Presidenti i Komisionit të Venecias: Korrupsioni në Shqipëri, në nivelet alarmante
Dritare.net
“Korrupsioni është i shëmtuar në të gjitha aspektet, në gjyqësor, politikë, në administratën publike, që për fat të keq në Shqipëri ekziston. Korrupsioni për fat të keq ekziston në të gjitha vendet. Asnjë vend nuk e ka eliminuar tërësisht. Por në disa vende, si në Shqipëri, por ka edhe të tjerë në Europë, korrupsioni ka kapur nivele të mëdha në të gjitha sektorët, jo vetëm në gjyqësor. Pra duhet luftuar kundër korrupsionit në të gjitha nivelet”, tha Buquicchio në një intervistë për Vizion Plus.
Buquicchio deklaroi se, korrupsioni mund të rrënohet përmes reformës në sistemin e drejtësisë.
“Pra u bë kjo reformë, një reformë shumë komplekse, ndoshta pak më shumë se komplekse, por siç duket ishte e nevojshme ky kompleksitet, duke parë situatën shqiptare, ku për fat jo të mirë mes opozitës dhe mazhorancës nuk ekziston besimi që duhet të jetë, dhe për pasojë u arrit në një përfundim, Kushtetuta u ndryshua. Tani ligjet e reformës kushtetuese duhen vënë në zbatim. Procesi i Vettingut nuk ka nisur ende, por është e rëndësishme të ecet me shpejtësi. Populli shqiptar nuk mund të presë më për të pasur gjykatës të pavarur dhe të paanshëm. Është thelbësore për shoqërinë shqiptare, për demokracinë në Shqipëri dhe për zhvillimin e ekonomisë”, u shpreh Buquicchio./ I.M-Dritare.net