Pompat e ujit në pallate, makthi i qytetarëve
Dritare.net
74 vjeçari, Selman Goxhaj, jeton i vetëm me të shoqen në katin e parë të një pallati, ndërtuar para viteve ’90, në lagjen “29 Nëntori”, në Fier. Që të dy vuajnë nga diabeti dhe e shoqja ka kaluar edhe një paralizë parciale, që ia vështirëson së tepërmi lëvizjen. Nënë Ferideja shumicën e kohës e kalon në shtëpi, pasi nuk mund të dalë.
Me gjithë hallin e madh, atyre iu duhet të përballen edhe me zhurmën e pompave. “Kam 2-3 muaj që merrem me pompat, ku s’kam shkuar, më ranë këmbët. Kam 11 pompa mu te dritarja që ulërijnë gjithë ditën,”- thotë xha Selmani.
Ai tregon, se ka në polici dhe madje ka folur në telefon me kryetarin e Bashkisë. Por, Armando Subashi i ka thënë, se nuk mund të bëhet asgjë, pa u mbaruar projekti i ujësjellësit.
Në rajonin nr. 3 të Fierit, kryetari i tij z. Asqeri Ruko thotë se pompat do të hiqen shumë shpejt. “Nuk mund të bëhet asgjë hë për hë, po me sa di unë pompat do të hiqen shumë shpejt”.
Neritan Boçova përgjegjës për informimin e qytetarëve në Bashkinë e Fierit, jep më shumë informacione për këtë projekt.
“Ideja fillestare, ishte që me rritjen e presionit të ujit do të hiqeshin edhe pompat. Madje do ishin vetë banorët ata që do kërkonin heqjen e tyre, apo vendosjen e pompave të përbashkëta. Kompania që merret me këtë problem, nuk varet nga ne, ata nuk i marrin fondet nga ne prandaj dhe nuk di ç’të them. Tek ne ata marrin leje vetëm për çarje rrugësh dhe hapje kanalesh”, thotë Boçova.
Ndërsa, tek ndërmarrja e Ujësjellësit, z. Vasil Marko, Drejtor Teknik i UKF- së, thotë se projekti ka përfunduar dhe 70 % e pompave edhe pse janë ende të instaluara nuk shërbejnë më për furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm. Sipas tij, projekti parashikon rritjen e presionit me qëllim hedhjen e tij deri në 15 m. Pra, praktikisht të gjitha pallatet me lartësi deri në 5 kate, do të furnizohen me ujë të pijshëm pa ndihmën e pompave. Ky projekt nuk përfshin pallatet e reja shumëkatëshe. I pyetur se kur pritet të hiqen pompat z. Marko thotë se akoma nuk është parashikuar një datë fikse për fillimin e këtij operacioni. Por, është planifikuar muaji tetor.
Xha Selmani nuk është i vetmi që shqetësohet nga zhurma e tyre. Një tjetër banore e ardhur rishtazi, në një prej pallateve të vjetër parafabrikat në lagjen “8 Shkurti” shprehet se bezdiset shumë prej tyre. Anxhela Demiraj një nënë e re, banore po e katit të parë, është nëna e një foshnje. Ajo tregon se më shumë bezdisen të rriturit nga zhurma, se sa fëmijët.
Por, sa e dëmshme duhet të jetë zhurma e pompave, për dëgjimin?
Mjeku specialist O.R.L. Kristaq Çaçi, thotë se kufiri i një zëri për të mos e dëmtuar aparatin e dëgjimit është frekuenca që krijohet nga vibrimi i tij duhet të jetë 16.000 herz, ose 40 – 50dB (Decibel). Ai rendit një sërë simptomash, duke filluar nga dhimbjet e kokës, të zemrës, shkaktimi i stresit si dhe krijimi i gjendjes së ankthit. Ai thekson, se ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj kësaj zhurme, dëmton seriozisht aparatin e dëgjimit.
Të njëjtën gjë e vërtetojnë edhe studimet psikologjike të dekadave të fundit. Ato kanë gjetur se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave mund të ndikojë në shëndetin dhe mirëqenien tonë psikologjike. “
“Në aspektin shëndetësor, ky lloj ekspozimi mund të çojë në dëmtim të dëgjimit, hipertension, sëmundje ishemike të zemrës, etj. Ndërsa në aspektin psikologjik mund të ndikojë në uljen e performancës gjatë kryerjes së një detyre a pune, probleme të gjumit, shqetësimet emocionale e deri në probleme të shëndetit mendor. Efekti negativ rritet me rritjen e kohës që ne kalojmë gjatë këtij ekspozimi”, - thotë psikologia klinike Lediona Braho.
Në degën rajonale të agjencisë së mjedisit, thonë se edhe në Fier ka ndotje akustike. Dhimitraq Bitri, një prej monitoruesve të Vlerësimit të Ndikimit të Mjedisit, thotë se kjo ndotje shkaktohet nga makinat e vjetra, nga kantieri i ndërtimit në qendër të qytetit, klubet e natës, makinat që thithin pluhurin, gërshërët dhe sharrat elektrike që përdoren nga punonjësit e gjelbërimit, kositëset e barit etj. Ai nuk përjashton as zhurmën e pompave. Sipas tij, lloj zhurme e godet në mënyrë të vazhdueshme njerëzit në tru, duke i irrituar ata. Ky ndikim është më i dukshëm tek ata persona të cilët janë më të ngarkuar emocionalisht apo psikologjikisht. Kur e pyet se: “Nëse është marrë ndonjë masë?”, ai vë buzën në gaz dhe thotë duke qeshur : “Çfarë masash, shumë flitet po asgjë nuk bëhet.”
Ndotje apo jo, dëmtuese apo jo, zhurma që shkaktohet nga pompat gjatë procesit të thithjes së ujit dhe ngjitjes për në katet e sipërme të pallateve të vjetra, është bërë e padurueshme për banorët e kateve të para të tyre. Ata mezi presin që pompat të hiqen sepse një jetë pa zhurmën e tyre do të ishte shumë herë më e mirë se kjo e tanishmja./Dritare.net