore. Ajo ka investuar në këtë drejtim. Më i prekshëm është ky ndikim në vendet me popullsi myslimane dhe veçohet Bosnja, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Kjo ndihet shumë në rrjetet sociale, dhe tifozllëku nuk ka lidhje aspak me simpati në rrafshin e kulturës apo sporteve, por janë simpati politike. Kjo u pa më qartë në manifestimet që u mbajtën në Shkup dhe Prizren.
Pavarësisht se nuk ka statistika të sakta, pavarësisht se shumë njerëz janë skeptikë, ndikimi i Erdogan se kush do të qeverisë në Shqipëri është tashmë i vërtetuar. Aty ku nuk ndikon dot nëpërmjet partive, i ndikon partitë nëpërmjet simpatizantëve të vet. Nëse Berisha nuk e kuptoi në vitin 2013, dhe përmasa dramatike e humbjes i dedikohet edhe armiqësisë që krijoi me Erdoganin për votën në OKB, Rama e kuptoi dhe e shpalli Turqinë aleat strategjik që para fitores. Çdo parti apo kandidat për kryeministër që do të pretendojë fitoren në Shqipëri, Kosovë apo Bosnjë, tashmë duhet të llogarisë simpatitë e Erdoganit. Dhe Edi Rama e di këtë, ndaj ishte në garë se kush do ti telefononte më parë nga udhëheqësit ballkanikë. Ku nëse serbët dhe grekët e bëjnë për paratë, Rama e bën për votat./dritare.net

LEXO DHE :  Zbulohet regjistrimi mes Trump dhe ish-të dashurës së tij, dhe pagesat marramendëse

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.