Plazhi i Kallmit, Holanda e vogël shqiptare

Nga Edlira Ruzi

Që kur nis e zgjatet dita e temperaturat rriten, tiransit shpallin të hapur “sezonin e ankesave” për turizmin venali. Me dhe pa të drejtë, pas çdo rrugëtimi jashtë pragut të kryeqytetit, fillojmë të ankohemi për gjithfar’  senesh. Por nuk është keq të ankohesh. Mbetet gjithnjë shpresa se dikush do të të dëgjojë dhe do i japë një zgjidhje “hallit” që të ka zënë. I them këto për t’ju përgatitur për ankesat e mia, të cilat nuk duhet kurrsesi t’ju ndikojnë a dekurajojnë të kini dhe ju eksperiencat tuaja.

Para një jave shkova në Kallm. Në një plazh të vogël dhe të këndshëm të quajtur “The West End”. Ka shumë mundësi që ta njihni mirë. Në rrjet ka plot foto tërheqëse të këtij plazhi. Unë preferova që kësaj here tua tregoj jo nëpërmjet një aparati profesional, por nëpërmjet celularit tim, që të keni një ide më pranë asaj që realisht do të gjeni kur të mbërrini aty.

“The West End”, ndryshe nga emri, s’ka lidhje me lagjen e famshme të Londrës. Por as me pamjen që të ofron. Pasi ke udhëtuar 5 minuta në rrugën përpjetë Currilave, të shfaqen ca ngrehina të çuditshme betoni që të japin përshtypjen se janë mullinj ere. Në fakt s’besoj të kenë asnjë funksion tjetër përveç se të jenë sfondi i lezetshëm i selfieve në “West End”.

Mullinj ere të shpërndarë nëpër një fushë plot me gjineshtra. Një pamje që të kujton kartolinat e Holandës dhe që nuk pret ta gjesh në një fshat shqiptar, buzë detit. Ideja më duket e bukur, por e lënë në mes. Po të shohësh përreth nuk është punuar me detajet, madje nuk është punuar as për gjëra më të mëdha siç është një ndërtesë, mbase një restorant i ardhshëm, por ku punimet kanë ngecur prej kushedi sa kohësh.

LEXO DHE :  Besimtarët katolikë kremtojnë sot ringjalljen e Krishtit

Ashtu si gjithë mjedisi tek Currilat, edhe këtu mbi bimësinë pluskojnë qese të hedhura nga kalimtarë a banorë. Duhet ta përzgjedhësh me kujdes vendin për të bërë një foto pa qese në sfond. Ashtu si kodrave, edhe në plazh, gjen gota plastike, qese, apo ndonjë mbeturinë tjetër. Duhet të them se nuk është aq keq, me standardet tona. Syve tanë këto gjëra mund t’u duken normale, por duke parë plazhin e bukur dhe dekorin e krijuar aty, të vjen natyrshëm të thuash se me fare pak punë e pastrim, mund të gjeje vërtetë një oaz kënaqësie.

Përveç natyrës së bukur, një pikë në favor të këtij plazhi ishte volumi i muzikës, në kufijtë e normales. Nëse mes atyre që do e lexojnë këtë shkrim, ka ndonjë menaxher plazhi, bari a restoranti, do i lutesha të kuptonte se askush nuk i zgjedh këto destinacione, duke pritur muzikë diskoje. Njerëzit largohen nga qyteti për të marrë atë që ofron natyra; qetësinë.

E në fakt në “West End” qetësinë e gjeje me një çmim prej 600 lekë për çadër. Uji i detit ishte i kthjelltë, pa atë turbullirën që i njohim Durrësit jetë e mot. Por që të notonit të qetë, do ju sugjeroja sandale të posaçme për ujë, pasi terreni vende-vende është i rrëshqitshëm, por edhe mund të lëndoheni prej gurëve. Nëse do të donit që si souvenir, të merrnit guralecë me vete, harrojeni! Djemtë që shërbejnë thonë se është e ndaluar pasi janë blerë për plazhin.  Gjithashtu është e ndaluar edhe të lyhesh me argjilë… megjithëse atë nuk e kanë blerë gjëkundi./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.