Që Saimirt Tahiri mund ta ketë marrë ndonjë paijsje të tillë e cila nuk shërben vetëm për trainimin e policëve por edhe për t’i futur fishën kundërshtarëve evidentë dhe potencialë, kjo nuk është çudi. Që Edi Rama ka filluar dhe i pëlqen të fusë hundët në shtëpitë e kundërshtarëve, edhe kjo ndodh, pasi pushteti është para së gjithash informacion që shërben të parandalosh lëvizjet e kundërshtarit, por edhe vesi për të marrë vesh se çfarë bëjnë të tjerët, i cili shtohet me kalimin e viteve. Por që edhe përgjimet janë një zero me xhufkë nëse e qelb me qeverisjen dhe vala popullore vjen të të marrë, kjo dihet. E ka gënjyer mendja Ramiz Alinë se mund të ndalte ndryshimet, ashtu si edhe Sali Berishën të dyja herët.
Një paisje përgjimi në vetvete, nuk ka asgjë të keqe. Nuk ka asgjë të keqe që kryeministri të dijë çfarë i bëjnë ministrat, nëse ai i jashtmi shkëmben mesazhe me ambasadorin e Rusisë apo i mbrojtjes me ambasadorin e Serbisë. Gjithashtu, shpesh operativiteti nuk i le kohë policisë të ndjekë procedurat që të përgjojë eksponentë të krimit. Për më tepër askujt nuk i bëhet vonë nëse u përgjuan këta prototipa. Ndaj dhe paisje të tilla janë masive edhe nëpër botë. Privatësia e personave është diçka relative. Privatësia e cdo personi politik,
nuk ka pse të jetë e tillë nëse me të mpleksen interesat e shtetit. Ndërsa privatësia e privatëve nuk i hyn në xhep askujt.
A kemi problem se informacioni i marrë përbën problem se mos i shkon një fuqie të huaj? Nëse bëhet fjalë për amerikanët, atëhere këta e marrin edhe përpara se të shpikej smartfoni.
Po atëhere pse bën kaq bujë në Shqipëri? Për dy fakte të thjeshta. I pari ka lidhje me politikanët tanë. Dhe konkretisht se kanë hallin që mos të përgjohen për punë të parave dhe dashnoreve të tyre.
Problemi i dytë ka të bëjë me besueshmërinë e përdoruesve të këtij aparati. Dhe këtu hyn në lojë privatësia e shtetasve përballë një shteti i cili ka probleme besueshmërie. Segmente të caktuara të policisë tonë janë të implikuara me krimin. Shefa komisariatesh që shoqërohen me trafikantë, që bredhin me fuoristrada 100 mijë euroshe, në vend të besimit ngjallin frikë tek shtetasi i zakonshëm. Të gjitha këto, më shumë se problem i përdorimit të aparateve përgjues nga shërbëtorë të shtetit, kanë krijuar dyshimet e devijimit të shërbimeve të sigurisë nga misioni i tyre. Dhe ky është një problem shumë më i madh se një pajisje përgjimi./dritare.net