Diku në një cep të botës tani është fiks ora për të ngrënë pizza.
Me këtë mendim u nisa drejt Pavarottit, një prej picerive më të reja të Tiranes. E gjetëm lehtësisht, tek rruga në të djathtë të Kopështit Zoologjik. U befasova kur e gjeta plot me njerëz, duke qenë se sapo është hapur.
Teksa hynim, pashë plot fëmijë që vraponin me tullumbace në duar. Mendova "bobooo kush e duron zhurmën", por në fakt menaxheri na shoqëroi në skajin tjetër të lokalit, larg të vegjëlve që festonin një ditëlindje.
Më pëlqeu që kishte aq shumë hapësirë dhe mund të kënaqeshin njëkohësisht si ata që donin të festonin zhurmshëm, ashtu edhe ata që donin të hanin në qetësi.
Unë porosita një pizza me mozzarella e friarielli, që zakonisht ka në përmbajtjen e saj salçiçe. Pizza me friarielli është e preferuara ime, por duke qenë se jam "pothuaj vegjetariane" në vend të salçiçeve kërkova të kishte pak gorgonzola. Kamerieri që mori porosinë nuk shfaqi asnjë lloj pakënaqësie për këtë ndryshim dhe kjo më bëri që t'i jepja edhe një pikë tjetër Pavarottit.
Pasi përfunduam pizzat, takova Eugertin, pizzaiolin e Pavarottit. E pyeta se cila është pizza që i përfaqëson dhe ai me tha se ishte Pizza Trevigiana, me radicchio, speck dhe djathë grana.
Kështu që duhet të rikthehem aty për të provuar edhe Trevigianen si dhe pizzën me brumë tradicional napoletan. Ndërkohe Eugerti na zbuloi disa prej sekreteve të pizzës së tij.
Tek Pavarotti përveç ujit, çdo përbërës i pizzës vjen nga Italia. Mielli është i markës “5 stagioni”, mielli i cilësisë më të lartë për pizza, i cili vitet e fundit ka fituar pothuaj në të gjitha konkurset ndërkombëtare.
Shef Eugerti thotë se sekreti qëndron edhe tek kohëzgjatja e lënies së brumit të vijë, në mënyrë që të ketë të gjitha vlerat ushqyese dhe të jetë sa më i lehtë për stomakun.
Dhe një tjetër pikë e fortë e kësaj pizzerie është super furra, e cila arrinte një temperaturë 480 gradë celcius, duke garantuar një pjekje optimale.
Përpara se të provoja akulloret e Pavarottit, Eugerti na demostroi përgatitjen e një pizze napolitane me bordet e fryra, por shumë të lehta, të cilën ju ftoj ta shihni në videon më poshtë.
Vizita e parë tek Pavarotti përfundoi tek kendi i pastiçerisë, ku gjeta 24 lloj akulloresh. Më e veçanta m’u duk akullorja me gështenja.
Për momentin ju ftoj të shihni fotot, ndërsa për më shumë, shkoni vetë tek Pavarotti, kur të doni, sepse siç ju thashë qysh në fillim, çdo moment është ai i duhuri për të ngrënë pizza./Dritare.net